Lindur në Milano në vitin 1900, banues përkohësisht në Shqipëri, inxhinier, i martuar me një shqiptare, kishte një fëmijë. Në vitin 1929 u diplomua inxhinier në Milano. Në  vitet 1929-1942 punoi në Francë dhe Itali. Në vitin 1942 vjen në Shqipëri. Ndërtoi pallatin e financës në Tiranës, godinë ku u vendos më pas shtypshkronja “Mihal Duri”. Me drejtimin e punimeve të ndërtimit është marrë deri në mars 1944. Në fillim të vitit 1945 u mor në punë nga Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Durrës së bashku me 60 italianë të tjerë me të cilët bënë ndërtimin apo meremetimin e hotel “Vollgës”. Në vitin 1946 erdhi në Tiranë, rregullon selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe depo të ndryshme. Në vitin 1947 ndërtoi në Peshkopi liceun e atyshëm. Në nëntor 1947 u kthye në Tiranë në ndërmarrjen shtetërore të ndërtimeve.

U arrestua në shkurt 1951, gjatë arrestimeve pas shpërthimit të dinamitit në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë. Siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, Sigurimi e kujtonte agjent. Elementë informativë spiunazhi sipas Sigurimit ishin planimetritë e hartuara nga inxhinieri italian si depo bulmeti, baxho djathi, fabrikë vozash dhe punishte rakie, për të cilat “interesohej” legata italiane në Tiranë. Inxhinieri u akuzua se projektet që hartoi i ishin dorëzuar legatës italiane në Tiranë.

Në përfundim të hetimit, me një shënim që mban datën 23.7.1951, italiani hedh poshtë gjithë hetuesinë. Fillimisht Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin nr.254, datë 6.9.1952 e dënoi me 6 muaj e 15 ditë heqje lirie. Kundër këtij vendimi paraqiti protestë prokurori i përgjithshëm.

Si rrjedhojë, më 24.11.1952 çështja i shtrohet për rigjykim gjykatës së shkallës më të ulët. Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin nr.5, datë 9.1.1953 e dënoi me 6 vjet heqje lirie.

Burimi: https://55news.al/dossier/item/232391-inxhinieri-italian-qe-ndertoi-pallatin-e-financave-dhe-u-burgos-nga-regjimi-komunist
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.