Padia e ish-kreut të burgjeve të diktaturës ndaj Fatmira Dines, bijë e familjes së persekutuar ashpër nga regjimi komunist. Dëshmia e ish-policit Urim Gjata dhe dy dëshmi të tjera për revoltën në burgun famëkeq të diktaturës, atje ku xhelati komandant burgu, lau me gjak të burgosurish, koridoret e oborret e atij kampi.
"Në mes të kampit, i lidhur, qëndronte Anastas Dhami nga Pogradeci. Edmond Caja së bashku me Ludovik Calin, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën. Ludovik Cali dhe krimineli Edmond Caja filluan të qëllojnë me çizmet e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit".
Kishin kaluar pak ditë nga revolta e 22 majit të vitit 1984, në burgun e Qafë-Barit, kur komandant toge Edmond Caja do të shfaqej me entuziazëm e ngazëllim në ambjentet e mensës së këtij burgu. Kishte urdhëruar mbledhjen e të dënuarve në atë sallë, ku do të komunikonte një lajm shumë të rëndësishëm. Në heshtjen që kishte pllakosur mbi të burgosurit që qëndronin me kokë ulur e në pritje të shkopinjve e shkelmave mbi ta, nisi të dëgjohej zëri i frikshëm i Edmond Cajës.
Dëgjoni vendimin e gjykatës:
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve, vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë, vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj. Pasi kishte lexuar me gjithë gëzimin monstruoz listën e vdekjes
Karriera e përgjakur e Edmond Cajës
Për shkak të devotshmërisë së lartë për të luftuar “armiqtë e popullit”, Sokol Sokoli e Tom Ndoja të pushkatuar, si dhe shumë të tjerë të burgosur, komandanti i togës në burgun e Qafë-Barit, Edmond Caja, do t'i besohej një detyrë më e lartë shtetërore. Pak kohë më vonë, ai u emërua drejtor i burgut të Qafë-Barit dhe pak kohë më pas, regjimi komunist e emëroi Edmond Cajen, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë.
Në atë detyrë, Caja qëndroi deri sa u përmbys regjimi komunist, të cilit i shërbeu me aq devotshmëri. Pas vitit 1992, kur ishte përmbysur diktatura, Edmond Caja shkoi në Gjermani. U largua ndoshta edhe përmes kërkesës për strehim politik në Gjermani.
Ermira Dine do të përballet së shpejti me Edmond Cajen në gjykatën gjermane. Me shumë gjasë, Edmond Caja do ta fitojë këtë gjyq, sepse Ermira Dine nuk ka shumë fakte për t'i ofruar gjykatës gjermane, përveç dëshmive që vijnë nga të dënuar, viktima të dhunës monstruoze të Edmond Cajes.
Dëshmi për krimet e Edmond Cajes
“Na çuan në kampin famëkeq të Qafe Barit, një ditë dhjetori të acartë e me dëborë të vitit 1986, mua bashkë me Agron e Naim Lalën, vëllezër, nga Borshi i Sarandës dhe një djalë tjetër të gjatë nga Kuçi i Vlorës, i cili quhej Fred, por shokët e tij Naimi e Agroni e thërrisnin Feto. Ishin dënuar, si dhe unë, për të njëjtën akuzë dhe ishin arrestuar grup bashkë.
Marrë nga: kujto.al
Dënimi i revoltës
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendës-komisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze… Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…
Marrë nga:
“Ferri i çarë”, libri i Visar Zhitit në kujtim të 29-vjetorit të masakrës
Urim Gjata, ish-polic në Pukë
Më 20 maj 1984 regjimi u trondit, të dënuarit e ndërgjegjies, të vdekurit për së gjalli, akoma nuk kishin vdekur. Ata, si një vullkan, shpërthyen duke sfiduar diktaturën, dhimbjet
Midis britmave dhe të plagosurve që tërhiqeshin zvarrë, duke sfiduar vdekjen, një grup të dënuarish, si Petrit Bazelli, u futën për të ndihmuar mes plumbave, për t'u ardhur në ndihmë shokëve të tyre të mbetur në shesh, Anastasi, Nuja, Toma, Kosta. Minoritari Thoma Jergolati hapi lavanterinë për të strehuar shokët e plagosur. Mjeku i kampit, serbi Drang Vujoshevi dhe ky një i dënuar politik, mundohej të mjekonte sa të mundej për të shpëtuar nga vdekja viktimat e kësaj masakre të paparë dhe dëgjuar ndonjëherë. Ato pak lule të fillim Majit brenda rrethimit të kampit, që këta njerëz i ujisnin çdo ditë, filluan të skuqen tani me gjakun e tyre. Kriminelët me uniformën e shtetit nuk pyesnin më, ndaj armiqve të partisë ishte derdhur jo vetëm urrejtja dhe druri, por tanimë dhe plumbat pa kursim. Dhe më në fund u hapën dyert e rrethimit, i pari Ludovik Cali, shefi i Sigurimit të kampit, dhe më pas menjëherë krimineli Edmond Caja, filluan të qëllojnë me çizmat e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit. Bastardët me uniformën e policisë, Kola, Prenga, Marashi, Ahmeti, Bastriu të shoqëruar nga të tjerët, filluan të thyejnë kockat e të dënuarve. Masakër, një masakër e paparë. Kriminelë dhe viktima, kriminelë të armatosur deri në dhembje dhe viktimat lakuriq, pa bukë, pa ujë, pa mbrojtje. Masakër kundrejt vëllezërve të tyre të pambrojtur, masakër kundër njerëzve kufoma. Zinzhirët e qenve të policisë dhe telat me gjemba u vunë menjëherë në punë. Gjithë të dënuarit, me plagë dhe pa plagë, u lidhën këmbë e duar me zinxhirë, ndërsa qentë e kufirit, ndërsuleshin mbi trupat gjysmë të vdekur, duke i copëtuar me orë të tëra. Rreth e rreth malet ishin mbushur me forca ushtarake, që nuk lejonin askënd të afrohej dhe të shikonte çfarë ndodhte. Dita e nesërme do të ishte më makabër, mbas asaj të parës. Të lidhur me zinxhirë, të torturuar çnjerëzisht, pa gjumë, pa bukë, pa ujë, zvarrë pjesëmarrës në shesh, për të parë atë çka do i priste dhe ata. Mbas një torture çnjerëzore, të dënuarin Tom Noin e vendosin mbi dy trupa pishe dhe krimineli Ludovik Cali e thyen në mes, duke i sjellë një vdekje makabre. Ndërsa shokun e tij, heroin Nue Pishën, mbas torturave, e dënuan me vdekje, duke e pushkatuar ditën tjetër. Në mes të kampit, i lidhur, Anastas Dhami nga Pogradeci, provonte një tjetër torturë çnjerëzore, Edmond Caja, së bashku me Ludovik Calin, në mes të sheshit, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën, dikë e trodhën... po po, të gjitha u zhvilluan në kampin e Qafë Barit dhe në birucat e policisë.
Marrë nga: https://urimgjata.wordpress.com/2014/05/05/71/comment-page-1/