Myrteza Bajraktari | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Myrteza Bajraktari |
Vendlindja: | Gostivar,Maqedoni |
Datëlindja: | 15/4/1933 |
Profesioni: | Mësues |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 12/11/1970 |
Akuza: | «Agjitacion e propagandë» |
Dënimi: | 3 vjet Burg |
Gjykata: | Gjykata e Rrethit të Tiranës |
Veprimtar politik, mësues. Lindi më 15 prill të vitit 1933, në qytetin e Gostivarit, në Maqedoni. Arsimin e mesëm e kreu në Tetovë e Shkup. Më 1952 filloi studimet për filozofi në Universitetin e Shkupit, ku krijoi organizatën nacionaliste «Shkëndija». U arrestua më 12 janar të vitit 1953 dhe, pas torturash çnjerëzore në hetuesi, u dënua me 7 vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në burgun e Idrizovës, në Shkup. Pas lirimit, më 1962 kaloi në Shqipëri. Pas muajsh hetuesie, u internua në kampin e Semanit për më tepër se katër vjet. Në vitin 1966 iu dha e drejta e studimit: mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës (1970). U emërua në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, por me ndërhyrjen e Sigurimit u transferua në rrethin e Beratit, gjë që nuk e pranoi. U arrestua më 12 nëntor të vitit 1970 dhe më 28 qershor 1971, Gjykata e Rrethit të Tiranës e dënoi me 3 vjet heqje lirie për «agjitacion e propagandë kundër R.P.SH.». Pas lirimit, iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit të mësusesit dhe u detyrua të bënte punë nga më të rëndat. Në korrik të vitit 1990 krijoi grupin ilegal «Fronti Antikomunist Tanshqiptar». Në janar të vitit 1993, u emërua konsull i Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane. Pesë vjet më vonë, më 1998, emigroi në Belgjikë.
U shua më 10 dhjetor 2020.