Havzi Nela | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Havzi Nela |
Atësia: | Shaban |
Vendlindja: | Kollovoz, Kukës |
Vendbanimi: | Kukës |
Datëlindja: | 20/2/1934 |
Profesioni: | Poet, Mësues |
Datë Vdekja: | 10/8/1988 |
Vënd Vdekja: | Kukës |
Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me varje |
Gjyqi | |
Akuza: | "Kalim të paligjshëm të kufirit" |
Dënimi: | 15 vjet Burg |
Data e Vendimit: | 22/5/1967 |
Data e Lirimit: | 19/12/1986 |
Gjyqi i dytë | |
Akuza: | Agjitacion e propagandë armiqësore |
Dënimi: | 8 vjet Burg |
Data e Lirimit: | 19/12/1986 |
Internimi | |
Data e Internimit: | 12/10/1987 |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me varje |
Akuza: | terrorizëm, arratisje jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, armëmbajtje pa leje |
Gjykata: | Gjykata Popullore e Rrethit Kukës |
Data Ekzekutimit: | 10/8/1988 |
Vendi Ekzekutimit: | Kukës |
Poet, antikomunist. Lindi më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), por u përjashtua për bindjet e tij si element destruktiv. Pas shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat. U dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Krumë, Lojmë dhe Shishtavec, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.
Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën për 5 vjet. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e tij më 10 gusht 1988, në mes të qytetit të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës së 10 gushtit, u varros vertikalisht në vrimën e krijuar nga
heqja e një shtylle. Është dekoruar me medaljen "Martir i Demokracisë" nga Presidenti i Republikës.