Lindur në Tiranë. Vëllai i ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti.

Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas studioi në Manastir, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e Vjenës. U diplomua në vitin 1920 dhe u profilizua për buxhetin në legjislacionin e kontabilitetit. Zotëronte 7 gjuhë të huaja si italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht, turqisht, osmanisht dhe arabisht. Menjëherë pas universitetit emërohet sekretar i dytë në Ministrinë e Brendshme të Sulejman Delvinës. Më pas, më 1924, në qeverinë e Fan Nolit emërohet këshilltar për buxhetin dhe shkarkohet me ardhjen e Zogut si kryeministër dhe nga ky moment ai hap një zyrë private avokatie. Arrestohet dy herë nga Zogu: një herë pas atentatit që iu bë atij në Vjenë më 1931 dhe të dytën, pas kryengritjes së Fierit më 1935, por në të dyja rastet del i pafajshëm pas 1 viti burg. U largua nga Shqipëria në vitin 1944, por u arrestua në Selanik të Greqisë nga komunistët grekë të cilët, duke e ngatërruar me dikë tjetër, e dërgojnë në Shqipëri  në bashkëpunim me komunistët shqiptarë të grupit të Korçës. Gjykohet dhe qëndron në burg deri në vitin 1948. Më pas e internojnë në Gosë të Kavajës ku punon në fermë dhe në ndërtim nën presion psikologjik e fizik deri në eliminimin fizik të tij, në rrethana misterioze, në tetor të 1958.

Edhe familja e tij, u internua dhe përjetoi përndjekjen e regjimit. E bija, Fatbardha Saraçi Mulleti, është autore e disa botimeve që sjellin historitë e persekutimeve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Burimi: Tirona Intellectum
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.