“Jam i pafajshëm, nuk e pranoj akuzën... internojini fëmijët e mi”

0
2285

Fati tragjik i profesorit të filozofisë Foto Bala, i diplomuar në Universitetin e Monpeljesë në Francë, i dënuar me vdekje nga diktatori Enver Hoxha, me të cilin kishte qenë dikur, shok shkolle në Liceun e Gjirokastrës, më pas atë të Korçës dhe në studimet universitare në Francë.

“Vjeç 37, lindur në katundin Vuno të Himarës dhe banues në Korçë, me profesion profesor, i martuar me fëmijë, me arsim të lartë” janë këto të dhënat e shënuara në dosjen e Sigurimit të Shtetit për të akuzuarin si "armik i popullit", profesorin e filozofisë, Foto Bala. Ishte një ndër pjesëtarët e grupit të deputetëve të akuzuar si “armiq të popullit”.

Foto Bala ishte diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Monpeljesë në Francë për filozofi e letërsi. Kishte qenë mik i ngushtë me diktatorin Enver Hoxha, me të cilin ishte njohur qysh në Liceun e Gjirokastrës dhe më pas në atë të Korçës. Kishin vazhduar bashkë studimet në Francë, por kur u kthyen në atdhe, historia e miqësisë së tyre kishte ndryshuar. Enver Hoxha e kishte vënë në listën e personave që do të ekzekutoheshin, për shkak se ishte ndër ata që dinin shumë për jetën e dyshimtë të diktatorit. Kështu u përfshi në grupin armiqësor të deputetëve profesori i filozofisë, Foto Bala.

Profesori i Filozofisë, nuk e pranoi kurrë akuzën e diktaturës, nuk pranoi as dëshmitë e rreme që vinin në sallën e gjyqit nga miqtë e tij, të cilët ishin detyruar nën dhunë të dëshmonin rrejshëm në dëm të tyre dhe të mikut të tyre, profesor Foto Balës. Shohim në dokumentet e Sigurimit të Shtetit se Foto Bala kishte refuzuar në çdo situatë të pranonte akuzën e pavërtetë, edhe kur e kërcënuan se familja e tij do të dënohej me internim. Studiuesi Kastriot Dervishi, ka publikuar dorëshkrimin e Foto Balës, ku duket vendosmëria e tij për të mos u dorëzuar nga kërcënimet e Sigurimit të Shtetit.

Më poshtë do të publikojmë pjesë nga dosja e grupit të deputetëve, gjyqi i Foto Balës. GJYQTARI NIKO ÇETA: Vazhdojmë me njohjen e akuzave ndaj të pandehurve të tjerë, të cilët referohen për gjykim si pjesë e organizatës tradhëtaro-sabotatore, për rrëzimin me forcë të Pushtetit Popullor. Të thirret para gjyqit popullor FOTO BALA.

JOSIF PASHKO: I pandehuri Foto Bala, ti, duke shfrytëzuar pozitën tënde si profesor i filozofisë je përpjekur të krijosh tek nxënësit frymën kundër partisë dhe pushtetit popullor, je përpjekur të fusësh frymën borgjeze…Ke qënë anëtar i komitetit qarkor në Gjiraokastër…Nëse nuk i pranon akuzat, të cilat i vërtetojnë edhe shokët e tu, atëherë do të të internojmë familjen.

FOTO BALA: Pranoj vullnetarisht internimin e fëmijëve të mi Dita dhe Tefta, pasi nuk pranoj akuzat që më bëhen, qoftë edhe nga shokët e mi.

Kur them të me provohen që kam qënë anëtar i Komitetit Qarkor në Gjirokastër, dua të them se mjafton të dalë një njeri i vetëm, që të thotë se më ka propozuar qoftë edhe një gjë të tillë. Unë pranoj dënimin me vdekje, në qoftë se provohet se kam bërë pjesë qoftë në të kaluarën, qoftë tani si anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar.

JOSIF PASHKO: Atëherë na i shpjegoni i pandehur a keni marrë rekomandim nga Abdyl Kokoshi për të shkuar në Gjirokastër dhe për ta shtrirë organizatën në nënprefektura? A keni shkuar në Korçë dhe Përmet? A e keni takuar këtë këtu Agathokli Xhitomin, që akuzohet se ka patur kontakt me elementin greko-fil?

FOTO BALA: Nuk i pranoj akuzat. Deklaroj se po tregoj gjithçka që është e vërtetë, në të kundërt unë do të pranoj dënimin si Armik i Popullit.

JOSIF PASHKO: Jo vetëm me kolegët, por ky profesor -tradhtar ka dashur të sabotojë mësimin, këngët komuniste dhe të propagadojë kundër pushtetit edhe me nxënësit.

FOTO BALA: Nxënësit nuk kanë vepruar ndonjëherë sipas udhëzimeve të mia. Rinia është përfshirë nga vrulli komunist që pengon tendencat konservatore.

JOSIF PASHKO: Por kjo nuk ju ka penguar të rreshtoheni në krahun konservator duke u bërë palë me Ballin dhe Legalitetin për të rrëzuar pushtetin popullor.

FOTO BALA: Ky pushtet nuk është as i joni, as i popullit dhe ne do të bëjmë çmos që ta rrëzojmë, sepse do kemi ndihmën materiale dhe morale të anglo-amerikanëve.

Në përfundim të gjyqit të Deputetëve gjykata e diktraturës mori vendime për pushkatimin e shumicës ku do të përfshihej edhe Foto Bala.

GJYQTARI NIKO ÇETA:

Sot më 27 Shtator 1947, Këshilli i Gjykatës së lartë ushtarake i përbërë prej

Major Niko Çeta Kryetar

Kapiten i Parë, Nexhat Hyseni anëtar

Kapiten i dytë Mustafa Iljazi anëtar

I insistuar nga kryetekretari Aspirant Thoma Nino dhe me pjesëmarrjen e ndihmës prokurorit të përgjithshëm Josif  Pashko. Japim këtë vëndim:

Prokuroria e përgjithshme publike në aktakuzën e saj datë 30. 8. 1947 i ka sjellë për gjykim këtij këshilli në bazë të neneve 9 të ligjit mbi organizimin e gjykatave ushtarake dhe 13 të ligjit mbi fajet penale kundra popullit dhe shtetit, të pandehurit:

Për shkak se:

a) Kanë krijua një organizate klandestine kundra pushtetit popullor

b) janë munduar që me propagandë të sabotojnë reformat dhe të krijojnë destabilitet e pasiguri

c) kanë krijuar lidhje me kriminelet e luftës brenda dhe jashtë Shqipërisë duke u përpjekur të përgatisin një kryengritje kundra Republikës Popullore të Shqipërisë

ç) janë lidhur me sillogun vorioepirot të Janinës e Selanikut dhe kanë marrë prej tyre udhëzime, ndihmë dhe lëndë propagandistike.

d) kanë krijuar lidhje me anglo-amerikanët e me narko-fashistët grekë, nga të cilët kanë marrë udhëzime dhe u kanë dhënë informata me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik.

e)kanë kryer një aktivitet të organizuar sabotimi në qendrat e punës

f)kanë nxitur të arratisurit të kryejnë aksione dhe kanë përgatitur lëvizjen e 9 shtatorit kundra qytetit të shkodrës

g)Kanë shtyrë të arratisurit të vrasin njerëz të pushtetit dhe kanë vendosur të bënin atentate kundra udhëheqësve të pushtetit

Këshilli gjyqsor i gjykatës së lartë:

Mbasi shqyrtoi procesvervalet e mbajtura kundra të pandehurve nga organete  sigurimit të shtetit;

Mbasi shqyrtoi procesverbalet e  mbajtura nga prokurori;

Mbasi dëgjoi apollogjinë e të pandehurve

Mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit i cili kërkoi:

Shpalljen fajtorë për të gjithë të pandehurit dhe dënimin si më poshtë:

  • Shefqet Beja me vdekje në litar;
  • Riza Alizoti, me vdekje në litar në Kuçovë,
  • Sulo Klosi, me vdekje në litar në Rubik
  • Selaudin Toto me vdekje pushkatim
  • Sheh Ibrahim karbunara me vdekje pushkatim
  • Paolo Saggioti me vdekje pushkatim
  • Agathokli Xhitoni me vdekje pushkatim
  • Mehmet Prishtinës me vdekje pushkatim
  • Irfan Majunit me vdekje pushkatim
  • Përtef Kragjozit me vdekje pushkatim
  • Abdyl Kokoshit me vdekje pushkatim
  • Foto Bala me vdekje pushkatim
  • Beqir Çela me vdekje pushkatim
  • Hivzi Kokalari me vdekje pushkatim
  • Tefik deliallisi me vdekje pushkatim
  • Ramazan Tabaku me vdkeje pushkatim
  • Enver Sazani me vdekje pushkatim
  • Hysen Shehu me vdekje pushkatim

 

  • Shefki Minarolli me burgim të përjetshëm
  • Rram Marku me burgim të përjetshëm
  • Rusto Sharra me burgim të përjetshëm
  • Gjovalin Vlashi me burgim të përjetshëm

 

 

Foto Bala bashkë me disa të tjerë i shpëtuan pushkatimit. Foto Bala u dënua me 101 vite burg, më pas me 25 dhe prej tyre vuajti 17 vite burg kampeve e burgjeve, në Maliq, Beden, Burrel, Rinas etj.. Foto Bala ndërroi jetë në mars të vitit 1991, pak muaj pasi kishte rënë diktatura komuniste.

S'KA KOMENTE