Dede Kamber Ali Prishta | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Dede Kamber Ali Prishta |
Vendlindja: | Pagri, Përmet |
Datëlindja: | 1879 |
Datë Vdekja: | 1950 |
Vënd Vdekja: | Burgu i Tiranës |
Klerik i lartë bektashian, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve.
Lindi në vitin 1870, në fshatin Pagri të nënprefekturës së Përmetit. Në moshën 18-vjeçare mori në dorë teqenë e famshme të Frashërit, ku shërbeu për 29 vjet. Më 1911, vajti në qendrën bektashiane, në Haxhi Bektash, në Anadoll. U kthye sërish në teqenë e Frashërit dhe më 1914 u dërgua si përfaqësues i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi një aktivitet të dendur patriotik. Pesë vjet më vonë, më 1919, u kthye në Shqipëri, duke i dorëzuar Teqesë së Frashërit, të djegur nga grekët, të gjitha dhuratat që i kishin dhënë në SHBA besnikët bektashianë. I graduar Baba nga Baba Ahmet Turani, më 1921 u dërgua në Teqenë e Prishtës në Skrapar, të djegur po ashtu më 1914. Më 17 janar 1921, bashkë me Baba Ahmet Turanin dhe Dervish Ali Tomorrin (Turabiun), organizoi dhe kryesoi Kongresin e Parë Bektashian, ku u vendos mëvetësia e bektashizmit shqiptar. Më 1929, kryesoi dhe Kongresin e Tretë Bektashian që u mblodh në Teqenë e Turanit të Korçës. Pas vdekjes së Dede Ali Rizait, më 5 mars 1944 u zgjodh Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. U arrestua në dhjetor të po atij viti dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Vdiq në spitalin e burgut të Tiranës, më 1950. Sot eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.