U lind në vitin 1907 në Peqin. Kreu Normalen e Elbasanit. Kreu studimet e larta për drejtësi në Itali. Në fillim, punoi si koopist. Nga viti 1939 deri në vitin 1944, pati poste të rëndësishme në administratë. Fillimisht ishte kryetar komune në Elbasan dhe më pas, u transferua në Kosovë. Atje, shërebu në fillim si kryetar komune në Rahovec dhe më vonë si kryetar bashkie në Gjilan. Në vitin 1945, u zgjodh kryetar i Frontit Demokratik për qytetin e Cërrikut, post që e mbajti për një kohë të shkurtër, pasi dha dorëheqjen. Hapi një zyrë avokatie, e cila, me urdhër të pushtetit iu mbyll në mars 1946.

U arrestua në vitin 1947. U akuzua për periudhën kur ishte kryetar Bashkie në Gjilan se kishte mbajtur anën e okupatorit në dëm të popullit, se kishte ndihmuar Hamit Matjanin gjatë kohës që ky ishte i arratisur dhe akuza të tjera për qëndrime kundër regjimit komunist. Daut Elezi nuk pranoi asnjë nga akuzat në gjyq, duke thënë madje se në kohën e dezertimit të ushtrisë italiane, ai kishte urdhëruar hapjen e burgut të Gjilanit duke liruar rreth 300 shqiptarë.

Akuzat nuk u provuan. Megjithatë Gjykata Ushtarake e Elbasanit, me vendim Nr.533, më 29.12.1947 e dënoi me: "Vdekje (Pushkatim), Konfiskimin e Pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe heqjen e të drejtave qytetare dhe politike të përhershme". Në vendimin nr.856 të kësaj gjykate, thuhet edhe se të pandehurit i ngarkohen shpenzimet e gjyqit prej 54 lekësh. Kjo shumë duhej të paguhej nga familja e tij. Ende sot, familja nuk e di ku prehen eshtrat.

Si pasojë e konfiskimit të pasurisë, bashkëshortja dhe fëmijët mbetën pa asnjë mjet jetese. Ata u mbështetën nga familjarët, veçanërisht vëllai i Dautit, por kjo do u sillte këtyre të fundit përndjekje dhe diskriminim nga pushteti. Fëmijëve të Daut Elezit iu mohua e drejta e arsimit dhe jetuan gjatë gjithë regjimit komunist si të përndjekur.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, më 2019, i ka dhënë Daut Elezit një certifikatë "Mirënjohjeje" post-mortum me motivacionin “Në nderim të kontributit të dhënë për kauzën kombëtare e në veçanti për misionin fisnik si Kryetar i Bashkisë së Gjilanit, në periudhën 1941-1944.”

Një rrugë në Peqin mban emrin e tij.

Burimi: Familja dhe kumtesa "Shqipëria e 1947, një diktaturë që u ndërtua mbi vrasje" kushtuar Daut Elezit, e studiuesit Jonel Hibo mbajtur në muzeun "Shtëpia me gjethe" më 27.9.2024.

 

Burimi: Nga familja

Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.