Një familje, 120 vjet burg/ Fotografia e fundit me të gjithë së bashku

0
161

Më pas, do të vinin arrestimet, burgosjet, përndjekjet. Deri në ditën e fundit të diktaturës. Vetëm sepse “guxuen me mendue ndryshe”.

 

Ishte viti 1951. Djali i madh i familjes, Zefi, do të shkonte ushtar. Vendosën të kishin një fotografi familjare si kujtim nga ai moment. Mungonte vetëm djali i vogël, Aleksandri, që do të lindej atë vit. Fotografinë e realizuan te Marubi. “‘Familje e bukur shumë’, tha, kur na rreshtoi, që do të ishte për rrethanat si u suell jeta, fotografia e fundit me të tanë së bashku”, shkruan një nga djemtë e familjes, Kolec Mirash Traboini në librin e tij “Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist”, parathënien e të cilit kujto.al e ka botuar, vite më parë, në periudhën e publikimit të librit nga ISKK.

Kopertina e librit, me autor Kolec Mirash Traboinin, botuar nga ISKK

Koleci është ai që qëndron në të majtë të vajzës së vetme të familjes, Rexhinës. Ndërsa në të djathtë qëndron Gaspëri, apo Gaci, siç e thërrisnin të gjithë. Katër vjet nga ajo foto, Gaci, do të arratisej. Sfida që 15 vjeçari i bëri regjimit, por edhe qëndrimi antikomunist dhe i papërkulur i anëtarëve të tjerë të familjes, do të nxiste hakmarrjen e egër të regjimit komunist. Ata do të provonin njëri pas tjetrit, ndonjëherë edhe në të njëjtën kohë, apo në mënyrë të përsëritur, arrestime, burgime, tortura, pushime nga puna, demaskime, thirrje në hetuesi, presione e provokime që vazhduan deri sa ai regjim u rrëzua. “A po e sheh Kolec që nuk po na lanë me u mbledhë ma shumë se tre meshkuj në shtëpi”, i pat thënë një herë i ati.

Mirash Mirashi (Traboini) dhe bashkëshortja e tij, Lula me origjinë nga Malësia e Hotit, të ardhur në Shkodër në fillim të shekullit XX, u bekuan me 9 fëmijë, nga të cilët 8 djem. Por regjimi komunist nuk do t’i lejonte ta gëzonin jetën të qetë dhe së bashku.

Burgosjet filluan në vitin 1962, kur arrestuan një nga djemtë, Gjovalinin, për një bisedë arratisjeje që ai kishte bërë vite më parë, në moshën e adoleshencës. E dënuan me 20 vjet heqje lirie. Arrestuan fill, edhe të atin, si “mosdenoncues” dhe “përkrahës ndaj veprimit të arratisjes”. E dënuan me 7 vjet burg. Gjatë hetuesisë i kishin birucat afër. Gjovalini do i duronte torturat pa bëzajtur që mos ta dëgjonte i ati. E ndërsa ata ishin në burg, do të dënohej edhe Zefi për letërkëmbimin që kish pasur me një të dënuar politik.

Valentini, kur ishte 30 vjeç, ishte dënuar tri herë. Edhe Kolec Traboini u dënua me 7 vjet heqje lirie. Pastaj edhe Aleksandri. Ndërkohë, u burgos edhe Mondi, djali i motrës së tyre, e cila gjithashtu ishte martuar me një ish-të dënuar politik. Arsyet ishin gjithmonë politike, siç ishte rasti i tentativave për arratisje të Valentinit, por edhe sajesa të hapura të Sigurimit, që ishte i vendosur të mos e linte të qetë familjen Traboini.

Në "Listën e zezë të vdekjes" që Sigurimi i Shtetit kishte përpiluar në fillim të vitit 1991, ndër 181 qytetarë shkodranë që do të arrestoheshin, në rast të ndërrrimit të pushtetit, figurojnë edhe tre vëllezër të shtëpisë Traboini (Tonini, Aleksandri dhe Gjovalini) si dhe burri i motrës, me vëllezërit e tij.

E ndërsa pjesa më e madhe e djemve provoi burgun, ata që mbetën jashtë, si dhe nëna dhe motra, veç dhimbjeve shpirtërore, provokimeve dhe presionit, përballuan edhe punët e rënda, me anë të të cilave siguronin jetesën e djemve dhe vëllezërve nëpër burgje. Nënë Lula, do të punonte në NSHN, ndërsa motra, Rexhina, në Fermentim, te dëngjet e duhanit, për të vuajtur më pas, pasojat në shëndet.

Ndihmat e familjes për Valentinin që ndodhej në burg, në prag të Vitit të Ri

Kolec Traboini shkruan se burrat e kësaj familjeje, të gjithë së bashku, u dënuan me 120 vite burg gjatë diktaturës. Dhe ky, siç vë në dukje dhe shkruesi i parathënies së librit, Agron Tufa, është një rast i rrallë sepse Traboinit nuk ishin një familje e angazhuar politikisht me Ballin apo Legalitetin, por një familje e zakonshme qytetare. Por që dinjitetin dhe dëshirën për liri e pagoi shumë shtrenjtë.

 

Skeda e dënimeve të anëtarëve të familjes Traboini

Mirash Traboini

Babai i familjes. U arrestua në sy të fëmijëve, në shtëpinë e tij, pas arrestimit të njërit prej djemve, Gjovalinit, në vitin 1962.

Gjovalin Traboini

Gjovalin Traboini, një vit para arrestimit, 1961

U dënua me 20 vjet burg për tentativë arratisjeje. Vuajti në disa burgje të Shqipërisë. Tejet i talentuar në gdhendjen e drurit, ai nuk pati mundësinë ta kthente në profesion këtë talent, pasi për të ishin rezervuar vetëm punë të rënda dhe burgje.

Zef Traboni

U arrestua gjatë kohës që ishin në burg, i ati dhe i vëllai, Gjovalini dhe u dënua me 2 vjet heqje lirie për letërkëmbimin që kishte me një të burgosur politik dhe përmbajtjen e atyre letrave.

Kolec Traboini

Kolec Traboini, në prag të arrestimit, 1970

Arriti të punonte në zanatin e rrobaqepësit, por gjatë gjithë kohës u survejua deri sa u arrestua në vitin 1970. U dënua me 6 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe vuajti në burgun e Spaçit.

Valentin Traboini

Valentin Traboini me të birin, një natë para se të arratisej dhe më pas, të dënohej për herë të tretë, 1979.

U dënua tri herë. Vuajti rreth 19 vite burg. Herën e tretë në Spaç e Burrel. U lirua në vitin 1990. Fatkeqësisht, u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti, në ditët e para të shkurtit 1991, pak kohë pasi ishte liruar nga burgu.

Aleksandër Traboini

Aleksandër Traboini
Aleksandër Traboini, foto nga dosja. I torturuar pas arrestimit, 1988.

U arrestua në vitin 1988 me një akuzë të sajuar sikur kishte sharë Ramiz Alinë. Për një kohë të shkurtër ishte në burgun e Burrelit njëkohësisht me vëllanë, Valentinin. Humbi jetën si pasojë e një aksidenti në fund të marsit 1992.

Shënim: Të dhënat dhe fotot janë marrë nga libri “Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist”, me autor Kolec Mirash Traboini, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020.

S'KA KOMENTE