Lindi në vitin 1934, në Sofje, Bullgari. Pas disa vitesh, familja vendoset në Tiranë. Dallon që në moshë të vogël për talentin në kërcim dhe merr pjesë në disa balete. Me themelimin e Filarmonisë Shqiptare në vitin 1950, Faruku rreshtohet ndër anëtaret e parë të grupeve të valleve profesioniste. Për vite me radhë, Faruku kërcen si solist dhe shpesh në role kryesore. Ai interpreton edhe ne baletin e parë shqiptar Halili dhe Hajria (1963), më pas tek Delina (1964) dhe kështu me radhë. Në 1961, u diplomua në fakultetin Filologji-Histori të Universitetit të Tiranës. Kënaqësia e mësimdhënies, e shtyu Farukun të braktisë interpretimin dhe të bëhej një pedagog model. Faruku ka qenë një ndër mësuesit e parë të degës koreografike. Në vitin 1962 i futet një dajë në burg si armik i popullit. Fillimisht, edhe pse kuadër, e dërgojnë ushtar në brigada pune, duke e shkëputur nga arti. Në vitin 1966 e çojnë për 10 vjet rresht në Malësinë e Tiranës, në Shupal, si mësues historie. Në vitin 1977, e heqin nga Shupali dhe e emërojnë mësues në Shkollën e Baletit në Tiranë dhe më pas edhe drejtor të shkollës, por nuk e gëzon gjatë këtë post. U arrestua më 19 shtator 1984, dhe më 7 tetor 1985, me vendim nr. 163, Gjykata e Rrethit të Vlorës e deklaroi fajtor "për pjesëmarrje në organizatë kundërrevolucionare" dhe "për tradhti ndaj atdheut" . Pretenca e prokurorit kërkoi dënimin me pushkatim, por gjykata e dënoi me 25 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 247
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.