Bajram Haxhiu lindi më 3 maj 1877 në Lushnje, anëtarë i komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Shkollën fillore dhe të mesme ai e kreu në gjuhën turke në Lushnje dhe të lartën për financë në Kolegj në Stamboll, ku u njoh me patriotët e mëdhenjë të kombit shqiptarë. Shkrim e lexim shqip i ka mësuar si autodidakt. Haxhiu është një nga organizatorët e lëvizjeve antiosmane në Lushnje në fillim të shekullit XX dhe mori pjesë aktive në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës. Për këtë ai u arrestua dhe u dënua nga qeveria Osmane. Pas daljes nga burgu Bajrami nuk u ndal por përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane. Në këtë periudhë ai bashkëpunoi me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë. Në 1912 përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit duke luftuar kundërshtarët e saj serbë dhe kuislingët e Esat Pashë Toptanit. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore. Kur u pushtua qyteti i Lushnjës, Bajrami u ngrit me armë kundër austro-hungarezëve, të cilët nisën të ndërtonin hekurudhën “Dekovil” e cila kalonte përmes qytetit me stacion në qendër të Lushnjes. Për qëndrueshmërinë dhe rezistencën që ai bëri, pushtuesit austo-hungarezë morën masa të ashpra ndaj tij. Bajramin e internuan në Shkodër, ku kishte rezidencën komanda e përgjithshme e kësaj ushtrie, për ta patur më mirë nën mbikqyrje. Pas Luftës së Parë Botërore, ai u kthye në vendlindje në Lushnje, ku nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje. Kjo situatë e re politike shtroi para shqiptarëve detyrën e ruajtjes së Pavarësisë e cila ishte tronditur shumë nga shtetet ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore si dhe qëndrimi i shteteve fqinjë. Për këtë duhej që shqiptarët të ruanin me çdo kusht tokat e teritorit të Shqipërisë dhe ndaj patriotët kërkuan mbledhjen e një kongresi kombëtar shqiptar, që tu bënte thirrje shqiptarëve që të ngriheshin në këmbë dhe ta mbronin me gjak atdheun. Mbledhjen e kongresit e morën përsipër patriotët e qytetit të Lushnjës duke filluar nga organizimi, sigurimi i qetësisë gjatë mbledhjes, garantimi i kushteve të delegatëve si dhe organizimi i forcave vullnetare të mbrojtjes deri në përfundimin e plotë me sukses të tij.Një nga anëtarët e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës ishte edhe Bajrami. Ai pati një detyrë tepër të rëndësishme në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera. Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri kongresi dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Haxhiu përkrahu gjithashtu Luftën e Vlorës më 1920 për përzënien e ushtrive pushtuese italiane nga Shqipëria. Në prill të vitit 1922 ai ishte anëtar në komisionin për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Lushnje. Bajram Haxhiu ishte një besimtar mysliman i devotshëm dhe në vitet 30 ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes. Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italian në prill të 1939 dhe pushtimin nga nazistët gjerman në shtator të vitit 1943 ai i priti me urrejtje. Bajrami  luftoi kundër pushtuesve në vitet 1939-1944 për një Shqipëri të lirë e demokratike. Në vitin 1948 ai u shpronësua nga Reforma Agrare. Më 25 maj 1951 Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”. Më 9 maj të vitit 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes ai përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë nga pjesa e vetme që i kishte mbetur: bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese. Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht 1972 në Lushnjë në moshën 95 vjeçare. Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, u dekorua (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë me dekretin nr.1008 datë 18.01.1995 me motivacionin “Eshtë shquar për veprimtari patriotike në organizimin dhe mbrojtjen e punimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes”. Në nder të patriotit të shquar shqiptar rruga pranë shtëpisë muze Kongresi i Lushnjes dhe që vazhdon drejt qendrës së qytetit të Lushnjes, mban emrin Rruga “Bajram Haxhiu”. Në një shesh të qytetit të Lushnjes është vendosur edhe busti i tij. Bajram Haxhiu është edhe i ati i legjendës së sportit shqiptar, Abdurrahman Roza Haxhiu dhe veprimtarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu.

Burimi: Nga familja
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.