Kosta Bezhani | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Kosta Bezhani |
Atësia: | Papa Jorgji |
Vendlindja: | Bezhan , Kolonjë |
Datëlindja: | 10/7/1897 |
Datë Vdekja: | 17/8/1983 |
Gjyqi | |
Akuza: | «Armik i popullit,bashkëpunëtor i ngushtë me reaksionin e jashtëm e të brendshëm» |
Klerik ortodoks. Lindi më 10 korrik të vitit 1897, në fshatin Bezhan të Kolonjës. Mësimet fillore i mori në vendlindje. Që në moshë të re shërbeu si psallt në kishën e fshatit. Në vitet 1933-1934 kreu Seminarin njëvjeçar të Tiranës, që qe hapur për përgatitjen e klerikëve. Fillimisht u emërua prift në fshatrat Çarshovë e Radovë e më vonë edhe në Bezhan, Shtikë, Skorovot, Kreshovë etj.. Në prag të Luftës Italo-Greke u internua në Itali, fillimisht në Bari dhe më pas në Ankona. U lirua pas përfundimit të luftës. Pas kthimit në Shqipëri, shërbeu në fshatin Drenovë të Korçës (1941-1942). Më 6 janar të vitit 1946, ditën e Ujit të Bekuar, u arrestua në mes të meshës dhe u dënua nga Gjykata Ushtarake si «armik i popullit dhe i pushtetit popullor» dhe si «bashkëpunëtor i ngushtë me reaksionin e jashtëm e të brendshëm». Dënimin e kreu në kampin e Vloçishtit. Mbas lirimit, reforma agrare i sekuestroi gjysmën e tokës bujqësore, rreth 1000 krerë bagëti të imta, dy kafshë pune, dy mullinj bloje dhe, për pasojë, në vitin 1950 u shpall «kulak». Në këto rrethana u shtrëngua të largohet bashkë me familjen në Korçë. U emërua famullitar i fshatrave Drenovë dhe Mborje, ku shërbeu deri më 1954. Që nga kjo kohë e deri në vitin 1967 shërbeu pranë Mitropolisë së Shenjtë të Korçës. Vdiq më 17 gusht të vitit 1983.