Klerik katolik. Lindi më 15 qershor a (17 korrik) të vitit 1910, në Lohe të Shkodrës. Më 1924 filloi Seminarin Papnor në Shkodër. Më 26 shtator 1929 hyri në Shoqërinë e Jezuit. Dy vitet e rishtarisë i kreu në Goricje. Aty kreu dhe liceun e studimet filozofike (1936). U kthye në Shkodër dhe në Seminar dha gjuhë italiane, gjuhë shqipe, histori e gjeografi. Pas tri vitesh mësuesie, njërin prej të cilëve në Tiranë, eprorët e dërguan për të kryer teologjinë në Shtëpinë e Shën Antonit në Kieri, afër Torinos, ku dhe u shugurua meshtar me 13 maj 1942. Për arsye shëndetësore, vitin e fundit të teologjisë e kreu në Goricje. Në gusht 1943 u kthye përfundimisht në Shkodër. U emërua zëvendës-rektor i Kolegjit të Shën Françesk Saverit në vend të Xhulio Andreinit, i cili qe fshehur në mal, sepse kishte qenë kapelan ushtarak i trupave italiane në Shkodër. Në janar 1946, Imzot Frano Gjini e emëroi rektor të Kolegjit Saverian dhe të Seminarit Papnor. Pas mbylljes së tyre, u caktua famullitar në famullinë e Shkrelit. U arrestua më 19 dhjetor 1947 për agjitacion e propagandë. Në pritje të procesit gjyqësor, u mbajt për tetë muaj e gjysmë në burgun e Koplikut. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në nëntor të vitit 1948 në Shkodër, u dënua me shtatë vjet punë të detyruar. Pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në kampin e punës në Beden të Kavajës. Prej këtu, pas gjashtë vitesh u transferua në burgun e Burrelit, prej nga u lirua më 20 tetor 1954.

Iu lejua të shërbente sërish, ndaj më 15 maj 1955, u caktua në Shënkoll të Lezhës, ku shërbeu deri më 6 dhjetor 1966, kur kisha u mbyll e u përdor si «sallë kulture». Kisha e tij ishte e para që mbyllej në Shqipëri. Për dhjetë muaj ndenji tek i vëllai në Lohe, ku punoi në kooperativë me bashkëfshatarët e tij.

Më 30 prill 1979, u arrestua për të dytën herë. Në pritje të gjyqit, u mbajt për nëntë muaj në burgun e Sigurimit në Shkodër. Më 6 nëntor 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim, por pas dy ditësh dënimi iu kthye në njëzetë e pesë vjet heqje lirie e pesë vjet internim. Dënimin e filloi në kampin e Ballshit, ku qëndroi për katër vjet. Pas Ballshit, u transferua në kampin e Shënkollit në Lezhë e prej këtu, pas katër muajsh, në Përparim të Sarandës, ku u mbajt për dy vjet. U lirua më 15 prill 1989.

Vuajti gati 17 vjet burgim në diktaturën komuniste në vitet 1947-1954 dhe 1979-1989. Hyri në burg në moshën 37 vjeçe dhe doli prej andej kur ishte 79 vjeç.

Meshën e parë e tha në varrezat e Bushatit, më 25 nëntor 1990. Pastaj u kthye vullnetarisht në famullinë ku kish shërbyer herën e fundit, pra në Shënkoll të Lezhës. Vdiq më 9 mars 1998, në Romë.

 

Fotografia e profilit i takon arrestimit të dytë në vitin 1979.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 111
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.