Jak Ndoci | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Jak Ndoci |
Atësia: | Gjon |
Vendlindja: | Juban, Shkodër |
Vendbanimi: | Juban, Shkodër |
Datëlindja: | 1/5/1895 |
Datë Vdekja: | 19/2/1980 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 21/1/1945 |
Akuza: | Armik i Popullit |
Dënimi: | 1 vit punë e detyruar Burg |
Vendimi: | Nr.82 |
Data e Vendimit: | 14/5/1945 |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake Shkodër |
Gjyqi i dytë | |
Data e Arrestimit: | 27/11/1946 |
Akuza: | Ka marrë pjesë në kryengritjen e 9 shtatorit dhe qëndroi në arrati |
Dënimi: | 10 vjet Burg |
Prokurori: | Zurdi Shehu |
Vendimi: | Nr. 501 |
Data e Vendimit: | 18/12/1947 |
Gjykatësi: | Pertef Alizoti |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake Shkodër |
I dënuar dy herë nga regjimi komunist.
I biri i Gjonit dhe Terezës. Sipas gjendjes civile, viti i lindjes së Jakut është 1897, por ai thoshte se ishte i datëlindjes 1895, por i ishte ulur mosha me dy vite, me ndihmën e priftit të fshatit, për të mos u dënuar nga ushtria turke sepse kishte gjuajtur kundër saj në trazirat e vitit 1912, në fshatin Juban të Shkodrës.
Jaku kishte studiuar në shkollën fillore në vendlindje e më pas kishte shkuar për studime në Austri, të cilat i kishte ndërprerë pas një viti sepse ndarja nga jeta e të atit, i vendosi atij, si djalë i vetëm, detyrën e kujdesit për familjen.
Kishte miqësi dhe afrimitet me njerëz të kulturuar, patriotë si: Monsinjor Luigj Bumçi, Dom Pjetër Tusha, Dom Ndre Zadeja, Pjetër Shan Deda e jo pak intelektualë të tjerë të qytetit, të cilët bashkë me mjedisin familjar, ndikuan te Jaku në edukimin e ndjenjës së patriotizmit e të atdhedashurisë.
Rreshtohet kundër komunizmit, duke marrë pjesë në të ashtuquajturën kryengritje të armatosur të Koplikut në janar 1945. U arrestua më 28 janar 1945 e me dekretin nr. 82 datë 14 maj 1945 nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës edhe deklaruar fajtor si armik i popullit. Në bazë të nenit 18 të ligjit 41 mbi organizimin e funksionimin e Gjykatës Ushtarake dënohet me 1 vit punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave civile dhe politike për 1 vit.
Edhe pas lirimit, Jaku nuk e ndërpret aktivitetin e tij kundër regjimit komunist duke marrë pjesë aktive në kundërshtimin e së ashtuqujturës reformë agrare si dhe në Kryengritjen e Postribës për rrëzimin e pushtetit komunist, e cila nuk pati sukses.
U arrestua më 28 nëntor 1946 pasi akuzohej se kishte marrë pjesë në kryengritjen e Postribës dhe kishte qëndruar në arrati nga 9 shtatori deri në ditën kur u dorëzua dhe u arrestua. Grupi me të cilin u gjykua akuzohej edhe për "pjesëmarrje në mbledhje të ndryshme kundër pushtetit", që i kishin bërë thirrje popullit të mos votonte në dhjetor 1945 etj.. U dënua me 10 vite heqje lirie me punë të detyruar, heqje të të drejtave civile për 3 vjet dhe sekuestrim pasurie.
E vuajti dënimin në Burgun e Madh Shkodër, në tharjen e kënetës së Maliqit dhe në kampin e Bedenit në Kavajë.
Sipas dëshmive të ish-të dënuarve politikë, Jak Ndoci edhe në burg u kthye në simbol qëndrese. “Numër i veçantë, jo vetëm për një dhomë burgu, po për një burg të tanë, do të ishte Jakë Gjoni prej Jubanit. Jaku ishte i squet e si i thojnë, "i rrahun me vaj e ufull", shejtan vetë, po në të njajten kohë edhe i mirë e besnik, që gëzonte simpatinë e të gjithëve", shkruan në librin "Në gjurmët e një ditari", Ahmet Bushati, për Jak Gjon Ndocin.