| Gjovalin Mirashi (Traboini) | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Gjovalin Mirashi (Traboini) |
| Atësia: | Mirash |
| Vendlindja: | Shkodër |
| Vendbanimi: | Shkodër |
| Datëlindja: | 1936 |
Gjovalini ishte një nga tetë djemtë e familjes Mirashi ose Traboini me 9 fëmijë dhe prindër Mirashin dhe Lulën. Pas arratisjes së vëllait Gasper (Gac) në moshën 15-vjeçare, në vitin 1956, familja pësoi një përndjekje të vazhdueshme gjatë diktaturës, ku u burgosën disa prej anëtarëve të saj.
Gjovalini kishte tentuar të arratisej që më parë, por pa sukses. Në vitin 1955, ai shkoi ushtar. Pasi u kthye nga ushtria, më shumë qëndroi pa punë për shkak të arratisjes së vëllait dhe të vetmet mundësi që i ofroheshin ishin punët më të rënda në Fermë, Komunale apo NSHN. Ndërkohë ai ishte një talent i lindur në gdhendjen e drurit dhe gjatë jetës së tij, një pjesë të gjatë të së cilës e kaloi në burg, ka krijuar një koleksion të pasur statuetash.
Arrestohet në ditët e para të vitit 1962 dhe si arsye ishte biseda e arratisjes së disa viteve më parë. Pas 6 muajsh hetuesi, u dënua me 20 vjet heqje lirie, ndërsa shokët e tij, me nga 15 vjet. Në të njëjtin proces, u dënua me 7 vjet heqje lirie edhe babai i Gjovalinit, Mirash Traboini, i cili ishte arrestuar më pas dhe akuzohej si "mosdenoncues" dhe "përkrahës i veprimit të arratisjes".
U torturua gjatë hetuesisë dhe vuajti në disa burgje ku të dënuarit shfrytëzoheshin në punë, si në Vlorë, Laç, Tiranë... duke kaluar gjithë rininë në burg.
Fotografia e Gjovalinit është marrë nga libri i Kolec Traboinit, të vëllait të Gjovalinit, "Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist", botim i ISKK dhe është e vitit 1961, para se Gjovalini të arrestohej.
