100-vjetori i Qemal Draçinit, njeriut që kapërceu kohën

0
335

Këtë vit mbushen 100 vjet nga lindja e Qemal Draçinit. Poetit, prozatorit, kritikut, studiuesit, publicistit, mësuesit që ndriçoi me zjarrin e vet këdo që takoi në jetën e tij , por u shua nga diktatura në moshën 25-vjeçare. Nuk ka një version të sigurt të fundit të tij, por e sigurt është që Qemalin, pas arrestimit, e torturuan deri në atë pikë sa jeta iu bë e pamundur. E pasi mbylli sytë mes vuajtjesh, trupin ia hodhën fshehurazi, diku pranë varrezave të Rrmajit në Shkodër, duke e lënë pa varr atëherë e përherë. La pas ditarë, që i vëllai Enveri, i ruajti si sytë e ballit, me shënime vetjake dhe krijime letrare që tashmë janë botuar. La arkivën e revistës “Fryma”, ku ishte redaktor e ku botoi studime, kritika, recensione…La kultin që gjimnazistët krijuan për mësuesin e tyre. La maketin e antologjisë së lëndës së letërsisë për klasat e larta të gjimnazit, të cilin e dorëzoi një ditë para se ta arrestonin. Dhe këtu nisi fundi i gjatë e i dhimbshëm i një jete të shkurtër, por jashtëzakonisht të thukët. Ishte goditja që ndaloi njeriun që vraponte më shpejt sesa koha.

Rinia e hershme

Qemali me vellezerit dhe motren

Qemali u lind në qytetin e Shkodrës më 6 mars 1922. Kur fëmijët rriten aq sa për të shfaqur prirjet e tyre, e Qemalit ishte e qartë. Ai ishte i etur për dije dhe i përpinte librat.

Mësoi gjuhë të huaja dhe lexonte lirshëm italisht e frëngjisht, por, nisur nga shënimet e tij, kuptohet që njihte edhe gjermanishten. Porosiste libra nga jashtë që i vinin në shtëpi me ndihmën e xhaxhait, drejtor dogane. Ishte pikërisht koha, kur Qemali adoleshent u njoh dhe u përfshi nga idetë revolucionare. Ishte më i riu i grupit ku bënin pjesë Zef Mala, Qemal Stafa, Emin Duraku, Vasil Shanto etj. dhe bashkë me ta u arrestua e u dënua në vitin 1939 për përhapjen e ideve komuniste. 16-vjeçari Qemal Draçini u dënua me 1 vit burg, dënim të cilin e kreu në fshatin Mbreshtan të Beratit ku thyente gurë. Gjatë kësaj kohe, Draçini shumë i ri, por jo pak i mprehtë, kuptoi se projekti për të cilin po sakrifikoheshin ai dhe shokët e tij, do i tradhtonte. Ndaj u tërhoq nga çdo organizim e angazhim politik. “O liberalizëm i gënjeshtërt i shekullit tonë, ku e ke ti kultin tand? Ç’hipokrizi bastarde…ç’marri me e besue…Unë e besova, por u rrejta!..”, shkruan Qemali në ditarin e tij në fund të vitit 1939.

E megjithëse idetë i kishte të qarta, në shpirt vuante për shokët që humbi në luftë, para të cilëve, ndërgjegjja e tij e bënte të ndihej si dezertor edhe pse nuk ishte veçuar prej frikës apo interesit. Në  Shkodër iu kushtua vetëm studimeve, librave dhe shkrimeve. Shokët e brezit të tij e përmendin si nxënësin e shkëlqyer të gjimnazit të Shkodrës. Përjeton edhe dashurinë e parë. Ajo ishte Selka, studentja e Normales së Tiranës, vajza e tezes së shokut të tij, e cila vinte të kalonte pushimet verore në Shkodër. Bisedën e tyre të fundit, Qemali e ka regjistruar në ditar. Sipas studiuesit Nexhmi Bushati, Selka, një vajzë me këmbë në tokë, edhe pse e pranon se ishte dashuruar me Qemalin, duke marrë parasysh pamundësinë e kësaj dashurie, duke qenë që ata u përkisnin familjeve të feve të ndryshme, e refuzon Qemalin në mënyrë të tillë që të mos e lëndonte duke i thënë të vazhdonin shkollën një herë e më pas të vendosnin. “Ecëm për pak në heshtje…Ia mora dorën e ngjomë ndër të mijat e aty për aty gadi guxova me ia puthë.-Faleminderës!-i thashë, pa e dijtë as vetë, për shka i faleshem nderës”, shkruan Qemali atë mbrëmje gushti të vitit 1941.

Jeta evropiane

Nga Shkodra, u nis për studime në Padova ku u regjistrua në degën e jurisprudencës. Nuk e gjeti veten në atë mjedis dhe u zhvendos në Firencen e artit, ku do të gjente një komunitet studentësh shqiptarë e miqsh nga Shkodra dhe do të mund të studionte edhe për letërsi, çfarë i përgjigjej më së miri thirrjes së tij të brendshme. Këtu nisi të shkëlqente sërish, edhe pse nuk ishte më në gjimnazin e qytetit, por në një universitet evropian. “I tillë ishte ai, i pangopur, duke studiuar 10, 15 orë, pa fjetur për të marrë 30 e lode…Në tërë jetën universitare ka marrë një 28 edhe këtë për një debat me profesorin e lëndës”, thotë studiuesi Nexhmi Bushati në emisionin Dosja K, të gazetares Admirina Peçi në ReportTV kushtuar Qemal Draçinit. Në Firence, fliste me studentët e huaj për Naimin, Fishtën, Kanunin dhe me ata shqiptarë për temat e ditës. Miqtë e tij të atyre viteve, si Ramadan Sokoli dhe Sami Repishti, gjithashtu studentë në Firence, kanë shkruar më vonë për mendimet që Qemali, të cilit i është bërë refren shprehja “revolucioni i ha fëmijët e vet si bisha këlyshët e saj” ndante me ta, mendime se ata që kishin marrë përsipër luftën në Shqipëri ishin demagogë dhe se të rinjtë shqiptarë mund t’i shërbenin me të vërtetë atdheut vetëm duke u shkolluar e duke krijuar inteligjencën perëndimore. Këtë mision i kishte vënë vetes Qemali dhe ishte i vendosur ta ndiqte kur erdhi në Shqipëri në vitin 1943, por realiteti do ngacmonte atë plagën e vjetër të zhgënjimit dhe do i sillte shqetësime gjithmonë e më të mëdha shpirtërore.

Parandjenjat e errëta dhe pak Frymë

Ditarët e Qemal Draçinit, të ruajtur me kujdes nga familja e të përgatitur për botim nga ish-nënësi i Qemalit, studiuesi Nexhmi Bushati shfaqin shqetësimet shpirtërore të intelektualit të ri të cilat bëhen më të mëdha në vitet e fundit të luftës, kur në Shqipëri nisi vëllavrasja. “…jeta ime pa flamur, pa ideal! Ose ma mirë - me flamur të shkyem nga luftat e jetës”, shkruan ai në vitin 1943. Një pjesë të vitit 1944, gjithsesi, e kalon i angazhuar në një projekt shumë të rëndësishëm. Është redaktor në revistën kulturore “Fryma” dhe autor i një pjese të konsiderueshme të përmbajtjes së saj. "Fryma", edhe pse jetëshkurtër, përbën një moment të rëndësishëm në publicistikën shqiptare. Qemali publikoi përkthime, studime për Gjergj Fishtën, Gaspër Palin, Migjenin..., recensione etj.etj. Megjithatë, “Fryma” që doli për herë të parë në janar, u urdhërua të mbyllej në shtator-tetor 1944, për shkak të editorialit të fundit që kritikonte politikën qeveritare të kohës. Drejtuesi Myzafer Pipa u arrestua, ndërsa Qemal Draçini u detyrua të fshihej për t’i shpëtuar ndoshta arrestimit të tretë (Veç dënimit në Mbreshtan me punë të detyruar, studiuesit flasin edhe për një dënim tjetër  të Qemalit gjatë pushtimit). Pa një angazhim, Qemali detyrohet të shohë sërish ngultas, realitetin pezmatues. Nën vështrimin e tij të qartë, çlirimi nuk ishte aspak çlirues. Ndiente vetëm trishtim për shokët e rënë dhe asnjë arsye për t’iu gëzuar së nesërmes nën fituesit e luftës.

“Ngjan një agim tragjik, i përgjakun nga stërpikja e therorisë së një fisi të tanë. Asht agim i përgjakun i jetës së re shqiptare që po lindte në mjedis të zjarrit e të gjakut. Të gjakut të derdhun rrkajë të rinisë së përbuzun, të rinisë së tradhtueme arbnore…Këtu në fyt më lidhet si një ny vaji, përmallimi: Kiço, Emin, Nuro…Oh, sa e sa ushtarë të panjohun të Shqipnisë së vuejtun”, shkruan në ditën e parë të çlirimit.

“…Nervat janë zhgrehur dhe nuk ka asgjë për të pritur…ditët e kalendarit nuk i jetoj më. Ditët e mija nuk janë ditë, por një natë e pambarim, e zezë dhe e vazhdueshme, një natë e pa agim e pa perëndim, pa një fillim e pa fund për të pritur. Këto ditë më kujtohet shpesh fraza që E.M.Remark vuri në frontespicin e librit të vet “Asgjë e re në frontin e perëndimit”: Ky libër nuk do të jetë asnjë akuzë, asnjë rrëfim (konfesion). Kërkon të flasë për atë brez fatkeq që lufta e vrau, edhe në se granatat nuk e prekën…” (13 dhjetor 1944). ”…trishtimi më pushton. Ndjehem i humbur si në një holl vdekjeje. Prej javësh nuk shoh më diell…Gjithshka e errët, e pasigurt…S’besoj më në asgjë!” (23 janar 1945). Megjithatë, duket se edhe një herë, për të fundit herë, librat, letërsia, mjedisi akademik do e shpëtonin Qemal Draçinin, duke e nxjerrë nga këto hone e duke i dhënë mundësi të shihte diellin…për të fundit herë.

Flakërima e fundit

Qemali u emërua mësues letërsie në gjimnazin e Shkodrës ku dha mësim në periudhën 1945-1946. Përshkrimi që i bën ish-nxënësi Nexhmi Bushati mësuesit të tij të letërsisë të bën të kuptosh se mësimdhënia ishte arti i Qemal Draçinit. “Për ne ishte një befasim mahnitës, me atë trupin shulak, me pak flokë, me ata dhëmbë të mrekullueshëm dhe me shikimin që të përshkonte deri në thellësi të shpirtit dhe të zemrës…Ai kishte një aftësi të veçantë për të bërë për vete, aftësinë e komunikimit. E kishte shumë të dukshme dashurinë për njeriun, humanizmin dhe ti në kontaktin e parë me të e pësojshe këtë ndikim. Pastaj ishte i foluri i tij i mrekullueshëm. Ai nuk fliste, cicëronte! Me një pasuri fjalori, me figura, me humor... Mbeteshe i shtangur para tij. Për ne ishin momente magjie. Ai të merrte me vete, ti fluturojshe, ti ndiqje atë frymë që shpërndante ai…Ai nxehej, skuqej, mbushej me djersë, recitonte, ishte artist i vërtetë. Ne na vinte keq kur binte zilja e mbarimit të mësimit. U fikte ajo magjia…E patëm mësues vetëm 1 vit, por sikur të ishin dekada. E krijuam si idhull. Ne kemi pasur kultin e Qemal Draçinit. Çdo gjë e tij, dukej si eterike, si jonjerëzore. Në orët e mësimit. Kurse jashtë ishte si shok, të tregonte barcoleta, bënte ndonjë lojë me top…”- thotë Nexhmi Bushati për emisionin DosjaK.

Mësimdhënia duket se i lejonte Qemalit të ishte vetvetja: pasionant, i zjarrtë, por herë pas here hije të zeza i rrëshqisnin në shpirt. Teksa shihte një grup të burgosurish nga dritarja e këshillit pedagogjik të gjimnazit të Shkodrës, Qemali i kishte thënë kolegut të tij, Kolë Prela: “Shpejt do ta kena radhën na!” Edhe kësaj here, kishte pasur të drejtë.

Verën e vitit 1946, Qemal Draçinin e ftojnë në komisionin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës për hartimin e teksteve shkollore. I ngarkojnë antologjinë e letërsisë së klasave të larta. Qemali u zhyt në punë, humbi mes librave, shfletoi mijëra faqe, punoi me orë të tëra për ta përfunduar në kohë maketin. Në Shkodër, në shtator, shpërtheu Lëvizja e Postribës dhe pas saj nisën arrestimet masive. Qemal Draçini, dhe pse veçanërisht i ndjeshëm për çdo zhvillim, normalisht gjatë kësaj kohe, kishte qenë i zënë me përgatitjen e maketit, të cilin arriti ta përfundonte dhe sipas disa dëshmive, ia dorëzoi Dhimitër Shuteriqit. Kur kthehej nga ai takim, atë e arrestojnë në stacionin e autobusave. Familja nuk e pa më kurrë. Në fillim shkuan ta kërkonin pranë komisionit të hartimit të teksteve në Tiranë, por Qemali ishte në birucat e Shkodrës.

Fundi tragjik

Qemali u mbajt në birucë i izoluar për muaj me radhë, kohë gjatë së cilës u torturua. Më pas u mor vesh se ai kishte ndërruar jetë. Trupin ia hodhën dhe familja nuk pati mundësi të mësonte asgjë më shumë. Varianti zyrtar që ekziston edhe në disa dokumente të deklasifikuara ndërkombëtare, është se ka vrarë veten duke prerë damarët, por ky variant është shumë i dyshimtë. Siç thotë edhe djali i motrës së Qemalit, Arben Borshi, në birucat e hetuesisë nuk ka pasur asnjë mjet prerës sepse do të konsiderohej armë, kështu që është e pamundur që Qemali të mund të priste damarat. Arben Borshi, vetëm pak kohë më parë, ka sjellë për kujto.al, një dëshmi sipas së cilës, mjeku Teufik Mborja i caktuar për të firmosur procesverbalin e konstatimit të vdekjes të Qemal Draçinit, nuk është lejuar të hyjë në dhomën ku gjendej trupi i pajetë, por nga dera ka pasur mundësi të shohë barkun e tij të çarë. Këtë, doktor Mborja, ia ka treguar babait të Arbenit.

Ndërkohë, Sami Repishti, në tregimin e tij “Qemali” sjell një dëshmi tjetër për fundin e Qemal Draçinit. Sipas asaj dëshmie, Qemal Draçini ka helmuar veten me DDT, ndërkohë që ndodhej në spitalin e burgut. Këto dy dëshmi mund të përputhen, nëse, pas helmimit, Qemal Draçinit i është bërë një autopsi.

Sami Repishti, për një farë kohe, ka qenë në burgun e hetuesisë me Qemalin, edhe pse nuk mundi ta shohë. E kishte parë për herë të fundit, kur ai po merrej me hartimin e teksteve shkollore, por duke qenë që ky angazhim i zinte shumë kohë, shiheshin rrallë. Rreth një vit më vonë, teksa ishte në birucat e Sigurimit, i dëgjon zërin. “Nji natë, ishte vonë mbas mesnate, më zgjuen thirrjet e Qemalit, zanin e të cilit e dallova menjiherë. Diçka thonte, por nuk e mora vesh. Ndigjojsha vetëm frazën e tij të përsëritun si refren: Nuk ka kuptim, nuk ka kuptim! e përsëri spjegohej. Nji tjetër za i përgjigjej i fortë, i kthjellët e kërcnues: “Shpirtin do ta marr! Intelektuali leshverdhë! Ha! Kështu të quajnë reaksionarët…Unë do të vras me dorën time…si një qen…”, shkruan në librin “Pika loti-tregime burgu”, botim i Pegi-t, Sami Rapishti.

Aty, Repishti mësoi se shoku i tij i studimeve të larta në Firence, ishte arrestuar gjithashtu. Pas ca kohe nuk e dëgjoi më dhe nuk kishte mundësi të dinte ç’ishte bërë me të. Pas 3 muajsh në birucat e hetuesisë, Samiun, bashkë me të arrestuar të tjerë, i izoluan në dhomat e Kuvendit Françeskan, të kthyer në burg, ku të dënuarit rrinin dy e nga tre, të lidhur këmbë e duar me zinxhirë së bashku. Një ditë shtatori të vitit 1947, në birucën e tyre hyn një bujk të cilin e kishin nxjerrë nga spitali i burgut, pasi aty, një nga të dënuarit kishte vrarë veten. Nga rrëfimi i tij, Sami Repishti mëson se bëhej fjalë për Qemal Draçinin. Katundari rrëfente i tronditur atë që kishin përjetuar në spital.

“Ishte i izoluem në nji dhomë të vogël afër tonës e me derë të mbyllun ditë e natë…Lëshonte gjamë vazhdimisht prej dhimbjeve, sa me të këputë shpirtin…edhe natën. Siç duket, nuk flente as natën. Çdo ditë, bashkë me doktorin, vinte edhe nji oficer i Sigurimit, me nji gojë të ndytë-aman o Zot!-, që i binte me shqelma të smurit në shtrat.

…Nji ditë erdhën me nji lloj pluhni bojëhini për pastrimin e morrave që na kishin mbulue. Hynë edhe në dhomën e studentit t’izoluem e, mbasi e mbushën me ilaç, u larguen. Ka qenë paradreke e na ishim të zgjuem e të shtrimë në shtretnit tonë…Besoj të ketë kalue nji orë, derisa ndigjuem zhurmat e para nga dhomat e studentit e, menjiherë mbas kësaj, thirrjet me za të naltë si t’nji t’çmenduni, fjalë që…përsëriteshin:

“Kriminela! Nuk keni çka më bani tashti! Tash e kam vedin në dorë…Asgja! Nuk mund të bani gja! Asgja! Asgja! Kriminela, a ndigjoni? Qemal Draçini po vdes! Kriminela, a ndigjoni?

…Atëherë, pamë rojen që hyni me vrap në dhomën e të smurit, doli përsëri vrullshëm e, pa mbyllë derën e qelisë, u vërsul kah dera e hekurt. Nga dhoma e studentit vijshin tashti të qarta gjamët e dhimbjes  e zhurma që bante shtrati nga lëvizjet e tij papushim. Thirrte nanën, i mjeri, dukej se i kërkonte të falun…mandej shqiptonte emna t’tjerë shpesh me nji za vajtues…pushonte pak…e rifillonte thirrjet e thekshme…Ma vonë nisi të përpiqej, të kollej randë e të vjellte me aq fuqi, saqë u lëkundte shtrati. Fjalët iu paksuen e vijshin ma të përzieme…

Nga jashtë ndigjuem çizmet ushtarake që po afroheshin me vrap e derën që u hap, pamë nji grup oficerësh të Sigurimit që hynë me vrull në dhomën e tij, bashkë me doktorin…Dera kishte mbetë e hapun e ndigjojshmi mirë studentin të cilin i ishin shpeshtue vjelljet.

Doktori e pyette çka kishte ngranë. Oficeri e shante e i binte me shqelma. I smuri villte e nuk flitte. Na ishim ngri nga tmerri. Por kur oficeri i bërtitte: Do të të shëroj e do të të vras me dorën time!”, I smuri ia kthente me za të mbytu: Gjithçka ka marrë fund! Kriminel! Unë do t’vdes! Oficeri tërbohej: Do të shëroj. E përsëritte me inat: Do të vras me dorën time, me dorën time!

(Mes të vjellave)…ndigjojshim vetëm të shamet e oficerit e shqelmat e tij që rrahshin të smurin që po jepte shpirt në shtrat. Rreth kohës së drekës, grahmat e studentit u banë ma të rralla e ma të thekshme. Duket se kishte vështirsi të madhe me marrë frymë. Kur oficerët u larguen nga dhoma, na kuptuem se djaloshi kishte dhanë shpirt.”

Ai djalosh që kishte bërë aq shumë deri në atë moshë dhe që kishte një jetë të tërë përpara dha shpirt i rrahur e i torturuar. Edhe nëse shkaku mjekësor i vdekjes është helmimi me DDT, që  është fshehur nga varianti zyrtar, oficerët e Sigurimit dhe urdhëruesit e tyre, nuk janë më pak përgjegjegjës për vdekjen e tij. Diktatura kishte vendosur ta zhdukte Qemal Draçinin. Ai rrethohej nga vetë drita e tij dhe ky ishte një provokim për atë kohë të errët.