Reshat Agaj | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Reshat Agaj |
Atësia: | Bajram |
Vendlindja: | Ramicë, Vlorë |
Datëlindja: | 3/1914 |
Profesioni: | Kontabilist, veprimtar politik |
Datë Vdekja: | 15/10/1981 |
Vënd Vdekja: | Wisconsin, SHBA |
Gjyqi | |
Akuza: | °Agjitacion e propagandë° |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Data e Lirimit: | 1949 |
Kontabilist, veprimtar politik. Lindi në mars të vitit 1914, në fshatin Ramicë të Vlorës. Pasi kreu mësimet fillore në fshatin e lindjes, studioi në Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1932 filloi në Bari Institutin e Kontabilitetit. U diplomua më 1936. Sapo u kthye nga Bari u emërua nëpunës tatimesh në Korçë. Më pas filloi punë në Bankën e Shtetit. Gjatë kohës së luftës u rreshtua në radhët e Ballit Kombëtar. Pas largimit të gjermanëve, mori një letër nga Hysni Kapoja, ku ai e siguronte se nuk do të kishte pasoja. Ndaj dhe nuk u arratis. Pas pak kohësh e mobilizuan në radhët e Brigadës 23 në Veri. Më vonë nisi punë si stenograf në gazetën «Bashkimi», por pas pak kohësh u arrestua pa asnjë shkak. Pasi u torturua për muaj me radhë në birucat e Ministrisë së Brendshme, u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Pas lirimit më 1949, me ndihmën e miqve nisi sërish punë si stenograf, po këtë herë në gazetën "Zëri i popullit". Nuk kaloi shumë kohë dhe Kadri Hazbiu i përgatit kurthin: "Vëllai i Reshatit, Pertefi është arrestuar si armik që kërkonte të përmbyste pushtetin dhe gjyqi i ka dhënë dënim me vdekje." Pas torturave çnjerëzore dhe pas vendimit të gjyqit, Kadri Hazbiu realizoi takimin e Reshatit me të vëllanë e katandisur kockë e lëkurë, dhe e vuri para alternativës: "Ose na shërbe, ose vëllanë e pret plumbi». Një pjesë e të gjykuarve në të njëjtin grup me vëllanë ishin vrarë. Kështu, ai u detyrua të "arratiset" në perëndim, për të spiunuar të arratisurit, disa syresh të afërm të tij. Reshat Agaj pranoi, por sapo e nxorën jashtë, u dorëzua tek misioni amerikan dhe u tregoi për detyrën që i kishin ngarkuar. Vdiq më 15 tetor të vitit 1981 në Kinosha të shtetit Wisconsin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u varros në Detroit.