I biri i Vangjel Turtullit, një nga vëllezërit Turtulli, që formuan firmën tregtare, "Vëllazëria Turtulli" në vitin 1885. Që nga ajo kohë, vëllezërit Turtulli, të njohur për veprimtarinë mirëbërëse, veçanërisht Thomai, i dhuruan Korçës bibliotekën, spitalin, liceun kombëtar dhe kinemanë "Majestic".

Me vendosjen e regjimit komunist, kjo familje si shumë familje të tjera të pasura u godit me sekuestrime dhe përndjekje.

Alekoja ndoqi studimet në vitet 1921-1926, fillimisht në Liceun Kombëtar të dhuruar nga vetë familja e tij. Më pas vazhdoi në Paris. Në vitet 1926-1931, ndoqi shkollën e Lartë të Tregtisë në Monpelje si dhe në Lion për Shkenca Ekonomike. Në vitin 1933 kthehet në atdhe, ku i kushtohet normalisht marrëdhënieve tregtare si dhe u mor me studime ekonomike që i botoi në shtypin e kohës.

Si në Lice dhe në Francë, jeta e kryqëzoi me Enver Hoxhën, i cili kur mori pushtetin, filloi të hakmerrej ndaj studentit të shkëlqyer, pinjollit të Turtujve, që dikur e kishte ndihmuar edhe financiarisht.

Aleko  Turtulli u shpall “armik i regjimit” dhe fillimisht ndaj tij u zbatua një tatim i jashtëzakonshëm, një pjesë të të cilit nuk mundi ta shlyente dhe si pasojë iu sekuestruan me dhunë të gjitha pronat, dyqanet, pasuritë dhe një pjesë e floririt. Emri i Alekos, sipas rrëfimit të së bijës, Athina Turtulli Qirici, ishte në listat e të pushkatuarve të natës së 21 shkurtit 1951, të hyrë në histori si “hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike”, por qe fati i tij  që i ishte hequr kryqi për t’u ekzekutuar atë natë.

Ai arrestohet  në 5 mars të po atij viti 1951 dhe u dënua me gjyq ushtarak me 10 vjet burg si agjent i monarko-fashistëve grekë, meqenëse kishte lindur në Selanik dhe i misionit anglez në Mesdhe pasi kishte radiotransmetues në shtëpi dhe dinte 5 gjuhë të huaja. Hetuesia e tij zgjati për gati 9 muaj, në degën e Korçës.

Dënimin e tij e ka vuajtur në disa kamp-burgje të regjimit, si në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin së bashku me vjehrrin, Themistokli Lako dhe xhaxhain e gruas, Sotiraq Lako i cili vdiq nga torturat në kënetë dhe eshtrat i ngelën aty përjetë. U transferua në Fier-Shegan, në Gosë të Kavajës dhe në fund, në burgun e Tiranës ku qëndroi 4-5 vjet si përkthyes i gjuhës frënge.

U lirua nga burgu në vitin 1959. Përveç një periudhe të shkurtër 1-vjeçare kur e lanë shef llogarie në NSHN, punoi gjatë gjithë kohës si bojaxhi, punë që e bënte prej vitesh edhe bashkëshortja e tij, Dhimitra, për të mbajtur familjen.


Dokumente

Burimi: Dëshmia e Athina Turtullit, si e dënoi diktatura familjen e mirëbërsve të Korçës, kujto.al
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.