Gjergj Bubani | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Gjergj Bubani |
Atësia: | Dionis |
Vendlindja: | Boboshticë, Korçë |
Vendbanimi: | Tiranë2 |
Profesioni: | shkrimtar, përkthyes, publicist |
Datë Vdekja: | 28/2/1954 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 13/11/1944 |
Akuza: | «Agjitacion e propagandë» |
Dënimi: | 15 vjet Burg |
Prokurori: | Bedri Spahiu |
Data e Vendimit: | 1/4/1945 |
Gjykatësi: | Koçi Xoxe |
Gjykata: | Gjyqi Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit |
Publicist, shkrimtar, përkthyes, botues, drejtori i parë i Radio Tiranës. Njihej edhe si Jorgji Bubani, ndërsa në shkrimet që publikonte përdorte disa pseudonime siç ishte Brumbulli.
Lindi në fshatin Boboshticë të Korçës. Për vitin e lindjes ka dy variante, 1899 dhe 1900, ku më i mundshmi është i pari, ndërsa për datë biografi të ndryshme japin datat 20 janar dhe 15 mars. Kreu Liceun Francez në Korçë. Studimet e larta i kreu në Akademinë Industriale të Athinës për Kimi. U shpërngul në Rumani, ku punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare «Shqipëri’ e re».
Në janar të vitit 1922, nxori një periodik me titullin «Dodona», ndërsa në mars 1926 revistën «Zëri shqipëtar», që pati jetë të shkurtër. Punoi edhe si sekretar i kosullatës shqiptare në Konstancë e Sofje. Në vitet 1932-1933 qe redaktor i të përkohshmes Kosova që doli për 32 numra në Kostancë. Më 1936, iu besua nga botuesi drejtimi i gazetës "Drita" në Shqipëri.
Në Shqipëri, në korrik 1938 mori detyrën si drejtor i Radio Tiranës, radios së parë shqiptare, që nisi transmetimet më 28 nëntor të atij viti me fjalët e Gjergj Bubanit "Ju flet Tirana", i cili ia la më pas fjalën, Mbretit Zog.
U arrestua më 13 nëntor 1944. Ashtu si shumë intelektualë të tjerë, që u gjykuan dhe u dënuan në gjyqin e «kriminelëve të luftës», në prill të vitit 1945, u arrestua pa një mandat arresti. Në aktakuzën e formluar më 12 shkurt 1945, ai u akuzua «Se asht bërë vegël e propagandës armike (si agjitator, propagandist, dhe publicist) me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit. (Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios, redaktor i gazetës «Bashkimi iKombit».)» Ndonëse nuk e pranoi akuzën, dhe megjithëse tre dëshmitarët dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike. Kështu, më 20 nëntor 1945, Komiteti Ekzekutiv i K.N.Ç. të Nënprefekturës së Tiranës vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij të luajtshme. Një tjetër urdhër sekuestrimi u dha edhe gjashtë muaj më vonë, më 8 maj 1946, kësaj radhe nga Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës Qendër Korçë.
ISKK shkruan në Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist se: Vdiq në burg, më 1954. Dëshmia e të birit, Loredan Bubani, në gazetën Panorama, tregon se Gjergj Bubani, u lirua pasi kreu gati 10 vite burg dhe ndërroi jetë, i sëmurë, në moshën 55-vjeçare. Leonard Veizi shkruan se Bubani kreu 6 vite burg.