Vuajtjet nga një vend dënimi në tjetrin, ku përballej me punën e rëndë dhe sjelljen e pamëshirshme të gardianëve. Estref Musaj rrëfen kushtet në kampet shfarosëse, në të cilat kanë humbur jetën disa të dënuar
Dëshmia e plotë botohet për herë të parë në Kujto.al nga arkiva e familjes Doko
Unë kam lindur në vitin 1924. Baba im ka qenë patriot. Në 1912, ka qëndisur flamurin në Elbasan te Pasha. Ishte Kame Dyrmishi i pari i Gramshit. Edhe i ka thënë babait: “ec merr flamurin edhe qëndise”. Ka ardhur, ka qëndisur flamurin dhe e ka ngritur në Gramsh. Ka marrë pjesë edhe në Lushnjë. Babai ka hapur shkollën e parë në Kishtë, me paratë e tij. Ka qenë 1923‐shi.
Si erdhi moment i arrestimit?
Ka qenë më 17 mars 1949‐a kur u martova me Mirsien. Vinim përqark me të shtëpisë që të jetonim domethënë. Më 17 prill të 50‐ës, u arrestova. Domethënë pas 13 muajsh, koha më e mirë për një njeri.
Isha në Dragot. Duke ecur me gjithë mushkë unë. Më erdhi një makinë prapa dhe qëndroi. E pashë targën e Gramshit me thënë të drejtën se e kisha merakun. Nejse, më morën, më futën brenda, drejt e në në Elbasan, në Degë të Brendshme. Më vunë atje në birucë. Biruca ishte nën tokë, nën hotel. Ndenja nja tri ditë aty unë. Më morën në pyetje një herë: “Kush je? Tek je? Datëlindjen”. Kaq.
Kush ju mori në pyetje?
Dega e Gramshit.
Mbani mend emra?
Ka qenë një Qemal, Qemal, ky hetuesi, por si kryetar Dege ka qenë Vas Kopali, po atë ditë ishte ky, Qemali. Ia harrova mbiemrin. Edhe bëri, ç'bëri ashtu edhe “ik!”. Të dytën ditë, mu në mes të ditës, më morën më çuan te shtëpitë e Bishqemit. Shtëpitë e Bishqemit, i kishin bërë burg, biruca, edhe katin e parë dhe katin e dytë. Duke u futur atje unë, pashë një Riza Kokla. Riza Kokla ishte shoku im, e kishin nxjerrë për në banjë dhe po hynte. M'u mbush mendja. E kuptova që ishte tamam për atë punë, puna. Kur po më çonin atje, më mbuluan kokën edhe thanë: “ky është ai komandanti?”. “Ky ky është”. Bënin ato shakatë e tyre ata. Më çuan në fund në birucë.
Si ishte biruca?
U futa në birucë, duart lidhur. Shikoj unë, ajo biruca ime kishte qenë banjë më përpara edhe, kur dilnin njerëzit, unë i shihja. Nuk i njihja të gjithë, po njihja të atin e Azizit …I ati i Azizit ishte i plagosur, e mbante dorën kështu. E kishin plagosur kur e kapën. Edhe i njihja mjaft njerëz aty.
Për çfarë ju akuzuan?
Në të vërtetë unë kisha marrë ca trakte. Traktet m'i pruri motra që ishte martuar në Çekin. Ata, me thënë të drejtën, ranë në pre. Këtë Qemalin që them unë e kishin rreth miku. Si e kishin mik, sikur i gënjeu ai. Ajo mund të jetë zbuluar edhe në vend tjetër, por unë po them si e mendoj. I këndova ato traktet, ishin për rrëzimin e qeverisë: “të jemi gati kur të bëhet ndonjë kryengritje këtu, do vijnë nga jashtë”…nejse se s'i mbaj mend, por agjitacion dhe propagandë … I mora. I kisha me qejf ata traktet, edhe i mbajta në xhep. Atyre që kisha si të besuar, ua thosha. Kishim një dajën e vëllait tim, se ishim me dy nëna ne. Gane Ismaili i kanë thënë. Ai i shkreti rrinte dhe ia tregova. “Po hë mo i shkretë, hë mo kur?”. Domethënë shpresat që kishim. Edhe në shumë vende i pata dhënë, por i pata mbajtur edhe me vete. Mirëpo më thoshin: “Kujt ia dhe traktet? Kujt ia dhe?”. Unë thosha: “i dogja”. Se mendoja edhe veten time do e rëndoja, edhe të tjerët…I dhashë karar asaj, që nuk do them se ku i çova. Si përfundim tortura.
Çfarë torturash ju kanë bërë?
Megjithë që lidhur, më ngrinin të rrija në këmbë, edhe ai roja rrinte në sportel. U gdhiva në këmbë atë ditë. Gjithë natën. Të dytën ditë, gjithë ditën, përsëri. Kishim ca pantallona atëherë ne që mbërtheheshin me kopsa, m'u enjtën këmbët, i zbërtheva se nuk i merrnin më këmbët. Të tretën natë e vendosa që do bie se s'kisha mundësi të qëndroja më: do bie dhe s'ngrihem, le të më bëjë çfarë të dojë. Në orën 9.00 më thirri ai, hetuesi. Po ky Qemali që rrinte në Gramsh, vinte për hetime aty. Më thirrën atje edhe filloi përsëri. “Ore të kam thënë, që unë traktet i dogja… “E paske dashur partinë”, ‐ tha ky. Thashë: “Jo, partinë s'e kam dashur, , as e dua, as do e dua ndonjëherë”. Aty ky formoi bindjen që unë me vërtet nuk i kam djegur. Nuk më futën më atje. Pas nja dy ditësh, se e kisha pranuar procesverbalin, erdhi ky Vas Kopali nga Gramshi. Kishte kontrolluar ato procesverbalet…Më thirri mu në mes të ditës. E nxori koburen, ia dha policit, unë brenda dhe ky brenda, muhabet. Tha: “Ti nuk na ke treguar gjë në procesverbal”. Thashë: “Ato që kam ditur, i kam treguar.” “Po çfarë ke ditur? Çfarë ke treguar?”, ‐tha. Thashë: “Ato që kam thënë.” “Do të them një fjalë: ti përpara nesh nuk je as një thërrime grurë sot. Ne të dënojmë, ne të vrasim, ne të presim, ne të lëshojmë, ne të gjitha i bëjmë, por unë të them, tha, tregohu i sinqertë se do bëhesh pishman prapa”. Unë kisha hallin se do vlojë dajaku, atje ishte puna. I thirri atij rojës, erdhi, më mori, ika. Mirëpo unë me frikë: çfarë do bëjnë më… Atë ditë kishte mbaruar procesverbali për të gjithë. Kemi qenë 31 veta njeherësh, prej Gramshi. I nxorën të gjithë aty. Na morën, na lidhën. Siç ishim me hekura, dy çift dhe një litar përmes dhe përmes pazarit, nëpërmes popullit, që të shihte populli. Që këtej na çuan në Burgun e Madh. Na çuan në Burgun e Madh. Më futën në një birucë, nën shkallë. Dhe kam dashur të vete ta shoh një herë atë birucë në atë burg, këtu në Elbasan, sepse bosh është, më duket, ajo.
Si ishte biruca?
Po të rrije në gjunj, do thyeje qafën, nën shkallë mo …po të shtriheshe do i ngrije këmbët, kaq e ngushtë. Kam ndenjur 3 muaj e 11 ditë atje…Po një gjë tjetër, që ishte më keq, se ishte behar. Ajo dera ishte me dërrasa. Edhe kur thyente dita, binte dielli dhe të merrej fryma. E qasja kokën në ato birrat e dërrasave, merrja frymë atje, për përjashta. Edhe për ujë, unë e di se në sa vende kam pirë, nëpër ato burimet e...se s'kishte, digjeshe për ujë. Mos ta zgjatim, u bënë tre muaj aty. Mbas tre muajve, na nxorën në gjyq. Më nxorën në gjyq, u dënova. Kam qenë me Bido Dyrmishin, u dënua me vdekje Bido Dyrmishi.
Sa u dënuat?
Si përfundim, u dënova 8 vjet.
Cila ishte akt‐akuza?
Unë akuzohesha se kisha pasur kontakt me diversantë nga ana e Çekinit. Edhe për takime. Unë takime s'pata bërë me ta. “Ka propoganduar, ka bërë agjitacion dhe propagandë, ka shpërndarë trakte”... Agjitacion dhe propagandë.
Në ç'vit ju kanë dënuar?
Në '50‐ën, në fund të '50‐ës.
Gjyqi u bë në Elbasan?
Në Elbasan një pjesë e jona, por një pjesë u bë në Gramsh, po shokët tanë.
Ata, ju quajtën si grup?
Grupi i rezistencës quhej.
Ku ju çuan pas gjyqit?
Si përfundim na prunë në burg. I thashë policit: “Ore unë u dënova, pse jam në birucë?”. Urdhëruan: “Nxirreni, futeni në kaush te shokët”. U futa në kaush unë, atje. Kur në mëngjes, me shokët pa u pjekur tre muaj, katër muaj... muhabet neve. Erdhi një polic. Unë kisha një qilim që ma kishin sjellë nga shtëpia, e kisha shtruar përposhtë se s'kisha ku e mbaja. Kur erdhi polici, më tha: “po ti këtu?” Thashë unë: “më futën këtu”. “Hajde me mua”, tha. Thashë unë: Po do marr atë qilim ta nxjerr përjashta. “Futu në biruc”. Po ç'ke? “Futu ore brenda”, tha. Në birucë, përsëri unë, pasi u dënova. Kjo qe më tronditje për mua se s'dija çfarë u bë. Qëlloi që erdhi drejtori i burgut edhe i rashë asaj derës. “Hë, tha, çfarë do?”. “Po, më dënuan, thashë, po unë paskam vrarë dynjanë e tërë. Pse kështu unë tani?” “E di, e di, ‐ tha, ‐ po ty të ka futur Dega e Brendshme e Gramshit”. Kjo ishte fjala e atij Vas Kopalit, që tha: Do bëhesh pishman. “Ne pa marrëveshje me ata nuk të lëshojmë”... Më mbajtën nja një javë atje, ata... Thanë “nxirre”, dola.
Ku ju çuan pasi dolët nga biruca?
Si dola aty, erdhi behari. Na çuan në Maliq të Korçës. Atje, më shumë vdisnin nëpër ato llucëra, ishte me ujë deri këtu.
Na tregoni pak çfarë pune bëhej, çfarë aksidentesh ka pasur. Si i kanë trajtuar të burgosurit në Maliq?
Atje bëhej kanali, skavament i thoshin. Vinim ne të burgosurit, në mëngjes, edhe shkelnim kallamin. Tak‐tak e bënim që të shihnin sytë e policisë që ishin përqark… e dystonim. Nëpër ujë. Do bëje një pjesë thellë, një metër, që të kullohej uji. Po atje nuk e bënin disa. I merrnin, I linin pa bukë, pa gjë. Ndonjë e merrte, e fuste në ujë dhe i hipte polici përsipër, e ngjeshte në llucë, por unë me thënë të drejtën, nuk i pata këto, sepse rrinim shumë me kujdes. Ikëm nga Maliqi, erdhëm në Gosë të Kavajës. Kemi ardhur, në ‘51‐shin. Në dimër.
Po në Gosë të Kavajës, si ishin kushtet?
Ishte zi e madhe për bukë, për gjellë, se gjella ishte një pikë lëng atje. Të tregoj se si ka ndodhur një herë aty në Kafar, ishte një, Maksut Merlani i thoshin, këtej nga Veriu. Ai i shkreti s'i pati rënë njeriu kurrë në derë. Piqnin ndonjëherë mish aty në kuzhinë. Ai ç'bëri? Vete në kuzhinë dhe merr një thelë mishi. Po ku do ta çonte? Po aq ishte bërë... E merr atë. Turru policët, nëpër llucë, e kapën, e rrahën. Aq zi e madhe ka qenë atje. Po ne qemë dy vëllezër, qe dhe Dervishi, që nga Maliqi.
Ju ishit dy vëllezër në burg?
Dy vëllezër në burg. Këtu në Elbasan. Vëllai pati rënë më përpara. Shkuam në Maliq po të dy, në Kavajë po të dy, por na ka mbajtur shtëpia me thënë të drejtën. Kam pasur një vëlla, Ago e quanin, është dhe sot ai, është dy vjet më i madh se unë. Ai na ka ndihmuar.
Mbas Gosës, ku kaluat?
Nga Kavaja ne, shkuam te Rrapi i Trishit në Tiranë. Na çuan me tren, me vagona të mbyllura …Atje bëhej një stadium për ushtrinë: kazerma ushtarake, dhoma stadiumi, pastrime, se ishin të reja, i mbushëm me dhe. Prej aty, na prunë këtu në Cërrik. Bëhej rafineria e naftës. I bëmë themelet aty, i bëmë kanalet, i bëmë një pritë lumit, të tëra ato. Prej aty na çuan në Varibop. Atje ka qenë tmerri, në Varibop, atje nuk kishte ditë mos të vdisinin dy, tre, katër, në ditë.
Çfarë bënit në Varibop?
Kanal. Edhe kanal kullues, prisnim ato malet.
Vdisnin të burgosur në kanal?
Po, në kamp.
Nga se vdisnin?
Ja ta them. Ishte kanali, e çamë ne kanalin, mirëpo kanalit nuk i ishte hapur gryka, ishte me ujë. Ne në mëngjes, se ishte dimër, na futnin në kanal dhe do vinim nëpër kanal atje ku punonim. Atje ku punonim kishte dalë Vjosa dhe ishte me zhavorr. Plus zhavorrit, kishte edhe rrënjë shelgu… T'i bije me kazëm, s'bënte, s'të linte uji. Edhe me bel edhe me gjëra të tjera. Ishte një Adem Skëndo operativi atje. Kur vinim që këtej ne, nëpër ujë, te kampi, ky Ademi vinte aty edhe u thoshte atyre: kush e ka bërë normën, kush s’e ka bërë. Në të vërtetë, nuk e kishte bërë asnjë, se s’bëhej. Edhe brigadieri atëherë do nxirrte 5 a 6, 10 a 15, i nxirrte këta. Mirëpo ne ishim 6 brigada, në këmbë aty, dy orë a tri orë a, bënte qejfin e vet ai. Si përfundim, i merrte këta, ai kampi ishte pak si dishezë kështu. Këtu në fund drejtohej. Edhe ishte i mbushur me ujë. I merrte këta, edhe i fuste në atë kanal, në atë ujë, tak e tak, se s’ kishin bërë normën. Ne të tjerët atëherë, natë bëhej, na jepnin atë kafshatë bukë, atë kafshatë gjellë, hynim brenda. Hynim brenda ne, na numëronte në ora nëntë. “Oo ka dalë gabim”! Na nxirrnin dhe një herë përsëri. Ai i bënte të gjitha, aq shpirtkeq ishte, Adem Skëndoja. Si përfundim ia vunë atëherë, dy, tre, katër, në ditë. I linin ata të vdekur, do varroseshin, do futeshin në dhe na merrnin ne. Vinim ne nga puna, merrte cilin të kapte. Ditë për ditë të vdekur. Ka qenë një herë, ishte një, këtej ishte nga Veriu dhe ai. Një djalë i madh ai, një djalë i gjatë. Edhe në punë kishte qenë tërë ditën. Xhelal, Xhelal Sharku, i thoshin. Kishte një shok, i thoshin Nazmi Xhafi. Ishin po prej asaj ane. Ky Xhelali, si kishte ardhur nga puna, shtrirë kështu në bark. Ky Nazmiu hante bukë. Mirëpo një shok që kishim ne, këtej përballë, I thotë: “O po ai do mbetet pa bukë, ai Xhelali”. Ai: “O Xhelal, o Xhelal”. E la. Ky shoku ynë zbriti. Vajti e shikoi: “ky paska vdekur”, thotë, Xhelali, Xhelal Sharku. Morën doktorin. “Ky ka mbaruar”, tha. Do me thënë erdhi nga puna, ra dhe vdiq. Aq ashtu ishte.
Qëndruat shumë në Varibop?
Gjithë dimrin, aty qemë. Si përfundim na transferuan në Vlashuk, bëhej një liqen i madh, qe kënetë ajo. Aty nuk qemë keq me thënë të drejtën. Ishte një, kishte qenë xhandar në kohën e Zogut, si drejtor aty. Jo se na mbajti shumë mirë, por sikur e zbuti një çikë, jo aq sa përpara. Bëhej një tunel aty, nja 17 metër thellë, e çamë një pjesë tuneli që futëm ujin. Si përfundim na çuan prapë atje, se ishim efektiv atje, erdhëm si për ndihmë aty. Kishim vajtur në Kafaraj nga Varibopi. Vajtëm atje, dimër përsëri, llucë. Hymë në atë vendin që ishte vend i drejtë. Ujë s'kishim. Vinte një autobot. Në atë autobot turrej mileti kush të mbushte, s'kishte hall qysh ishte, se i turbullt, se i kulluar, po kush mbushte se...Natën na mbyllnin derën, për nevoja, për gjë, s'ka. Mender thonë, e bënim ujin në gaveta dhe e derdhnim atje përjashta, kaq ishte. Të nesërmen ishe në punë. Unë u sëmura atje sa për të vdekur, nuk mund ta përballoja. Desha të vras një polic e të më vrisnin. U sëmura shumë keq. Kishim një doktor grek, i dënuar ishte ai. Ai thoshte: “s'ke gjë”. Si përfundim, u transferova prej atje, vajta në Bulqizë. Kur vajta në Bulqizë unë, ishte doktor, Isuf Hysenbegasi, po ia pate ndier emrin, ka qenë hem doktor, hem burrë. E dija që ishte atje dhe vajta si me qejf, se u ndava me shokët aty, keq më erdhi, po do të vija do të gjeja Isufin dhe e gjeta Isufin.
Ju ndihmoi doktor Isufi?
Vajta natën. Kishin kazermat atje. Hymë. Në mëngjes, shkova në vizitë, siç e kanë rregullin. Hyra tek doktori. “Qysh je? Tek je?” Thashë: “Jam sëmurë shumë doktor”. “O qenke dobësuar shumë”, tha ky. E prita unë sa mbaroi punë me këta. Si përfundim vajta, u futa brenda. Më shikoi matanë. “Ti do kesh malarje, tha, se atje venë malarikë. Unë tri gjilpëra kam, sa për gjithë këtë kamp, për një tremujorsh.” Ma bëri një në darkë. Pasi ma bëri një në darkë ai, unë në mëngjes isha shëruar. “Doktor, u shërova”, thashë unë. E bëra atë, shpëtova nga vdekja, se të kisha qenë atje, do kisha vdekur atje, se malarje mo. Si përfundim punë galerie, me tri turne, hyr atje në mes dimrit, por nuk m’u bë shumë kohë atje dhe u lirova. Në Bulqizë jam liruar.
Në çfarë viti jeni liruar?
Unë jam liruar më 7 nëntor të '55‐ës.
Mes kaq shumë mundimesh, cilat kanë qenë çastet më të gëzuara të jetës suaj?
Dy kam pasur gëzimet më të mëdha të jetës: një herë kur iu hoq dënimi të atit të Azizit. U dënua me vdekje dhe iu hoq. Ishte gëzimi më i madh. Aq gëzim i madh se ne i kemi pasur mik den baba den ata, nuk kishte ku të shkonte më kur e pashë të zgjidhur. E dyta kur u tërhoq zvarrë statuja e Enver Hoxhës. Këto kanë qenë gëzimet më të mëdhaja.
Nga arkiva e familjes Doko