Dikur erdhi në Shqipëri për të ndjekur atë, dashurinë e saj të madhe. Shumë vite më vonë do të kthehej sërish në Shqipëri, sepse këtu janë eshtrat e tij, që ende është duke i kërkuar
Me kthimin mbrapsht të veprimeve, kinemaja ka konkretizuar një dëshirë të madhe të njerëzimit që në të vërtetë do të jetë gjithmonë e paarritshme për të ngelur thjesht një ushtrim sfilitës i mendjes që rikthehet në të shkuarën, mundohet të kujtojë, të rikrijojë, pa arritur gjithsesi të materializojë gjë. Kështu ndodh dhe me Irina Sallakun, rusen e martuar me inxhinierin nga Tirana e cila i kthehet shpesh me mendje herës së fundit kur e pa bashkëshortin. Ishte mëngjesi i zakonshëm i një dite që nuk do të ishte aspak e zakonshme. Xhaviti jetonte prej një viti në Fier. E kishin transferuar, sipas atyre që thuheshin, pas një mbledhjeje ku i kishin kujtuar dy vëllezërit në burg dhe i kishin kërkuar të ndahej me gruan ruse, kërkesë të cilën nuk e kishte pranuar. Ai në atë kohë drejtonte ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, siç kishte bërë me kombinatin e tekstileve të Beratit, por kur ndërtimi i rafinerisë ishte në përfundim, kryeinxhinierin e transferuan në NSHN-në e Fierit. Xhaviti ishte i martuar prej 20 vitesh me rusen dhe vëllezërit ishin arrestuar që para 10 vitesh, ndaj kjo masë në vitin 1975 nuk mund të justifikohej me këto dy probleme të biografisë, por gjithçka e dinte partia: ajo vendoste dhe të tjerët bindeshin, me dashje ose jo, deri në vendimin më të skajshëm, siç mund të jetë ai i pushkatimit që për Xhavitin u mor në mars 1977. Megjithatë atë mëngjes prilli 1976, Irina nuk e dinte çfarë do të ndodhte me bashkëshortin e saj, njeriun e zemrës, për të cilin kishte lënë mamanë dhe Rusinë; për të cilin, nuk e kishte menduar për asnjë çast kthimin në atdhe në vitin 1960 kur u prishën marrëdhëniet mes dy shteteve; të cilin, tashmë që vajzat i kishin në universitet, e kishte ndjekur në Fier, pas vitesh të tëra që kishin qenë larg për shkak të detyrave të tij sa në një qytet në tjetrin. Kishin shkëmbyer shtëpitë me një familje që transferohej nga Fieri në Tiranë dhe ajo kishte gjetur një vend pune në komunale, në lagjen Kastriot të qytetit. 40 e ca vjeçarët po jetonin vetëm të dy, ndoshta për herë të parë që kur ishin njohur verën e vitit 1950 në një kamp veror studentësh në Rusi.
Pas martesës atje, Xhaviti, me të mbaruar studimet ishte kthyer në Shqipëri, ku Irina erdhi ca kohë më vonë, së bashku me binjaket 5 muajshe që i kishin lindur në Shën Petërburg. Do të jetonte në një shtëpi me 13 veta, në familjen e madhe të Xhavitit dhe më pas në shtëpinë e tyre në Tiranën e Re, por në vitin 1965, Xhaviti shkoi në Berat dhe për 10 vjet do të ishte më shumë larg sesa afër. Viti 1975, megjithëse kishte hijen e rëndë të një transferimi të çuditshëm, ishte edhe një kohë kur ata më në fund po jetonin bashkë dhe ai mëngjes, ishte njëri prej atyre mëngjeseve të javës, kur Irina dilte më herët për në punë dhe e linte Xhavitin në shtëpi. Kur ishin përshëndetur ai ishte duke larë dhëmbët. Një skenë e zakonshme, një imazh i rrëshqitshëm, ku nuk kishte asnjë arsye për t’u ndalur, një mbyllje dere duke mos menduar për atë që lihej pas...Kështu ishte për Irinën. Ajo nuk e dinte që ajo skenë nuk do përsëritej më kurrë, që ai imazh ishte i fundit që do të kishte prej bashkëshortit, që atë që la pas derës, nuk do ta gjente më aty dhe askund tjetër. Ndaj i kthehet asaj skene dhe ajo skenë i kthehet asaj pa mundur të jetë asgjë tjetër vetëm një imazh i paprekshëm, që dhemb.
E ftuar në vitin 2009, bashkë me dy vajzat binjake, Verën dhe Elenën, në programin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços, në TV Klan, Irina ka treguar për këtë herë të fundit kur e pa Xhavitin, duke mos i përmbajtur dot emocionet edhe pse kishin kaluar mbi 30 vjet nga ajo ditë sepse ai mëngjes bëhet pika ku mblidhet gjithë malli, të gjitha pengjet, të gjitha pyetjet që jehojnë pa përgjigje si një krahëhapje e munguar në atë çast që tashmë do mbetet gjithmonë pa përqafim. Ajo dhe të bijat kanë treguar gjatë programit historinë që njohin nga arrestimi dhe dënimi i Xhavit Sallakut, e cila përmban shumë mister, ende të pazbardhur. Ato nuk e mësuan kurrë arsyen e arrestimit të Xhavitit, iu përgjigjën vetëm me një “e di partia”; nuk u lejuan kurrë të takonin atë pas arrestimit; morën të njëjtën “e di partia” edhe si shpjegim për dënimin e tij me pushkatim dhe nuk e mësuan kurrë në çfarë date ishte pushkatuar dhe ku ishte varrosur.
“Herën e fundit, kur çova rrobat dhe ushqimet, ai që i pranonte, Bajram quhej, më tha: “Rri një çikë”. Te porta, ne kalonim me radhë, dorëzonim gjërat dhe iknim. Unë prita. Ai tha që gjyqi është bërë dhe u dënua me vdekje dhe këto gjëra mund t’i marrësh mbrapsht. “Për çfarë u dënua?” e pyeta. “E di partia!” “Të rrojë partia”, thashë”. Shkëputja e asaj që ndienin dhe asaj që thoshin njerëzit, mund të arrinte deri këtu. Tashmë Irina do të kthehej në jetën e saj si hije e vetvetes. Një pjesë të mirë të asaj që ajo ishte, e kishin vrarë gjithashtu.
Edhe më vonë, duke kërkuar në dokumente ato nuk kanë mundur të mësojnë asgjë të saktë. Zyrtarisht Xhaviti akuzohet “për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion dhe propagandë kundër Pushtetit Popullor”.
“Kur kam qenë në hetuesi mua më ka mbajtur fort besimi shumë i fortë te burri që ai nuk ka bërë kurrë gjë të keqe. Nuk mund të bënte kurrë keq një njeri i çmendur për punën siç ishte ai kur i caktonin një punë. Edhe pasi u dënua, mua nuk më hiqej nga mendja që ai nuk ka bërë gjë. Po të duash të më varësh mua këtu, unë prapë këtë fjalë do them, atë që e ndiej”, ka thënë Irina në programin “Histori me zhurmues”. Xhaviti nuk ishte as nga ata që fliste kundër pushtetit. Ai, bashkëshortja, vajzat e tij, kishin qëndruar gjithmonë brenda kornizave, për të mos i dhënë askujt shkas për t’i parë me dyshim, por as kjo nuk do ta ndihmonte. “Zemra ka arsyet e saj që arsyeja nuk i njeh”, ka thënë Blaise Pascal. Në Shqipëri, për thuajse 50 vjet, në vend të zemrës ishte partia. Dhe shteti nën drejtimin e kësaj partie, ka pasur arsyet e veta, për të mos e dokumentuar pushkatimin e Xhavit Sallakut. Familja ende nuk di datën e tij të vdekjes. “Tri certifikata që kemi marrë, të tria janë me datë të ndryshme”, thotë Elena.
Gjyqi, me dyer të mbyllura, është bërë më 25 mars 1977, më 31 maj të atij viti, Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi t’i falë jetën Xhavit Sallakut dhe katër të dënuarve të tjerë mes të cilëve dhe ish-ministrat Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi. Pushkatimi normalisht ka ndodhur më pas, por se kur ende nuk dihet. Ndërkaq, lajmi i dënimit të rëndë, mbërriti edhe në Tiranë, ku studionin Elena dhe Vera.
“Menjëherë sekretari i partisë i degës së anglishtes, lajmëroi që të përjashtohesha brenda 10 ditëve. U bë një mbledhje e madhe, isha në vit të dytë. Sekretarja u çua dhe tha që ti e ke mamanë ruse dhe je e brumosur me ide revizioniste dhe ke qëndruar kaq urtë në shkollë për të na hedhur hi syve, por ti nuk je e denjë për të qenë në fakultetin tonë”, kujton Elena, mbrojtja e së cilës para gjithë degës së Anglishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja do të ishte e kotë dhe ajo do të kthehej menjëherë në Fier te e ëma, pa e mbaruar vitin e dytë. Ndërsa Vera shkoi të lajmëronte vetë në fakultet. U bë një mbledhje më e vogël, vetëm me kursin e saj të Stomatologjisë, por duket se sulmet nuk funksionuan dhe ajo u hoq vetëm nga organizata e rinisë. “Në vitin e dytë nuk më hoqën, por gjetën profesorë që të më ngelnin në klasë. Në lëndën e ekonomisë politike, më vjen vetë sekretari i partisë i gjithë universitetit në provim. Unë iu përgjigja mirë. Ai më tha: Tani më thuaj çfarë ka thënë shoku Enver në gazetën e datës 6 korrik të një viti, të shumë viteve më parë. E ndjeva që ngela dhe në librezë më ishte shënuar 4. Në vjeshtë e dhashë provimin dhe dola shumë mirë. Megjithatë gjithçka ishte vendosur. Më hoqën pa bujë të madhe nga shkolla. Më thirrën në mëngjes, më thanë: Ti e di arsyen, të kemi hequr nga fakulteti. U ktheva dhe unë në Fier, ku ishte dhe motra”, tregon Vera.
Qëndruan dy vjet në Fier. Pas pushkatimit të Xhavitit, dhe pse iu thanë që do t’i internonin, nuk i larguan menjëherë. Ishte një kohë ankthi, edhe më e vështirë sesa ajo e internimit. “Kur na thanë për pushkatimin na thanë që do internoheshim, por na mbajtën dy vjet në Fier. Ishin vitet më të vështira. Patëm shumë provokime të tria, edhe mamaja dhe ne. Ato dy vjet që kam ndenjur në Fier kam punuar në bonifikim të Fierit. Filloja punë që në 5.00 të mëngjesit dhe me një brigadë që kishte vetëm burra duhet të hipja dhe unë në makinë dhe të shkoja në çdo fshat të Fierit. Deri në vitin 1978. Në vitin 1978 na internuan në Sheq-Marinas. 5 vjet “me masë”, që do të thotë bënim apel në mëngjes para se të shkonim në punë dhe në mbrëmje. Punonim në fushë. Në brigada të ndara. Kishte dhe shumë familje të tjera të internuara. Nuk kishim të drejtë as të shkonim në fshatin ngjitur. Po ta kalonim, burgu ishte deri 3 vjet. Duhet të merrnim leje nga polici i zonës ose kryetari i këshillit”, thotë Elena. Njëlloj ishte dhe për Verën. Ajo që kishte studiuar për stomatologji, duhet të punonte në bujqësi dhe të mbante thasë 45 kile në kurriz. “Ishte një rast. Ishim nja 6 vajza të internuara dhe vijnë qetë me thasët me pleh dhe karrocieri fillon i shkarkon në fillim të fushës ku ne do hidhnim pleh dhe ne i thamë: “Pse i zbraze aty? Vëri në krye të çdo parcele”. “Jo, tha, është gjynah për qetë që t’i mundoj”. Ne duhet të bënim dhe punën e qeve”.
Pas pesë viteve, vazhduan të internuara “pa masë”, por për to nuk kishte asnjë shpresë deri sa në vitin 1988 disa gra të huaja nisën të lejoheshin të ktheheshin sërish në vendin e tyre. Atëherë, edhe Irina bëri lutje për t’u kthyer në Rusi dhe për herë të parë, pas kaq vitesh, morën një përgjigje pozitive. Të tria u nisën në Shën Petërburg, ku jetuan për 19 vjet, por më pas ishte pikërisht Irina, që vendosi të ktheheshin. “Këtu kishim lënë këtë hall të madh, hallin e burrit, por edhe njerëzit e afërt që na donin dhe shumë njerëz të mirë që janë sjellë mirë me ne”, ka thënë Irina në 2009-ën dhe ai hall nuk është zgjidhur ende.
10 vjet më vonë, në një shkrim në Albanian Free Press, flitet sërish për historinë e Xhavit Sallakut. Bashkëshortja dhe vajzat e tij, janë ende në kërkim të eshtrave. Siç thotë AFP, në një shpat mali në Tiranë, janë gjetur eshtrat e 13 personave. Dyshohet që mes tyre të jenë dhe ato të dy inxhinerëve, Koço Plakut dhe Xhavit Sallakut. Elena dhe Vera kanë dhënë mostrat e tyre të AND-së pranë Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), i cili ka nisur një projekt për identifikimin e të zhdukurve nga regjimi komunist në Shqipëri, në pritje të një përgjigjeje, në pritje të një mundësie për të pasur pas kaq vitesh, një vend ku të vendosin lule.
Një pikë referimi ku të ndalen hapat e tyre, që deri tani kanë kërkuar pa gjetur.