Daver Dinush Veizaj që në moshë të re ka përkrahur Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe si i tillë rrëmbeu pushkën së bashku me të rinj të tjerë nga fshati Treblovë dhe u angazhua në Çetën e Con Smailit. Rrjedh nga një familje patriotike. Pas Çlirimit u angazhua si pjesëtar i ushtrisë popullore me gradën e oficerit aspirant. Emërohet oficer pranë kampit në Maliq të Korçës. Një nga ngjarjet me të rëndësishme të kohës ndodhi në kampin ku Daveri ushtronte detyrën: arrestimi i grupit sabotues që morën pjesë në bonifikimin e kënetës së Maliqit, inxhinierë dhe intelektualë u dënuan me pushkatim. Daveri si një njeri me shpirt të madh, nuk e përballoi dot padrejtësinë, braktisi detyrën dhe sipas informacioneve të kohës Daver Dinush Veizaj u arratis në Greqi ku qëndron për disa muaj në arrati e më pas rikthehet në atdhe dhe formon një çetë të vogël me trima të zonës me qëllim kundërshtimin dhe rrëzimin e regjimit komunist. Pas muajsh i fshehur në pyjet e fshatrave të Vlorës në datën 12.5.1950 tradhtohet dhe nxirret në pritë të sigurimit të shtetit nga disa të njohur të tij nga ku mbeten të vrarë dy prej shokëve të çetës. Daveri plagoset dhe tërhiqet zvarrë nga vendngjarja për në qendër të Selenicës dhe gozhdohet për së gjalli si Krishti për t’u bërë shembull për cilindo që do të guxonte të kundërshtonte regjimin e kohës. Pasi pushkatohet, trupi i tij hidhet në lumin e Vjosës me qëllim për të mos u gjendur kurrë, por një dëshmitar, punonjës i minierës së Selenicës merr trupin e tij dhe e varros në një lëndinë duke e shenjuar vendin dhe ruajtur sekretin për vite me radhë. Në vitet 90, familjarëve u tregohet e vërteta dhe vendi ku preheshin eshtrat e tij.

Burimi: Nga Familja
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.