Hasan Reçi | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Hasan Reçi |
Atësia: | Selim |
Vendlindja: | Tiranë |
Vendbanimi: | Tiranë |
Datëlindja: | 17/1/1904 |
Profesioni: | Mësues |
Datë Vdekja: | 7/2/1948 |
Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me pushkatim |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Akuza: | Organizimi i "Lëvizjes së Postribës” |
Gjykata: | Gjykata e Lartë Ushtarake |
Data Ekzekutimit: | 7/2/1948 |
U lind në Tiranë më 1904.
Mbasi kreu filloren në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit që e mbaroi më 1928. Më 1924 veproi me shoqërinë "Bashkimi". Dha mësime në shkollën teknike të Tiranës. Më 1928 organizoi lidhjen sindikaliste të mësuesve. Ishte dy vjet drejtor i shkollës fillore, drejtoi dy vjet revistën "Edukata e re".
Themelues i Grupit Komunist të Tiranës.
Në vitet 1935-1939 u burgos në kalanë e Gjirokastrës për pjesëmarrje në kryengritjen e Fierit .
Nga viti 1939 e deri më 1941 qëndroi në Mbretërinë Jugosllave ku u bashkua me Mustafa Gjinishin dhe u takua me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin. Rikthehet në atdhe dhe e gjen grupin e tij gati të shkrirë. Në vitin 1942 dënohet sërish me vdekje, por dënimi i kthehet në burg të përjetshëm. Dënimin e vuajti në Itali për 20 muaj në ishullin e Shën Stefanit. Kur kampi lirohet prej amerikanëve, u shërben atyre si përkthyes. Kryeson një komitet shqiptarësh që u bënë ndërlidhës të shqiptarëve dhe amerikanëve, u trajnuan dhe më pas u kthyen Shqipëri më 1 maj 1944 me anë të një nëndetseje.
La të qenët përkthyes dhe vajti në mal te Brigada e 5-të dhe e 7-të. Merr pjesë në kongresin e Përmetit e në mbledhjen e Beratit. Pas lufte, u emërua shef i bursave dhe konvikteve në Ministrinë e Arsimit.
Më 21 janar 1946, kur po diskutohej projekt-rregullorja e asamblesë, replikoi me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Më 23 dhjetor, Hasan Reçi dhe disa deputetëve të tjerë iu hoq mandati, ndërsa më 14 maj 1947 mbërrin vendimi i Byrosë Politike i firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i dhjetë deputetëve dhe dënimi i tyre me vdekje. Akuzave të tjera iu shtua edhe ajo e organizimit të "Lëvizjes së Postribës”. Më 22 janar 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e dënoi me vdekje, pushkatim, ndërsa në hetuesi kaloi turtura çnjerëzore. U ekzekutua me të dënuarit e grupit të dytë të deputetëve më 7 shkurt 1948.
Foto: Nga hetuesia