Reparti i riedukimit nr.314 i Bardhorit Kavajë | |
---|---|
Informacione | |
Emri: | Reparti i riedukimit nr.314 i Bardhorit Kavajë |
Vendndodhja: | Kavajë |
Viti i Ndërtimit: | 1988 |
Viti i Mbylljes: | 1991 |
U krijua në bazë të VKM-së nr. 410, datë 27.10.1987 për përmirësimin e shfrytëzimit të masivit të dafinës, në një sipërfaqe prej 330 hektarësh në zonën e Bardhorit në Kavajë. Organika e repartit u plotësua me repartet 305 (26 veta) dhe 302 (70 veta). Detyra e repartit ishte shpyllëzim, mbjellje, grumbullim e manipulim. Për të zbatuar vendimin doli urdhri i ministrit nr. 1072/2, datë 21.11.1987. Personeli përllogaritej në 95 (58 prej të cilëve ushtarë) veta dhe të burgosurit 500. Reparti u ndërtua me 300.000 lekë. Të burgosurit ishin në shumicë ordinerë, por në përbërje të repartit ishin përllogaritur deri në 10% të dënuar politikë. Kapaciteti i repartit në tërësi ishte për 500 të burgosur. Sipas të dhënave të vitit 1988, reparti kishte një vend të veçantë për 40 të dënuar politikë. Në gusht 1988 erdhën 400 të dënuar nga reparti 305 Përparim. Në fund të këtij muaji, në repart ishin 461 të dënuar. Punohej për vjelje dafine duke aktivizuar 360 të dënuar në ditë. Norma ishte realizuar 101%. Deri më 31.10.1988 ishin paketuar 53.700 paketa dafina për eksport. Në tetor 1988 në repart ishin 478 të dënuar. Në nëntor 1988 ishin 498 të dënuar, gjendje që ruhet deri në fund të vitit. Në shkurt raportohet për 587 të dënuar. Gjatë këtij muaji raportohet se norma është realizuar 29% dhe ishin mbledhur vetëm 1,5 ton dafinë. Raportohej se gjethet ishin me pakicë. Në muajin nëntor 1989 në repart ndodheshin 384 të burgosur e në dhjetor 329 të tillë. Në fillim të vitit 1990 raportohej një numër prej 340 të dënuarish. Norma ishte realizuar 103%. Në fund të vitit raportohej një shifër prej 395 të dënuarish politikë. Reparti vijoi edhe pas vitit 1991. Ai funksionoi si burg deri në mars 1997, kur u përfshi edhe nga trazirat e këtij viti. Më pas pushoi nga aktiviteti. Kuadri drejtues i kampit ka qenë me profesione si: bujk, agronom, marangoz. Arsimimi i tyre përgjithësisht ishte i mesëm.