Kosta Topencarov | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Kosta Topencarov |
Atësia: | Dhimitri |
Vendlindja: | Ohër, Maqedoni e Veriut |
Vendbanimi: | Korçë |
Datëlindja: | 1913 |
Profesioni: | Topograf |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 8/4/1976 |
I Torturuar: | Po |
Akuza: | Agjitacion e propagandë |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Data e Vendimit: | 1977 |
Data e Lirimit: | 1982 |
U lind në Ohër. Studioi për topografi në Beograd. Në qershor 1950, kaloi kufirin ilegalisht me barkë përmes liqenit për të hyrë në Shqipëri ku ndodhej Marika Zllataref, të cilën e kishte njohur në Manastir, njohje që ishte kthyer në dashuri. Marika ishte e bija e Ivan (Jovan) Zllataref, një patriot nga Ohri, i cili kishte ndihmuar çështjen kombëtare të Shqipërisë pasi ishte vendosur në Korçë dhe e një gruaje shqiptare nga Korça. Kosta erdhi në Shqipërinë komuniste, pa ditur se nuk do ta lejonin më të kthehej në atdhe. Ai u martua me Marikën dhe iu lindën dy fëmijë, ndërkohë që punoi si topograf për disa vepra në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në zonë e Korçës.
Ardhja e tij në Shqipëri ishte parë gjithmonë me dyshim nga Sigurimi i Shtetit dhe pas disa kërkesave për riatdhesim, atë e arrestojnë në vitin 1976.
Brenda një kohe të shkurtër, arrestojnë edhe të birin, Nestorin, për shkak të ankesave që ai bënte pranë Degës dhe Ministrisë së Brendshme për arrestimin e të atit duke folur mirë për të.
Në vjeshtën e vitit 1977, gati 1 vit e gjysmë pas arrestimit, kohë një pjesë të së cilës e kaloi në spital për shkak të dhunës gjatë hetuesisë, Kosta dënohet me 10 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë. Ai ishte tashmë 64 vjeç. Dërgohet në burgun e Ballshit. Lirohet me amnisti, në një ditë me të birin, në vitin 1982.
Në vitin 1990, pasi ai dhe gjithë familja marrin vizat, largohen drejt Maqedonisë së Veriut. Atje, historisë së tij i kanë kushtuar dy dokumentarë dhe një film.