Përfshirja e komunistëve Jugosllavë: "Bashkë me shokët Jugosllavë të Çetinës kemi vendosur që më datën 20, të Martën të mbledhim popullin e Hotit e të Grudës në Tuz për t’folur së bashku përpara se të fillojnë operacionet prej forcave Jugosllave".
Me 18 shkurt 1945, komunistët kishin arritur të bënin një pjesë të madhe spastrimesh në veri të vendit. Sipas nëj plani të mirëmenduar operacional ushtria e udhëhequr nga mehmet Shehu pasi kishte vënë nën fre Shkodrën kishte nisur operacionin për të depërtuar në malësi ku kundërshtarët kishin zënë pika strategjike dhe nuk lëshonin terren. Në dokumentacionin e ngjeshur të kësaj periudhe mes raporteve e telegramëve të shumta gjendet edhe ky raport i hartuar nga Mehmet Shehu. Edhe pse nuk është nënshkruar prej tij në fund detajet që ai përshkruan në raport e zbulojnë lehtësisht autorësinë e këtij dokumenti, i cili ofron një prej tablove më të qarta të raprezaljeve që po kryenin komunistët ndaj popullsisë së veriut të Shqipërisë për ta vënë me dhunë nën regjimin e egër komunist.
kujto.al e sjell të plotë këtë raport të Mehmet Shehut së bashku me faksimilet e dokumentit.
18 shkurt 1945
Të dashur shokë,
Qysh kurse ardha në Tiranë e deri më sot, gjendja në përgjithësi, si ushtarkisht ashtu edhe politikisht është zhvilluar në favorin t’onë.
Siç u shpjegonim dhe në raportin e mëparshëm, mbas qytetit të Shkodrës na prokupojti me nji herë asgjësimi i rezistencës armike në Kelmend. Për këtë qëllim u nisën 9 Batalione të cilët do të godisnin që të gjithë njëherëshi nga 4 drejtime të ndryshmme, me datën 5 shkurt. Këtyre Batalionëve është dashur të kalojnë nëpër qafa e shtigje të mbuluara rëndë me dëborë, në naltësina gati të pashkelshëme prej 1800 deri 2000 metra lartësi. Bile 2 Batalionëve të Brigadës 24 u është dashur të rrëshqisnin në 1500 metra thellësi mbi mbi borën e ngrirë për të zbritur befas në katundet reaksionare. Ndërmarrja ka qenë me të vërtetë shumë e vështrë nga natyra e tokës nga bora e madhe. Të githë Batalionet që muar pjesë meritojnë lavdërime pse të gjithë këto vështirësi i kanë kapërcyer me bindje e disiplinë dhe në vend që të demoralizoheshin nga vuajtjet e tepërta, në të të kundërt moral i tyre qëndron shumë lart. Plani i veprimit qe mjaft mirë i kordinuar porse zbatimi i tij nuk qe plotë mbasi të tre Batalionet që manovruan prej Tuzi në Vermosh vonuan dhe dy ditë më tepër nga çu ish caktuar për arsye të borës së madhe. Duke goditur këta tre Batalioneme më datën 7 dhe jo më datën 5 siç ishte caktuar, nja 40 çetnikë nga Plava e Gusinja që muar pjesë në luftë kundër forcave të tjera, mundën të kapërxenin nga sektori i këtyre 3 Batalioneve prapë në Plavë e Guci. Rezistenca e armikut u asgjësua mbas një luftimi far të shkurtër. Prenk Cali me nja 40 besnikë të tjerë u mbyll në një shpellë shumë të rrezikshme në shkrepat e Vuklit. Forcat t’ona hynë në të gjithë katundet ku nuk gjetën as një burrë në shtëpijat: të gjithë ishin mshefun shpellavet. Në thirrjen e arë për t’u kthyer nëpër shtëpia nuk dëgjohi asnji prej tyre të ktheheshe perse kur këta panë se forcat t’ona u vunë zjarrin 4-5 shtëpive në Vukël fillunë të dorëzoheshin dhe tash e shumta e popullsisë është kthyrë e gjitha nëpër shtëpija. Prenk Cali largoj nga shpella të gjithë të tjerët dhe mbajti vetëm 14 besnikë të tij. U kontrolluan të gjitha shpellat dhe nëpër’to u gjetën shumë katundarë të mshefur nga frika. Shepella ku ndodhej Prenk Cali u sulmua dhe Prenk Cali i bënë thirrje të njëpasnjëshme për dorëzim. Ai nuk dëgjonte të dorëzohesh dhe biles në luftën e shpellës na vrau një mitraljer dhe plagosi 3 partizanë të tjerë. Më në fund forcat t’ona sulmaun befas natën dhe muarn barikadën e parë të shpellës madhështore që u qëndronte si një kala e paprekshme me një lartësi të madhe. Pasi u muar barikada e parë dhe Prenk Calit iu prenë të gjitha shpresat, dërguam priftin e Vuklit, për t’a bindur që të dorëzohej. Më në funt më datën 15 n’ora 2 mbas mesdite Prenk Cali u dorëzua me të gjith besnikët e tij e tash ndodhet këtu në burg. Kur u futëm në Shkodër, populli demostroj kundër tij dhe Rinija u grumbullua rreth rojevet duke bërtitur gjatë gjith rrugës “Hakmarrje”. Tashti reaksioni në Kelmend mund të themi se është asgjësuar si forcë e organizuar. Në të gjithë Kelmendin janë djegur rreth 30 shtëpi, janë mbledhur rreth 200 pushkë dhe vazhdojnë të mblidhen akoma. Selca ka dhënë 40 partizanë, Vukli po mobilizohet, gjith’ashtu dhe katunde të tjera. Partizanët t’anë kur gjetën kufomat e shokëve të masakruar barbarisht dhe kufomat e tyre të lëna mbi borë dhe q’i i kishin ngrënë qent e bishët e egra, u revoltuan dhe dogjën një lagje të gjithë të Rahovicës. Ky gabim u vu në dukje dhe nuk është përsëritur më. Shtëpitë që janë djegur, janë caktuar nga Shtabet. Në të gjitha përpjekjet gjatë gjithë operacionit deri tash, në të gjitha ato katunde janë vrarë në luftime dhe pushkatuar legalisht dhe ilegalisht, rreth 50 personave. Listën ekzakte të shtëpive që janë djegur dhe persoanave të vrarë do t’ja u dërgojmë më vonë. Janë bërë rekuizime dhe konfiskime ndër të gjithë personat kryesorë. Shpella e Prenk Calit u asgjësua nga Batalioni IV-të i Brigadës 23; më vonë do të dërgojmë emrat e kuadrëve dhe Partizanëve të këtij Batalioni që meritojnë dekorime për heroizmat e tyre.
Me t’u shkelur të gjithë katundet e Kelmendit, tërhoqëm me nji herë të dy Batalionet e Brigadës 24-të për në Dukagjin dhe Brigada I-rë e 23-të, vazhduan spastrimin e terenit.
Operacionet kanë vazhduar dhe në sektorë të tjerë, në një stil më të vogël. Dy Batalione të Brigadës së IV-të, kanë ç’armatosur trikëndëshin që përfshihet nga Buna dhe Drini. Brigada XVII-të ka operuar në Mirditë.
Prej datës 15 Brigada e 24-të dhe Brigada e XI-të kanë filluar operacionet në stil të gjerë në Dukagjin (Shalë dhe Shllak) nën komandën e Dreko Rinës. Nji Batalion i Brigadës së I-rë u la në Kelmend për të vazhduar spastrimin, ç’armatimin, mobilizimin dhe organizimin bashkë me Komandën e vendit për q’u krijua me partizanë jo Kelmendas në Vulël ndërsa 4 Batalione të Brigadës I-të, nën Komandën e Ferit Radovickës nesër fillojnë operacionin rrënjësor Hot Kastrat Shkrel Rioll Postripë. Mbasi Hasan Isufi është diktuar me siguri në Trush dy ditë më parë, dërguam 3 Batalione të Brigadës së IV-të ndënë Komandën direkte të Komisairit divizionit të IV-të për të bërë ndjekjet e duhura. Nja Batalion i Brigadës së IV-të është dërguar në Pukë për të bërë operacion atje dhe mbasi të mbarojmë punë me Hasan Isufin e Zonën e tij, e gjith Brigada e IV-të do të veproj për të kryer operacionin në Nënprefekturën e Pukës.
Brigade e XVII-të (bashkë me të është dhe Komandanti i DivizionitVIII-të[)], operon në Mirditë ku ka filluar ç’armatimin e mobilizimin organizimin dhe ndjekjen. Pardje në Mirditë u pushkatuan 6 strehuesa të kriminelëvet. Në Mat e Dibër operon Brigada e XXVII-të ndërsa e XVIII-ta operon pjesërisht në Lumë dhe pjesërisht në Fant të Mirditës. Krahina në Veri të Drinit (Krumë Tropojë Has, Nikaj Mertur Krasniq) nuk është shkelur akoma nga forcat t’ona por se edhe ato do të shkelen prej Brigadës 24 e XI-të të cilat do të lëvizin në atë drejtim me të mbaruar operacioni në Dukagjin.
Operacioni është kryer edhe në Sheldi, Vukatan, Gur i Zi, Rogan, Bardhaj, Kuç e rrethe, gjithashtu dhe në rrethet e Leshit. Parashikohet që ky operacion i gjerë të marë funt në të gjithë Prefekturën e Shkodërs aty nga fund i Marsit. Brenda kësaj kohe besoj se operacioni do të munt të kryhet edhe në Malsin e Gjakovës e në gjithë prefekturën e kukësit.
N’operacionet e përpjesëshme që janë bërë deri tash rrethet e Shkodrës kemi grumbulluar rreth 1000 pushkësh e disa mitroloza. Shumë veta janë arrestu në lidhje me turbullimet e fundit dhe së shpejti do t’u paraqesim vendimet e gjyqit për aprovim.
Llesh Marashi nuk dihet me siguri se ku është porse ka të ngjarë që të jetë bashkuar me Gjon Marka Gjonin që manovron me disa persona sa për të ruajtur kokën e tija atu nga Bulgri i Mirëditës ku në këta kohët e fundit është vërrtetuar se i biri i tij bashkë me Prenk Previzin kana bërë një mbledhje në të cilën nuk dijmë se ç’është biseduar. Kol Biba sillet në rrethin e Pukës. Muharem Bajaraktari nuk ndihet më dhe nuk lëviz fare. Thuhet se mund të jetë në shtëpinë e Cen Elezit dhe jemi duke hetuar më imtë në këtë drejtim. Hysni Dema dhe Fiqri Dinja një javë të kaluar kanë fjetur me siguri në Luznije të Peshkopisë porse gjurmët e yre të sigurta akoma nuk janë zbuluar.
Në të gjitha krahinat parullat kanë qenë gadi të njëllojtë: “Sa të dalë gjethi (q’është parulla kryesore) ndihet si në Koplik ashtu dhe në Dukagjin, si në Pukë ashtu dhe në Mirditë; “Qeverija s’është në gjendje me ushqye vehten e jo me ndihmue neve”, “kjo qeveri i ka ditët e shkurtarë se do të ndërhyjenë inglezat” etj. kësisoji. Nga përhapja e parullavet kuptohet se burimi i tyre ka qenë i njëjtë. Tash këto parulla janë zhdukur në Koplik, Dukagjin, Qandër, Lesh porse ndihem akoma disi në Mirditë dhe mjaft në Pukë. Ilegalë të arratisur ka mjaft në të gjitha Nënprefekturat porse në këto kohët e fundit kanë filluar të dorëzohen, sidomos në Koplik, Postëripë e Dukagjin.
Masat e rrepta ushtarake që janë marë kudo që ka shkelur ushtërija e jonë e kanë tmeruar me tërë kuptimin e fjalës reaksionin. Në përgjithësi munt të themi se Prefekturën e Shkodërs e kemi okupuar ushtarakisht, porse duket edhe rezultati politik i këtyre masave. Reaksioni nuk është më i organizuar, gadi të gjitha ndërlidhjet janë coptuar me forcë, ka filluar të përçahet dhe tek tuk të kapitullojë. Bajraktari i Rapçit të Sipërmë nuk ka dëgjuar thirjet e Prenk Calit për bashkim kundra nesh dhe bile ka ndihmuar me armë në dorë për të shpëtuar forcat t’ona që ndodheshin në rezik asgjësimi në luftimin e parë në Brojë. Bajrakatari i Hotit ka qëndruar, në fillim pak si indiferent, e tash së fundi na ka përkrahur mjaft. Vermoshi jo vetëm që s’ka dëgjuar të bashkohet me Preng Calin por në të kundërtën ka bërë mbledhje ka zgjedhur Këshillin e vet, ka organizuar Komandën e Vendit, ka kërcënuar Preng Calin duke i thënë se në rast se luftohet në Vermosh neve do të godisim, ka mbajtur një Kompaninë t’onë të çkëptur në luftimet e para, ka ndihmuar forcat t’ona mjaft mirë në opreacionin e fundit, ka dorëzuar armët pa kundërshtim dhe po mobilizohet. Kastrati e Shkrelit mbajnë qëndrim reaksionar sa do që edhe ay tek tuk ka elementa që na kanë ndihmuar. Postëriba ka qëndruar më mirë nga të gjith të tjerët, populli është mbledhur i gjithë dhe është betuar pë ndërhyrjen t’ona që të mos pranojë ilegalë, ka grumbulluar të gjith dezertorët nga Ushtrija dhe na i ka dorëzuar; Myrto Dani, Bajrakatari i Drishtit të PostëRibës ka ardhur dhe na është dorëzuar me 7 ilegalë të tjerë të cilët kanë qënë aktivë kundër nesh në kohën e fashizmit.
Mazreku mban Jup Kazasin porse dhe këtu kanë filluar të na dorëzohen elementa. Bajraktari i Shalës dhe ay i Shoshit kanë kërkuar të dorëzohen. Kjo ka rrjedhur si konseguencë jo vetëm nga frika por dhe nga edhe nga qëndrimi ynë karshi Myrto Danit të cilit kur kërkoj të dorëzohesh ju përgjigjëm kështu: “Të vijë pa frikë e të bisedojë me ne, mbas bisedimeve që do të kemi, në rast se nuk bindet që të dorëzohet ose t’a quajë vehten të dorëzuar pa-kondita neve e lëmë të lirë dhe e shoqërojmë për në vendin e tij dhe lë të vijë ahere të na luftojë se neve për të për luftë kemi ardhur, me të gjithë ata që na luftojnë”. Një përgjigje e këtillë ka lënë përshtypje në të gjithë ilegalët dhe e quajnë si një përgjigje burnore dhe në bazë të traditave dhe të Besës së Malit. Sidomos mbasi Myrto Dani erdhi e udorëzua pa kondita , dha Besën dha dy djem n’ushtëri e u la i lirë, shumë të tjerë kanë filluar të dorëzohen. Ata që janë dorëzuar nuk janë elementë të dorës së parë që të meritojnë të mbahen në burg dhe nuk kanë lidhje me turbullimet e fundit. Sigurisht që të gjithë këtyre u kemi thënë që duhen të paraqiten kurdoherë që pushteti t’i kërkojë, dhe në një provë që kemi bërë pardje, të gjith u paraqitën kur u kërkuan sa do që kishin qënë lënë të lirë prej nesh mbas dorëzimit të tyre.
Në grumbullimet e fundit implikohet vetëm Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Rjolli, Guri i Zi, Trikëndëshi dhe Leshi. Postriba dhe Dukagjini nuk janë përzjerë aspak sa do që aty kanë qarkulluar elemntë dhe parulla reaksionare.
Në Dukagjin qendra e reaksionit është Dushmani dhe Nikaj Merturi ku qarkullon Nik Sokoli, Bajraktari i atjeshëm. Akoma nuk ka kenë ardhur lajmet për dorëzimin e Bajraktarëvet të Shalës e Shoshit, por unë jamë optimist për këtë çështje. Nga Katundi Gimaj i Shalës na janë dorëzuar pakondita 4 reaksionarë të cilët mbasi na dhanë besën dhe i lamë të lirë dy prej tyre q’ishin të rinj u hodhë vullnetarisht në ushtëri. Në Dukagjin më mirë nga të gjithë qëndron Okoli e Thethi në përgjithësi të cilët munt të themi, se janë plotësisht me neve.
Edhe Reçi i Koplikut është mjaft i lidhur me neve mbasi ky katund edhe është përgjakur me armikun (fashizmin). Puka nuk është në kontrollin t’onë akoma, sepse tash porsa kemi shkuar me forca. Vetëm një gjë duhet të dimë se Puka qëndrimin e vet e mer kurdoherë bashkë me Dukagjinin. Kjo rrjedh nga që në Lëvizjen 1926 këto dy krahina kanë qenë të bashkruara dhe kanë besim në besën e njëri tjetrit, ndërsa me Mirditën kanë një farë kontradikteje mbasi Mirdita n’atë kohë i tradhtoj. Edhe në luftimet kundër nesh Dukagjin e Pukë kanë ecur kundoherë krahash. Operacioni që po bëhet në Dukagjin po prodhon efektin e tij dhe në Pukë.
Sa do që Trikëndëshi është goditur mjaft rëndë dhe populli ka filluar të kuptojë forcën t’onë të paktën, prap se prap ky trikëndësh mbetet zonë reaksionare akoma përveç barbullushit; Trushi është qendra kryesore e reaksionit në këtë sektor e Malkolaj vjen pas tij. Leshi nuk qëndron keq dhe Zadrima qëndron gadi si Postriba. Mirdita është trguar krejt e çkëputur nga turbullimet e fundit, populli i ka pritur mirë partizanët. Shënpali, Selita dhe Kthjella qëndrojnë më mirë nga krahinat e tjera të Mirditës. Arrësi dhe Bulgri paraqiten kurdoherë si çerdhja e reaksionit n’atë sektor. Luma është mjaft e lidhur me ne ndërsa Malësija e Gjakovës, sidomos Lumi i Gashit është reaksionar. Në Malsin e Gjakovës më mirë nga të gjitha qëndron Krasniqa.
Më datën 9 patëm një mbledhje me të gjithë Komisarët e Retheve duke lënë nga një Komandë vendi për ç’do Komunë me Partizanët më besnikë dhe duke krijuar nga një Kompani shëtitëse në ç’do Nënprefekturë. Ky veprim është duke u kryer në të gjithë nënprefekturat dhe tepërica e partizanve të vendit është duke u inkuadruar në ushtëri, bile u kemi dërguar për aty 160 partizanë të vendit të Shkodrës mbasi Komandat e Vendit në qytet i syprimuam; së shpejti do t’u dërgojmë dhe nji Batalion tjetër me partizanë të vendit. Të gjitha këshillat po riformohen duke hequr elementat e dyshimtë dhe dyke vënë elementat të rinj.
Në ç’do Nënprefekturë kemi dërguar nga 15 partizanë të vjetër nga një Komandant Kompanije nga të Brigadavet dhe nga një Komisa Kompanije për Kompanit shëtitëse. Munt të themi me siguri se mbas këtij operacioni, Komandat e Vendit dhe Kompanit shëtitëse do të jenë në gjendje t’a kontrollojnë situatën mbasi spastrimi dhe organizmi i tyre po bëhet rënjësisht. Bile qysh tash duket aktiviteti i Komandave të vendit të rifomuara të cilat po bëjnë arestime dhe ç’armatime në sektorët e tyre dhe pregatisin terenin për forcat t’ona operonjëse. Në të gjitha Nënprefekturat janë dërguar edhe shokë të Rinis për punë të Rinisë dhe për të ndihmuar Komisarët e retheve dhe të Kompanive shëtitëse n’agjitacion në popull. Në të gjitha katundet ku shkelin forcat t’ona po bëhen konferenca politike dhe zgjedhje të reja për Këshilla. Për disa Komandantë Vendi, për të cilët kemi garanci në bazë t’aktivitetit të tyre, do të propozojmë gradimin e tyre për t’i inkurajuar në detyrë dhe për t’u dhënë autoritetin e duhur.
Në përgjithësi Prefektura e Shkodrës e ka ndjerë grushtin e forcave t’ona me plot kuptimin e fjalës. Tashti puna është për t’i dhënë skjarime popullit. Kjo gjë po kryhet, pjesërisht nga Komisarët e forcave operuese dhe pjesërisht nga Komisarët e retheve porse kuadrot e krahinavet nuk janë akoma në lartëzinë e duhur për të kontrolluar gjendjen politikisht. Tash që neve ushtarakisht e kemi situatën në dorë, po kryhet çarmatimi dhe mobilizimi, problemi politik është i dorës së parë. Për ta zgjidhur këtë problem, nuk mjaftojnë vetëm konfrencat e Komisarëve t’ona oselidhja burokratike e Komisarëve të Rethit me Popullin, porse duhet q’organizata e Partisë t’a shtrojë këtë si problemin më kryesor. Unë nuk munt të them shumë për organizatën e Partisë porse së largëti ashtu siç e shoh unë, shokët që janë këtu nuk janë gjendje që të përballojnë detyrat e rënda që u parashtron situata e Shkodrës. Të gjithë shokët e Qarkorit janë mjaft të zellshëm kanë vullnet për punë, punojnë porse nuk dijnë të punojnë. Këtu duhet një kokë e organizatës, gjithashtu edhe shokë të tjerë që të bashkëpunojnë bashkë me shokët që janë tashg këtu. Do ish sikur Zijaj të meresh gati egzluzivisht me punën e pushtetit. Riza Dani është kurdoherë Riza Dani. Unë i kam rënë pak kokës duke i folur troç porse ai me parllamentarizamt e tija dridhet e përdridhet dhe është mjaft zor të kontrollohet. I vetmi element që munt t’a kontrollojë, bile dhe të balancojë influencën e tija është Zijaj. Nuk e dij çmejtoni ju për Riza Danin porse mua më duket se do ish mirë sikur ai të flitesh prej jush të bisedoni haptaz me të e pastaj të këthehet prapë këtu në detyrë duke i lënë mbi kokë dhe mbas shpine Zijanë, sepse po të flitet aty dhe të mbahet pranë Kryesisë së Këshillit këtij do t’i ritet mendja dhe problemit do t’i nxiren sytë në vent që t’i vihen vetulla. Pakënaqësitë e tija karshi Ushtrisë janë të dukëshme.
Cështja e Ramadan Reçit, na preokupon. Puna e tij është shtruar gabimisht. I influencuar nga Shefqeti, unë u rëmbeva e dhashë urdhër t’arestohesh në vënt që të hetonim mirë mbi të më praë se t’arestohesh. Fakte konkrete mbi të nuk kemi porse dyshojmë mjaft. Në qoftë se do ta lirojmë është e pamundur që ai të mos veprojë kundër nesh, sidomos tashti që u arestua; t’a internojmë do të jetë pak si akt violence e pamatur që munt të lerë përshtypje në të tjerët. Do ish mirë të na tregonit mentimin t’uaj mbi këtë punë. Nuk do ish mirë sikur ay të transferohesh me punë?
Kleri e ka ndjerë rëndë grushtin që po i jepet. Kur e folmë arkipeshkvin që të vinte të bisedonte, ai nuk rezistoj aspak porse erdhi me përulje e hipokrizi. Unë bisedova gjerë e gjatë me të. Mbas një orë e gjysmë bisedë me të ai premtoj se do t’u bënte një Qarkorje të gjith Priftërinjve për të qëndruar brenda rrugës së fesë dhe proqeverisë. Premtoj gjithashtu se do të vij të shihet me ju për t’ju uruar fitoren. Delegati apostolik ka ardhur dy herë pa u thirrur për të biseduar dhe jemi shpjeguar me të. Gjithashtu dhe Provinciali i Françeskanëvet ka ardhur dy herë pa u thirrur. Kleri thotë: “Kemi qenë kundër jush dhe kemi punuar kundër jush sepse nuk dinim cilët ishit; ishim të bindur se do t t’ishit shkatëruesit e fesë; tash e shohim të vëretën, nuk kemi asnjë ankim, në të kundërtën ju falenderojmë për konsideracionin që kini karshi fesë në përgjithësi e karshi nesh veçanërisht. Neve jemi jashtë dhe mbi ç’do politikë; jemi pro-çdo Qeverie Shqiptare; dhe ju sigurijmë se nga Kleri këtej e tutje jo vetëm që skini për të pasur pengesa porse kini për të pasur të gjitha përkrahjen t’ona brenda rrugës fetare. Janë shumë të tronditur dhe të preokupuar për Dom Llazarin dhe 4 priftërinjtë e tjerë që janë në burg. Kanë kërkuar që të bëjnë një lutje Qeverisë për t’i falur jetën Dom Llazarit dhe besoj se kur të vijë arkipeshkvi aty do t’ua parashtrojë këtë problem.
Në bisedimet që kam patur me këta, u siguroj se jam sjellë mjaft butë dhe atyre u ka bërë përshtypje; këtë e kanë treguar kudo. Dje shkova për vizitë tek Arkipeshkivi dhe 6 priftërinj erdhën në çfaqen e Dramës “Bujtina e të Vurfunvet” q’u bë nga Rinia e Shkodrës. Kemi filluar të hyjmë e të dalim me priftërinjt. U kemi thënë se neve do të dëshirojshim t’azistonim me ndonjë ceremoni fetare kur të jetë rasti gjë e cila u ka bërë mjaft përshtypje. Ata na afrohen nga frika dhe nga interesi se duan të shpëtojnë ata që kanë burg dhe mundohen që të mos t’ashpërojnë punën me neve. Përveç Dom Llazarit, Gjyqi ka dënuar dhe dy Priftërinj të tjerë me vdekje, Dom Ndre Zadrejën dhe Priftin e Berishës (Pukë). Këta munt edhe të pushkatohen sepse fajet e tyre janë fakte konkrete në lidhje me turbullimet e fundit, porse çështja e Dom Michel Koliqit q’është në burg dhe që ka qenë organizator i Shoqërisë “Antoniane” duhet shikuar mirë. Nga ana tjetër nuk kemi fakte të rënda mbi të, d.m.th që ky do të lirohet ose do t’internohet. Në qoftë se do t’a informojmë sigurisht që i heqim një kuadër të mirë klerit dhe do të mundim t’a likujdojmë Rininë Katolike më lehtë; porse po të jetë se e lëshojmë Dom Mikelin munt të kemi rezultate të tjera politikë më pozitive. Ckatërimi i Shoqërisë Antoniane mvaret më tepër nga aktiviteti i B.R.A.SH –it sesa nga masat Policore t’Ushtërisë.
Akipeshkivi mund të vijë në Tiranë nga fillimi javës tjetër.
Pushteti në përgjithësi këtu në qendër është “atere”. Duhet ndonjë shok i oragnizatës që të meret vetëm me pushtet, dhe këtë munt t’a bënte Zijaj, porse kjo lidhet me problemin që shpjeguam më lart.
Një farë hovi shihet në masën e Rinis. Porse dhe Rinia do akoma element të tjerë që të importohen nga krahina të tjera.
Kemi folur Bajraktarët e Leshit që të vijnë të bisedojnë këtu. Pastaj mejtojmë t’i dërgojmë aty, për t’u takuar me ju. Kam biseduar me disa Bajraktarë të tjerë (PostRibë, Hot e Kastrat) që t’i dërgojmë për t’u takuar me ju dhe të gjithë janë dakort, porse presim dorëzimin e Bajraktarëve të Dukagjinit që t’i dërgojmë të gjithë së bashku. Do të jetë në akt i mirë politik.
Në luftimet e Kelmendit u vra Bajraktari i Nikshit dhe i vëllaj i tij si edhe Bjaraktari i Vulklit dhe i biri i tij. Dy djem të këtij të fundit i kemi n’ushtri dhe njëri prej tyre, 14 vjeç, qe ai që na tregoi shpellën e Prenk Calit. Këtë do t’a dërgojmë në Shkollë dhe besojmë se do të marim dhe djem të tjerë të Bajraktarëve për t’i dërguar në shkollë.
Në diferencimin që mund të bëjmë në rradhët e reaksionit, po u lëmë edhe pushkat disa elementëve që e meritojnë.
Pardje liruam 61 veta të cilët nuk kishin fakte. 40 të tjerë janë në listën e internimit. Gjyqi po vazhdon dhe së shpejti do t’i komunikojmë vendimet për aprovim. Prenk Calin e kemi në proces me të gjithë besnikët e tij. Do t’i marim menjëherë në Gjyq. Përshpritet andej këndej perse neve nuk u japim të drejtën e mbrojtjes me anë të një avokati të gjithë atyre që dënohen. Në rast se ju e gjeni me vënt që t’ua lejojmë këtë të drejtë na njoftoni, porse unë jam i mejtimit që të vazhdojmë siç kemi vazhduar sepse kjo është një gjendje e veçantë.
Bashkë me shokët Jugosllavë të Çetinës kemi vendosur që më datën 20, të Martën të mbledhim popullin e Hotit e të Grudës në Tuz për t’folur së bashku përpara se të fillojnë operacionet prej forcave Jugosllave. Në Tuz do të shkoj vetë dhe do të bisedoj me shokët Jugosllav përpara se të flasëm. Besoj se munt të harrijmë në një marëveshje për t’a regulluar punën e Hotit e të Grudës duke i mobilizuar e duke i dërguar në Divizionin e VI-të e të V-të në Vishgrad.
Gjendja ekonomike e Mirditës-Pukës dhe Dukagjinit është shumë e keqe, munt të themi e mjerueshme. Po të kishim 1000 kv. miser, ca kripë dhe naft për këto krahina që t’i shpërndanin gratis do t’ishte shumë mirë dhe do të kishim për të pasur një sukses politik. Prefektura e Shkodërs është në gjendje ekonomike të vështirë prandaj Ministrija e Ekonomisë nuk duhet të dërgoj njerës për të mbledhur misër në sektorin t’onë siç ka bërë në kohët e fundit.
Brigadat qëndrojnë mirë moralisht sa do që vuajtjet janë të mëdha gjatë operacionit. Më shumë se 500 dezertorëve na janë dorëzuar brenda 10 ditëve. Shtabi i Korp-Armatës ka filluar të funksionojë, sa do që mungon Komisari dhe N/Komandanti nuk është i përshatëshëm për detyrën që ka. Shtabi i Divizionit të II-të nuk funksiononin siç duhet. Shtabi i Divizionit të VIII-të ka bërë përparime dhe vepron mjaft mirë. Komandanti i Brigadës së Mbrojtjes së Popullit vazhdon të jetë ai që ka qenë: jo i përshtatëshëm për detyrën që ka. Rjeti i infromacionit është ngritur në këmbë dhe ka filluar të punojë sa do që s’ka sistem pune.
Mbas 15-20 ditësh do të mundim të kzermojmë në Shkodër deri në 2000 partizanë. Spitali ushtarak u vendos në një ndërtesë shumë të mirë për Spital i cili nuk ka ndonjë dallim të math nga Spitali Ushtarak i Tiranës. Komunikacionet (urat nuk po bëhen mbasi Kol Veshua që qe dërguar këtu si Inspektor i Xhenjos është mbajtur në Shtabin e Përgjithëshëm dhe Inxhinier Anthim Konomi është sëmurë.
Mbasi të fillojë operacioni dhe të marrë rrugë në Koplik dhe të fillojmë dhe në Pukë nga të gjitha forcat e Brigadës së IV-të atëherë do të vij poshtë dhe munt t’a kontrolloj operacionin edhe prej aty.
Shkodër më 18 Shkurt 1945
v.f l.p
Të fala shoqërore