Zef Lekaj | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Zef Lekaj |
Atësia: | Luc |
Vendlindja: | Shkodër |
Vendbanimi: | Shkodër |
Datëlindja: | 7/7/1924 |
Profesioni: | Kompozitor, poet |
Datë Vdekja: | 28/2/1999 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 4/7/1979 |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Kompozitor, poet, përkthyes.
Autori i këngës "Fatosi dhe qengji" e njohur si "Qengji i vogël" dhe i disa këngëve të muzikës së lehtë dhe për fëmijë, fituese çmimesh kombëtare. Autor i tekstit të këngës "Kur perëndon dielli".
Zef Lekaj u lind më 7 korrik 1924 në qytetin e Shkodrës. Ai vinte nga një familje me origjinë nga Traboini i Hotit. Ndjek kolegjin saverian, ku merr edhe mësime muzike. Talenti dhe puna e tij në këtë fushë bëjnë që t'i besohet kori i shkollës. Në këtë kohë nisin kompozimet e para.
Në vitin 1946, duke mos qenë dakord me vendosjen e komunizmit, merr pjesë në Lëvizjen e Postribës, pas së cilës detyrohet të arratiset në Malin e Zi, ndërsa i vëllai, dënohet. Rikthehet pas 13 muajsh dhe pasi kryen ushtrinë, vendoset në Shkodër si shef muzike në klubin e rinisë "Heronjtë e Vigut". Kompozon disa nga këngët e tij më të njohura, duke fituar edhe çmimin e dytë në festivalin e parë të këngës së lehtë që u zhvillua në Shkodër në vitin 1962.
Në vitin 1964, transferohet me familjen në Kuçovë, atë kohë Qytet Stalin, ku nis punë në Pallatin e Kulturës dhe i jep qytetit të vogël një hov të madh artistik, duke arritur të fitojë edhe çmimin e parë të festivalit të ansambleve.
Tri ditë para se të dilte në pension, më 4 korrik 1979, arrestohet publikisht në një mbledhje të frontit demokratik në Kuçovë. Dërgohet në burgun e Beratit. Pas 6 muajsh hetuesi, në gjyq e akuzojnë për besimin fetar apo librat e Gjergj Fishtës dhe Dostojevskit. Dënohet me 10 vjet burg dhe transferohet në burgun e Burrelit. Bashkëshorten, nga ekonomiste e çuan pastruese, ndërkohë që edhe fëmijët përjetuan privime, pushime nga puna dhe dërgim në punë të rënda. Edhe ata që nuk u lëvizën nga vendet e punës, u vendosën nën kërcënimin e luftës së klasave.
Pasi del nga burgu dhe bie diktatura, vendoset me familjen në qytetin e lindjes, Shkodër. Ndërron jetë në vitin 1999. Ka marrë titullin "Krenaria e qytetit" në Shkodër dhe "Qytetar nderi" në Kuçovë, ku një rrugë mban emrin e tij.
Jeta dhe veprimtaria artistike e Zef Lekajt është përmbledhur në monografinë e shkruar nga i biri, Leon Lekaj "Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”, botim i shtëpisë botuese Camaj-Pipa, 2008.