Uran Kostreci: Koço Tasi ishte 79 vjeç, por ishte aq i gjindshëm sa arrinte që në një nga këto 1-2 orë të ajrimit, të rrinte 1 orë qiri në këmbë në oborr, në të ftohtë, në shi, në diell, si të ishte koha, që më jepte mësim filozofie. Ai më jepte mësimin, unë pastaj lexoja edhe librin, por ai e zgjeronte natyrisht, të nesërmen i thosha atij atë që ai më kishte thënë më parë dhe po të mos ia thosha mirë më thoshte “nuk ke mësim të ri sot”...
Gjithë elita politike e vendit ishte e mbyllur pas lufte në burgun e Burrelit. Ish-kryeministrat Kostaq Kotta, Ibrahim Biçakçiu, ish-ministra, ish-ushtarakë, ish-nëpunës të lartë, por edhe intelektualët më në zë të kohës, financierë, filozofë, klerikë, shkrimtarë, përkthyes, gazetarë, vuajtën dënimin prej regjimit komunit për shumë e shumë vite në këtë këtë burg. Një pjesë e madhe prej tyre lanë jetën aty mes vuajtjeve të tmerrshme dhe sot as varri nuk u gjendet!
Por mjaft dëshmitarë, që mundën të rezistonin deri në fund të regjimit komunist, deshmuan se veç ferrit që përjetonin aty, veç vdekjeve që shihnin çdo ditë, urisë dhe torturave, morën me vete, kur dolën që andej edhe kujtime të vyera nga bashkëjetesa me këta personazhe të rrallë, që ishin në atë cep të trishtë e të dhimbshëm, si biblioteka lëvizëse prej nga arratiseshin shpirtërisht sa herë ndjenin nevojë….
Në dëshmitë e lëna nga Beqir Ajazi, një prej të dënuarve që vuajtën shumë vite në burgun e Burrelit, gjejmë një listë të gjatë emrash të intelektualëve dhe patriotëve që regjimi kishte izoluar në burgun më famëkeq të komunizmit. Ja cfarë dëshmon Beqir Ajazi:
“Qeveria komuniste kishte grumbulluar aty në burg të Burrelit tërë ajkën e patriotizmit e burrnisë shqiptare si nga ata të krahinave, si dhe nga ata që e kishin qeverisur Shqipërinë një jetë të tërë. Një ndër këta ishte dhe Hirësia e Tij Visarion Xhuvani, ish-kryetar i kishës, ish-senator, po ishte njëherë patriot i madh që kishte shërbyer si arkitekti kryesor i themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale. Pastaj vinin dhe pleq shumë të moshuar si Dine Dema, Islam Dragoti nga Dumreja, Xhemal Naipi, Xhavit Leskoviku, Ramazan Jarani, Xhevat Korça, Tefik Mborja, Sami Koka, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Et’hem Cara, Patër Klement Miraj, Patër Mehill Mira, Engjëll Çoba, Hamid Kupi, Enver Hasa, Elez Tahiri, Sheuqet Muka, Sharaf Karagjozi, Kasem Haderi, Sami Udenishti, Kristo Kirka, Isuf beg Çela, Seit beg Çela, Ali Maliqi, Syrja Golja, Qerim Nasufi, Koço Tasi, Jazo Ajazi, Shuk Gurakuqi, Akile Tasi, Sejfi Vllamasi, Zihni Dervishi, Xhemal Kusi, Fiqri Llagami, Vangjel Manushi, doktor Lush Pogu si dhe shumë e shumë të tjerë”….
Uran Kostreci u dënua dhe u dërgua në burgun e Burrelit në vitin 1963. Ai kujton mjaft episode mbi marrëdhëniet e rralla me disa prej këtyre intelektualëve që pati fatin t’i njohë e të mësojë prej tyre gjatë vuajtje së dënimit në atë burg.
“Aty në Burrel, unë gjeta, librat e dynjasë. 10 vite i lanë pastaj i morën. Në një qytet, përveç Tiranës në Shqipëri, zor se kishte aq shumë libra në gjuhë të huaj sa kishte atje. Në kampe jo e jo. Po pse i kanë lënë atje? Siç thoshin ata të vjetrit dhe kanë pasur aryse, sepse aty ishte destinuar që ne të vdisnim të gjithë, pra me libra apo pa libra, do të shkonim në varr. Fatmirësisht pastaj situatat ndërruan dhe nuk arritën që t’i vrasin dot që të gjithë. Librat mbetën për inerci. Edhe unë i gjeta atje dhe kam përfituar shumë prej tyre. Me këtë rast dua të them që jam ndihmuar shumë për të mësuar disa gjëra, aq sa mund të mësohej aty natyrisht, nga disa njerëz me kulturë të jashtëzakonshme, që jo vetëm atëherë, por edhe sot, do të ishin ajka e intelektualëve shqiptarë. Një nga ata ishte Engjëll Çoba nga Shkodra, laik. Ishte po ashtu dom Nikoll Mazreku, prift katolik. Ishte Kudret Kokoshi nga Vlora, poet. Ishte Koço Tasi nga Përmeti, jurist por edhe mjaft i arsimuar, mjaft i mësuar dhe mjaft i dhënë pas filozofisë”.
Uran Kostreci thotë se prej seicilit nga këta burra ka marrë mësime që i kanë vlejtur gjithë jetën, mori mesime filozofie e letërisie, mësoi gjuhë të huaja dhe perfeksionoi sonetin. Kushtet e të mësuarit në burg ishin aq të veçanta sa s’mund ti shlyejë kurrë nga mendja.
“Koço Tasi më ka dhënë mësime filozofie për një vit, deri sa u lirua, se ishte në mbarim të burgut. Ka qenë në atë kohë 79 vjeç, unë isha 25. Engjëll Çoba më ka mësuar gjuhën italiane në fillim, pastaj vazhdova vetë, për ta komentuar “Komedinë Hyjnore” italisht, që mund ta komentoj edhe në universitet më mirë se italianët se është i vështirë Dantja edhe pse është ai që hodhi themelet e gjuhës letrare italiane prapë ka ca arkaizma. Pra unë arrita të mësoj aq sa mund të mësoje në ato rrethana, se isha shumë i etur, por kanë qenë edhe këta njerëz që përmenda shumë të dhënë, shumë të devotshëm për të ndihmuar të rinjtë që kishin zell. Një ndër ata isha edhe unë.
Engjëll Çoba ishte nga Shkodra, katolik. Ai ishte jurist. Kishte qenë gjykatës në Korçë, në Berat. Kishte qenë njohur në burg edhe me babanë tim. Babai im më pati folur për të. Dhe unë e gjeta atje. Por ishte në vitet e fundit të burgut të tij, se kishte hyrë që më 1946. Ky njeri kishte një kulturë evropiane. Kishte mbaruar filloren, atë që quhej 7-vjeçare në Shqipëri, unike, të mesmen dhe universitetin në Itali, bashkë me Kudret Kokoshin. Pra ishte një njeri me kulturë me themel. Por ajo që ka rëndësi të përmend, sepse vërtet duhet thënë, këta ishin shqiptarë të mirë, këta ishin njerëz të ndershëm, këta ishin njerëz të kulturuar, këta ishin edhe të lodhur nga burgu vërtet, por shumë të gjindshëm e të devotshëm për të ndihmuar të rinjtë, siç isha edhe unë njëri nga ata në atë kohë Atë ndihmë që më ka dhënë Engjëll Çoba është e pashpjegueshme, nuk ta bën as babai yt”, kujton me lot në sy Uran Kostreci.
“ Koço Tasi më ka dhënë mësime filozofie për një vit, deri sa u lirua, se ishte në mbarim të burgut. Ka qenë në atë kohë 79 vjeç, unë isha 25. E gjeta 79 vjeç. Kishte bërë 18 vite burg dhe kishte edhe një vit që të dilte. Për fat të mirë doli, por vdiq pas 2 vitesh, jashtë. Nuk ishim në një dhomë se me Engjëllin fatmirësisht isha në një dhomë. Ne dilnim vetëm 2 orë në ajrim, i gjithë burgu, 10 dhoma, 9-10 në mëngjes dhe 3-4 pasdite. Me Engjëllin isha tërë ditën në dhomë aty dhe kisha mundësi ta pyesja dhe të më ndihmonte edhe ai më kollaj, por me Koço Tasin nga Përmeti jo, se ishte në dhomë tjetër”.
Procesin e mësimit me Koço Tasin, Uran Kostreci e përshkruan me mallëngjim.
“ 79 vjeç ky njeri qe aq i gjindshëm dhe aq i dhënë për të ndihmuar të tjerët, në rastin tim, sa arrinte që në një nga këto 1-2 orë të rrinte 1 orë qiri në këmbë në oborr, në të ftohtë, në shi, në diell, si të ishte koha, që më jepte mësim filozofie. Për fat të mirë ishte një libër aty, “Histori filozofie” italisht. Ai më jepte mësimin, unë pastaj lexoja edhe librin, por ai e zgjeronte natyrisht, të nesërmen i thosha atij atë që ai më kishte thënë më parë dhe po të mos ia thosha mirë më thoshte “nuk ke mësim të ri sot”. Të tillë ekzigjentë, si në shkollë, pa i paguar, pa asnjë interes, vetëm për zemërmirësi dhe për shpirtmadhësi.
A e kuptoni se çfarë njerëzish ishin këta? Kanë kaluar kaq vite, kam dalë nga ai Burrel, dhe unë akoma nuk kam gjetur dot modelin në Shqipërinë tonë sot, modelin e atyre njerëzve, në çdo pikëpamje të përsosur, atdhetarë, të ndershëm, inteligjentë, të kulturuar dhe të gjindshëm për të ndihmuar. Kush ta bën atë, në ato rrethana, të uritur, të lodhur, pleq, me shumë vite në burg, që të rrinte me orë qiri në këmbë për të të dhënë mësim, pa asnjë interes. Kush e bën këtë? Ku i gjen sot njerëz të tillë?”
Shkëputur nga rrëfimi i Uran Kostrecit dhënë në emisionin “Dosja K” i gazetares Admirina Peçi.