1978/Përfaqësuesi i rinisë në gjyqin kundër kulakëve të Poshnjës

0
242

Në vitin 1977 në Rrethin e Beratit u arrestua një grup kundërshtarësh të regjimit që zhvillonin agjitacion e propagandë. Në dokumentet e kohës, ky “grup” cilësohet herë “grup kulakësh” e herë “grup ish-kulakësh”. Në fund fare, në gjykatë i kanë lënë kulakë. Është ndër rastet më tipike të rëndimit të akuzës nga agjitacioni e propaganda, te diversioni. Ky zmadhim është bërë qëllimisht në mënyrë që procesi të shërbente edhe si instrument i propagandës shtetërore. U caktuan dy grupe. Procesi i të parit u bë publik.

Në gjyqin kundër kulakëve të Poshnjës, si skenar i përgatitur mirë para punëtorëve, u mbajtën edhe fjalime nga fshati. Kjo sepse efekti që do jepte, do ishte i madh.

 

Gjykimi u bë duke u bazuar në Kodin Penal të vitit 1952, pavarësisht se Kodi i ri kishte hyrë në fuqi. U akuzuan për: tradhti ndaj atdheut (neni 64), diversion (neni 70) agjitacion e propagandë (neni 73), pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit (neni 76). Në përfundim, me vendimin nr.1, datë 7.1.1978 gjykata i deklaroi fajtorë dhe krahas konfiskimit të pasurisë (nuk kish ngelur gjë) dhe heqjen e të drejtës zgjedhore i dënoi:

-Luftëtar Sako Protoduari, me vdekje, pushkatim

-Riza Ahmet Azizi, me vdekje, pushkatim

-Ushtar Muço Çobo, me 25 vjet burgim

-Muharrem Sako Protoduari, me 20 vjet burgim

U la në fuqi me vendimin nr.9, datë 28.1.1978 nga kolegji ushtarak i Gjykatës së Lartë. Vendimi u ekzekutua “në vendin e caktuar” në Berat më 27.2.1978.

Grupi i dytë i me kryetar Sako Protoduarin, nuk u dënua me bujë, por u dënuan me nga 10 vjet burgim.

Në grupin e parë foli nga populli edhe një anëtar i rinisë.

***

Fjalimi i anëtarit të organizatës së rinisë së Poshnjës, Dhori Ziu:

“Si anëtar i organizatës së Bashkimit të Rinisë së Shqipërisë, e quaj të domosdoshme të them edhe unë disa fjalë. Nga deponimet e të pandehurve, dëgjova të flitet edhe për rininë. Dëgjova të thuhej këtu se ndërsa në vendet borgjeze-revizioniste rinia është “e lirë” të bëjë ç’të dojë e të veprojë, si të dojë, të shijojnë jetën, sipas tyre, në të gjitha aspektet e saj, duke ndjekur modën, duke pasur liri mendimi e veprimi, ndërsa këtu te ne nuk ndodh një gjë e tillë, sepse këtu na paskësh diktaturë dhe rinia nuk ka liri mendimi. Të njëjtat mendime llomotit edhe propaganda e vendeve borgjeze-revizioniste se gjoja te ne mungon “liria” e “personaliteti” i brezit të ri/ po për çfarë lirie e personaliteti mund të bëhet fjalë në vendet borgjeze-revizioniste kur masa të tëra të rinisë enden rrugëve të papuna e pa shpresë, kur ndërsa dyert e shkollave janë të mbyllura, kisha dhe institucionet e shumta fetare të marrin frymën, kur qosheve të rrugëve, natë e ditë, vërtiten narkomanë, rrugaçë, vjedhës e vrasës, që kryejnë krime në përpjesëtime përherë e më të mëdha.

Bashkimi i Rinisë e edukon brezin e ri që ta dojë si dritën e syve atdheun, diktaturën e proletariatit, partinë që kanë sjellë këto ditë të bukura, të gëzuara e të lumtura. Na qajnë hallin armiqtë e të gjitha ngjyrave, se rinia jonë vuaka gjoja në diktaturën e proletariatit, mundohet e s’gëzoka “liritë” e mundësitë e mëdha që na paskërka e ashtuquajtura “demokraci borgjeze”. Rinia jonë, këtyre zotërinjve, u përgjigjet me shprehjen popullore: “Mos i qani hallin kalorësit se i varen këmbët”. Është diktatura e proletariatit që për mbi 3 dekada po rrit e lulëzon në Shqipëri një brez të ri, të lumtur, e të lirë. Diktatura e proletariatit na ka dhënë e na jep falas shkollën, shërbimin shëndetësor, na jep punën. Te diktatura e proletariatit shohim të sotmen e të ardhmen tonë të sigurt, ndaj ne e kemi për detyrë të shenjtë që nën udhëheqjen e partisë të qëndrojmë gjithnjë në ballë të luftës së klasave, për ta forcuar e mbrojtur atë si sytë e ballit.

Udhëheqësi ynë i madh, shoku Enver Hoxha, na mëson: “Ne duhet t’i spastrojmë deri në fund skoriet, duhet t’i spastrojmë me idealin tonë, me idetë tona marksiste-leniniste”. Pikërisht rinia në fshatin tonë. Ne do t’u përmbahemi si kurdoherë këtyre mësimeve dhe do t’i vëmë ato në jetë dhe u themi armiqve: te ne nuk do të gjeni asnjë të çarë, do t’u vëmë si barrikadë, si kurdoherë, kallot në duart tona.

S'KA KOMENTE