Ushtarak. Më 26 janar 1945, para Bashkisë, pas fjalimit të Shefqet Peçit para turmës, jepet urdhëri i pushkatimit ndaj 8 viktimave. Ded Shabani është njëri ndër të pushkatuarit, urdhëruar nga Enver Hoxha duke nisur terrorin brenda qytetit të Shkodrës.

U arrestua më 24.1.1945. U mor në pyetje një ditë më pas, nga komisari i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, Lako Polena. Në hetuesi tha se më 20.1.1945 bisedoi me Jup Kazazin, por mori lajm edhe nga Hasan Isufi për t’u ngritur në një kryengritje kundër komunistëve për të marrë Shëngjinin dhe Lezhën. Deda arrestoi 9 partizanët e Brigadës së 1-rë në Malikolaj dhe iu drejtua Lezhës. Sipas tij, plani në konsultim me disa këshilla nacionalçlirimtare të fshatrave ishte për një kryengritje të përgjithshme, por pasi të arrihej një marrëveshje duke shpresuar për një zbarkim të britanikëve dhe kthimin e Mbretit Zog. Ai kish strehuar edhe partizanë dezertorë.

U akuzua në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit...”. Prokurori deklaroi se Deda ishte sjellë në gjyq sepse detyroi këshillat që ta bënin komandant të ushtrisë nacionalçlirimtare për Shkodrën.

Gjykata Ushtarake e Korparmatës së 3-të në Shkodër, e drejtuar nga nënkolonel Esat Ndreu, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.6, datë 24.1.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin nr.20, datë 28.2.1945.

Megjithatë pushkatimi u realizua më 26.1.1945 në Shkodër nga forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, në shkelje të nenit 31, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, i cili për ekzekutimet me vdekje kërkonte vendim të formës së prerë.

Burimi: https://kujto.al/26-janar-1945-masakra-e-pare-komuniste-ne-shkoder/
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.