Dajlan Zaimaj, ishte një ndër kundërshtarët e regjimit komunist që u arrestua në 12 dhjetor të vitit 1944. Në atë kohë, Ferdaneja ishte vetëm 9 vjeç, Gramozi ishte 5 vjeç, vajza tjetër Sado ishte 3 vjeç, ndërsa e vogla Liria, ishte vetëm një vjeç. Liria nuk e njohu kurrë babanë e saj. Dajlan Zaimaj u dënua fillimisht me 101 vite burg. Me faljet e dy viteve më pas, dënimi iu ul në 25 vjet burg. Ai e vuajti dënimin në burgun e Burrelit, bashkë me shumë të tjerë djem e burra të familjeve antikomuniste. Pas shumë toruturash në qelitë e atij burgu, dha shpirt më 2 qershor të vitit 1949, pasi kishte kryer rreth pesë vite burg. Trupi i tij nuk iu dorëzua familjes, ashtu siç ndodhi me të tjerë të burgosur politik që vdiqën në qelitë e burgjeve komuniste. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur. Biri i tij Gramozi dhe e bija Ferdaneja e nipër e mbesa, nuk kërkojnë të dinë kush e torturoi atë ditë e kush e çoi drejt vdekjes, duan të dinë vetëm varrin e tij, ku ta qajnë e t’i çojnë lule çdo 2 qershor.