Pjetër Guraziu | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Pjetër Guraziu |
Atësia: | Filip |
Vendlindja: | Shkodër |
Vendbanimi: | Shkodër |
Datëlindja: | 1906 |
Profesioni: | Ekonomist |
Datë Vdekja: | 27/2/1951 |
Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me pushkatim |
Ngjarja i përfshirë: | Bomba në Ambasadën Sovjetike |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Vendi Ekzekutimit: | Mënik, Tiranë |
Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.
Pjerin (Pjetër) Guraziu lindi më 1906-ën, në Shkodër, prej një familjeje të mirënjohur tregtare dhe e shquar për veprimtari atdhetare. Më 1912-ën, gjashtëvjeçari Pjetër Guraziu me familjen e tij gjenden në Bari të Italisë, duke përfunduar madje shkollën e mesme Tregtare. Dhe duke kulmuar me vitin 1929, me Doktoraturën për Ekonomi në Universitetin e Barit. Më 1930-ën, Pjetër Guraziu kthehet ne Shqipëri dhe fillon punën si pedagog pranë shkollës së mesme Tregtare në Vlorë. Mandej punon në Doganën e Tiranës, ndërsa në vitet e pushtimit tërhiqet në veprimtarinë private të familjes që drejtohej nga i ati. Në vitin 1938 martohet me Ermelinda Saraçin, bijë e Patuk Saraçit të mirënjohur – deputet i Parlamentit të parë Shqiptar. I lindin dy fëmijë, Elizabeta dhe Filipi. Ndërkaq, familja e Gurazezve, me banim në Tiranë, ndihmon financiarisht Luftën Nacionalçlirimtare, duke shpresuar dhe besuar në realizimin e një Shqipërie demokratike. E ftojnë të marrë pjesë në formimin e qeverisë së re në Berat, si një intelektual i pakomprometuar, çka pengohet për shkaqe shëndetësore. Por nuk e pengon veten që të pranojë të shërbejë në detyra të rëndësishme në dikasteret qendrore të shtetit të ri (ministritë e Bujqësisë e të Financave) si drejtues i sektorëve ekonomikë e të financës. Dhe me të gjitha këto, Pjetër Guraziu do të mbërrinte te data fatale e 22 shkurtit 1951 kur arrestohet dhe natën mes 26 dhe 27 shkurtit 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, pa asnjë lloj faji, do të pushkatohet pa gjyq. Dyzet vjet më vonë, më 11 gusht 1991, Plenumi i Gjykatës se Lartë në Tiranë, shpalli publikisht vendimin e pafajësisë për të 22 të pushkatuarit e 27 shkurtit 1951, të të ashtuquajturit incident të bombës në Ambasadën e BRSS në Tiranë. Më 1993, organizohet solemnisht rivarrimi i 22 martirëve në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Ndërsa më 2011-ën dekorohen me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Pjetër Guraziu është rekordmeni i parë jo vetëm i atletikës së lehtë, por i krejt sportit shqiptar. Kulminacioni i historisë së tij daton më 11 prill 1925 kur ka fituar garën e kërcimit së gjati me shifrat 6.15 m, në Bari të Italisë, 4 vite para se në Shqipëri të organizohej kampionati i parë i atletikës, ku fituesi i kësaj gare do të arrinte shifra më të ulëta, gjithsesi. Ai mori pjesë në kampionatin e dytë të atletikës në vitin 1930, ku ka marrë një vend të parë dhe një të dytë në sporte të ndryshme.