Aleksandër Lipe | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Aleksandër Lipe |
Atësia: | Koçi |
Vendlindja: | Përmet |
Datëlindja: | 12/1/1895 |
Profesioni: | Klerik ortodoks |
Datë Vdekja: | 4/7/1946 |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Klerik me shumë ndikim në popullin e Përmetit. Nuk e përqafoi komunizmin dhe komunistët nisën ta përndiqnin duke e arrestuar disa herë. Në vitin 1946, vendosën ekzekutimin e tij duke e akuzuar si kre të një grupi armiqësor.
Aleks Lipe lind në Kaludh të Përmetit më 12 Janar 1895. U arsimua për prift-mësues në
Shkollën Teologjike të Vellasë në Janinë. Në qytetin e Përmetit hapi shkollë fetare për djem dhe vajza dhe u mësonte mësime të përgjithshme dhe fenë. Gjithashtu në fshatin Kalludh hapi shkollën e parë shqipe dhe rregullisht fëmijëve të fshatit dhe fshatrave përreth, u mësonte gjuhën shqipe, para se Qeveria Mbretërore të hapte shkolla të rregullta. Më pas u dallua si klerik dhe mësues në qytetin e Beratit në shkollën e të rinjve kantidatë për klerikë, të hapur nga Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.
Pushtimi italian e gjen klerik në qytetin e Përmetit, ku si organizator i revoltave
popullore antifashiste, arrestohet dhe bashkë me të tjerë internohet në Itali. Në emër të të gjithë internuarve, i bëri kërkesë për lirim Papës ku i shpjegoi se të internuarit vuanin padrejtësisht, vetëm e vetëm se kërkonin lirinë e njerëzve dhe të vendit të tyre. U lanë të lirë pas 11 muajve internimi. Pas kthimit në atdhe, At Aleksi ushtronte ndikim të madh në popullin e Përmetit. Mbështetur në dëshmitë e bashkëfshatarëve të tij, mësojmë se at Aleksi shpesh herë paralajmëroi në popull të keqen që pritej nga komunistët, në raste të përsëritura nuk pranoi bashkëpunimin me komunistët, i kritikoi dhe me guxim përballoi kërcënimet e tyre.
U arrestua më 9 shkurt 1946. Gjyqi u bë në Gjirokastër më 13.6.1946, ku u gjykua bashkë me disa persona të tjerë, të akuzuar për spiunazh. U dënuan për tradhti të lartë, Atë Aleksi me vdekje, shtatë të tjerët me burgime të gjata. Ekzekutohet më 4 korrik 1946 dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë.
Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vitin 2020, i është akorduar dekorata "Kalorës i Urdhrit të Skëndërbeut".
Foto: Foto e vitit 1929, realizuar nga Dhimitër Vangjeli, marrë nga faqja Albanian Historical Society