| Zef Staku | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Zef Staku |
| Atësia: | Filip |
| Vendlindja: | Shkodër |
| Vendbanimi: | Shkodër |
| Datëlindja: | 9/2/1921 |
| Profesioni: | Publicist, poet, shkrimtar, përkthyes |
| Datë Vdekja: | 20/4/2001 |
Zef Staku (Shkodër, 9 shkurt 1922 - 20 prill 2001) ka qenë antifashist, i dënuar politik i regjimit komunist, shkrimtar e përkthyes.
U lind në një familje shkodrane qytetare, me tradita atdhetare. Që në rininë e tij, u shqua për talentin letrar dhe formimin atdhetar. Tradicionalisht, të parët e tij njiheshin, brez pas brezi, si qëndistarë të kostumeve kombëtare. Prej tyre, Zefi trashëgoi shpirtin poetik dhe talentin prej shkrimtari. Ai njihet në Shkodër, si i riu që, më 20 korrik 1941, së bashku me një grup studentësh, hartoi protestën kundër rektorit të jezuitëve Cordignano-s, për shkrimin e tij poshtërues ndaj kombit shqiptar. Më 7 maj 1942, botoi revistën antifashiste, "Zani i Lirisë", e para në llojin e vet në Shqipëri. Më vonë kjo revistë do të vazhdojë me emrin "Grupi 28 Nandori" dhe më tej, me emrin "Robni o Liri". Në të tria këto revista, ai botoi poezi e artikuj me temë çlirimin kombëtar. Qe dishepull i Mid'hat Frashërit, Lec Kurtit dhe mik i profesor Prenk Kaçinarit dhe i profesor Mustafa Dervishit. Me ideologji ishte nacionalist. Gjatë luftës, u bë pjesë e Ballit Kombëtar.
Mbas luftës, përjetoi pasojat e regjimit komunist, i cili e torturoi dhe e burgosi dy herë. Me vendimin Nr. 154, datë 6.8.1945, Gjykata e Shkodrës e dënoi për "krimin e kryer kundër shtetit" me 7 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për kohën e dënimit. Në këtë periudhë, ai përmendet si i burgosur në burgun famëkeq të Shkodrës.
Mbasi doli prej burgut të parë, frekuentoi Lajde Stakun (e cila në atë kohë mbante mbiemrin e vajzërisë Ujka) dhe u dashuruan. Por me vdekjen e Stalinit, e burgosën si element i rrezikshëm për komunizmin. Me vendimin nr.327, datë 3 shtator 1953 të Gjykatës Popullore Shkodër, u dënua me 4 vjet heqje lirie për "agjitacion dhe propagandë kundër Pushtetit Popullor".
Mbas daljes nga burgu i dytë, u martua me të dashurën e tij, Lajde e cila e ndihmoi dhe e priti prej burgut. Me bashkëshorten, shkrimtaren Lajde Staku, pati një bashkëpunim të gjatë. Së bashku, botuan vëllimin me përralla për fëmijë "Përrallat tona".
Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Ka shumë vepra në dorëshkrim, origjinale dhe përkthime, të cilat presin të botohen. Në mes të cilave, "Lusiadet", kryevepër e shkrimtarit portugez, Kamoens. Në 2015, mbas vdekjes së tij u botua vëllimi me tregime "Zambaku i dajës ". Në 2024, u botua vëllimi me poezi "Zoja e kalasë" dhe përkthimi në gegërisht i Eugjen Onieginit të Aleksandër Pushkin. Para se të vdiste ai i fali publikisht të gjithë ata që i kishin bërë keq dhe la si amanet që në gurin e varrit të tij të shkruhej epitafi: “Kam një amanet o Perëndi, të lind sërish në Shqipëri.” Ndërroi jetë më 20 prill 2001.
