Harta bashkëlidhur tregon varrezën e Rrmajit në Shkodër sipas koordinimit të dy hartave, të vitit 1944 dhe të kohës së sotme. Krahasimi tregon se është shtuar tokë në drejtim të lumit, në pjesën lindore. Vija e kuqe tregon zgjerimin e varrezës nga lindja. Shigjeta me ngjyrë të zezë tregon drejtimin e pushkatimeve në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. Pjesa e brendshme e varrezës është e qartë në hartën origjinale dhe nuk është përdorur për të varrosur personat e dënuar me vdekje (brenda rrethimit ka qenë edhe një tip magazine). Vetëm në vitin 1945 në Shkodër u ekzekutuan me vendim gjykate plot 66 persona. Në listën e përgjithshme të personave të këtij viti, Shkodra zë vendin e dytë pas Tiranës, e cila ka një shifër të konsiderueshme. Numri i të ekzekutuarve të vitit 1945 është shumë i lartë për një vend të vogël si Shqipëria. Është për t’u kujtuar se në vitet e regjimit fashist dënimet me vdekje të gjykatave nuk e kalojnë shifrën e 10 personave të ekzekutuar./ Nga Kastriot Dervishi, studiues i periudhes komuniste 

Dëshmia/ Prelë Doshi: I kanë pushkatue shumicen te vorret e Rrmajve në Zallin e Kirit...Prek Cali nuk i gjindet ku i ka kockat. Aty asht pushkatua...

Dëshmia/ I biri i Jup Kazazit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar pranë lumit Kir, sipas dëshmive të një 13-vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër.

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.