| Çiril Cani | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Çiril Cani |
| Atësia: | Pashko |
| Vendlindja: | Shkodër |
| Datëlindja: | 3/6/1875 |
| Gjyqi | |
| Data e Arrestimit: | 27/9/1946 |
| Akuza: | «Veprimtari kundra Pushtetit Popullor» |
| Dënimi: | 5 vjet Burg |
| Hetuesi: | Zoi Shkurti |
| Prokurori: | Hys Zaja |
| Data e Vendimit: | 4/1/1948 |
| Gjykata: | Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës |
Klerik katolik, veprimtar i lëvizjes kombëtare shiptare. Lindi në Shkodër, më 3 qershor të vitit 1875. Kreu Kolegjin e Fretërve Observantë, në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër. Më 1890, u nis për në Kërshivë të Bosnjës, ku mbaroi studimet për filozofi e teologji. U shugurua më 10 gusht 1894. Në vitin 1895, u dërgua famullitar në Prevezë. Pas kthimit, në vitet 1900-1912 shërbeu në Dukagjin. Në vitin 1913, mobilizoi popullsinë e Dukagjinit në luftë kundër Malit të Zi. Bënte pjesë në delegacionin shqiptar pranë komisionit të caktimit të kufijve. Me ardhjen e Zogut në fuqi, u caktua zëvendëskomandant i forcave të Shkodrës. U arrestua më 21 shtator të vitit 1946 në famullinë e tij në Bajzë të Kastratit, «për veprimtari kundra Pushtetit Popullor». Më 4 janar 1948, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës e dënoi me «5 vjet privim lirie si dhe humbjen e të drejtave civile për 5 vjet kohë..., me konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme». U lirua tre vjet më vonë, më 29 nëntor 1949. Vdiq në Shkodër, më 27 shtator të vitit 1967.
