Kaso Abaz Shehu (1918-1989) nip i Haki Rushitit, u arratis nga Shqipëria në mars 1945. Në maj 1950 shkoi në RFGJ dhe u bë pjesë e Kompanisë 4000. Kasoja ishte pjesë e desantimit të dytë të kësaj kompanie në mbrëmjen e datave 23-24 korrik 1951. Shokët e tij Riza Xhemal Abazi (përgjegjës) dhe Fido Veliu u vranë ose vetëvranë, ndërsa ai dhe Muhamet Hoxha u arrestuan. U përfshi në një proces me desantë të tjerë, duke përbërë një grup me 14 persona. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 nëntori” në Tiranë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.5, datë 22.10.1951, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 2, 3, 7, 8, 10, të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, dhe e dënoi me 20 vjet burgim e punë të detyruar. Gjykata i vlerësoi se u kishin “shërbyer besnikërisht imperialistëve të urryer amerikanë”, “armiqve të kampit të paqes, të demokracisë e socializmit”, “armiqve të tërbuar të njerëzimit” (anglo-amerikanët) që “digjnin dhe vrisnin popullin korean”. U lirua nga burgu më 26.4.1965.
Banonte në Borsh kur u arrestua për herë të dytë më 30.12.1982.
U akuzua në bazë të neneve 55 (agjitacioni e propaganda) dhe 31 (rrethanat rënduesi si i dënuar më parë) të Kodit Penal.
Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjykata Popullore e Rrethit Sarandë, me vendimin nr.24, datë 15.7.1983 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim. Gjykata e akuzonte se “duke agjituar me persona të ndryshëm, i është kundërvënë vijës politike të partisë e të shtetit”, se “gjendja ekonomike ishte e keqe”, “se socializmi nuk krijon të mira materiale, por varfëri e fukarallëk” dhe te “vendet kapitaliste i gjithë populli ka bollëk dhe mirëqenia e masave rritet”, kishte thënë se Mehmet Shehu nuk u vetëvra, por e vranë, etj. Po ashtu cilësohej se ishte shoqërisht i rrezikshëm. Kaso vdiq në Repartin nr.305 Përparim më 19.7.1989, nga hemorragjia, në moshën 71 vjeçare duke qenë ndër të burgosur e fundit në Europën Lindore.
Vuajti gjithsej 20 vjet, 7 muaj, 19 ditë burgim në vitet 1951-1965 dhe 1982-1989. U burgos në moshën 33 vjeçare dhe vdiq gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin nr.305 Përparim.