Kampi nr.6 Rrapi i trishit Tiranë dhe Varibop | |
---|---|
Informacione | |
Emri: | Kampi nr.6 Rrapi i trishit Tiranë dhe Varibop |
Vendndodhja: | Tiranë dhe Varibop |
Viti i Ndërtimit: | 1952 |
Viti i Mbylljes: | 1953 |
Të dhënat problematike të vitit 1952 tregojnë se këtë vit është ngritur një kamp pune me këtë numër. Nga raportet në fjalë rezulton se kampi është zhvendosur 4 herë brenda një viti, çka kishte sjellë anomali në punën e tij. Nga emërimi i komandantit të kampit më 23.4.1952 merret vesh se kampi është vendosur në vendin e quajtur Rrapi i Trishit në Tiranë. Gërmimet që kishte kryer kampi llogariteshin për vitin 1953 në mbi 46.000 m3, 14.000 m3 mbushje etj. Në fillim të vitit 1953 këtu punonin 700 të burgosur. Në raportin e komandës pranohej se të burgosurit e këtij kampi “rriheshin me kërbaç në dorë”. Për komandantin e kampit Neim Musaraj në vitin 1952, ndër të tjera, bëhej kjo karakteristikë në dosjen e tij personale:“... puna e tij deri diku është çmuar e mirë, për të cilën është shpërblyer në 4.000 lekë, megjithëse ka 2 vjet në këtë sektor, kjo vjen ngaqë nuk ka shumë ngritje, pasi nuk ka shkollë, bën përpjekje për t’u perfeksionuar në punë, iniciativën nuk e ka shumë të zhvilluar, në marrjen e vendimeve nuk është shumë i mprehtë, ka kokëfortësi dhe i rrëmbyer në punë... Urrejtjen karshi elementit armik e ka të zhvilluar, pasi sektori i punës është i atillë që ka të bëjë me armiq, i urren këta dhe i lufton deri në fund...”. Të dhënat e nxjerra nga biografia e komisarit të kampit Njazi Banushi tregojnë se kampi ka funksionuar në korrik 1952 – shtator 1953. Kuadri i këtij kampi ishte nga profesioni bujk dhe me arsim fillor.