Me origjinë nga zona e Dibrës. Ish-partizan, oficer, gazetar në organet mediatike të ushtrisë si gazeta "Luftëtari" dhe revista "10 Korriku", autor librash, por që më pas u shkarkua nga detyra dhe u dënua. Vetë Bajram Kovaçi, në një intervistë për Afrim Imaj ka thënë se përjashtimi i tij nga Partia dhe nga Ushtria erdhën si rezultat i disa pyetjeve që i bëri Enver Hoxhës në një mbledhje me kuadrot kryesorë të Shkollës së Partisë, të organizuar pas Konferencës së Tiranës. Bajrami i përmendi Hoxhës masakrën e partizanëve në Çidhën të Dibrës dhe akuzimin e disa nacionalistëve për bashkëpunim me pushtuesit, ndërkohë që ata nuk kishin qenë në Shqipëri gjatë luftës. Pasojat nuk qenë të menjëhershme, por pasi, në një rast tjetër, sjelljen e tij në atë mbledhje e vuri në pah Rita Marko.

Sipas të birit, Dashamir Kovaçit, në një intervistë që ky ka dhënë për "Zërat e kujtesës VI", Bajram Kovaçi u sulmua për mbrojtjen që i bënte familjet Kaloshi, një nga familjet më me ndikim në Dibër.

Pas shkarkimit nga detyra, Bajrami nisi punë si brigadier te Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Lulishteve te Kodrat e Liqenit, por në vitin 1964 e arrestuan dhe e dënuan me 7 vjet heqje lirie për "agjitacion e propagandë", bashkë me poetët Pano Taçi dhe Jorgo Bllaci. Kreu 4 vjet nga dënimi dhe u lirua duke filluar punë si përgjegjës i punëtorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës.

Sipas të birit, Bajrami tentoi të arratisej, por nuk ia doli. Kjo histori nuk iu përmend, por, disa muaj pas tentativës për arratisje, ai u arrestua për herë të dytë më 10 gusht 1971 dhe u akuzua për bashkëpunim me UDB-në dhe të arratisurit.

U dënua me vdekje në gjyq, por iu fal jeta dhe iu la dënimi në 25 vjet burg. Vuajti dënimin me burg nga viti 1971 deri në mars 1991, kur u lirua. Ndërsa ishte duke vuajtur dënimin, arrestuan dhe dënuan me burg edhe djalin e madh, Dashamir Kovaçi, ndërsa bashkëshorten me dy fëmijët e tjerë i larguan nga Tirana në fshatin Vrap.
E kreu dënimin në burgun e Burrelit.
Burimi: Zërat e kujtesës, Vëllimi VI, Intervistoi Luljeta Lleshanaku, ISKK, Tiranë 2020; Intervistë nga Afrim Imaj, Gazeta Panorama, 19/03/2009
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.