Fotografia e një jete: kockë, lëkurë dhe uniformë burgu

1
7130

Sami Dangëllia është një nga të dënuarit me më shumë vite burg të regjimeve komuniste në mbarë botën. Megjithë torturat dhe mundimet, ai nuk u mposht kurrë. Historia e një jete jashtë së imagjinueshmes

Pasi u arrestua në moshën 24 vjeç, Sami Dangëllia, nuk jetoi më asnjë ditë si i lirë. Diktatura e arrestoi. Pastaj e riarrestoi. Pastaj e riarrestoi edhe një herë. Ai nuk mundi të dalë i gjallë nga qelia. Nuk mundi të veshë mbi trupin e drobitur një rrobë tjetër veç asaj të burgut që e kishte mbajtur për 38 vjet. Pasi ndërroi jetë, policët e tërhoqën zvarrë, siç kishin bërë edhe kur ishte gjallë, vetëm se atëherë, bashkë me kockat, lëkurën dhe rrobat e burgut, tërhiqnin dhe një shpirt që nuk u nënshtrua kurrë dhe tani nuk mund të nënshtrohej më.

Sami Dangëllia u arrestua në fund të vitit 1944 sepse kishte luftuar për gati një vit me forcat e Ballit Kombëtar. Në tetor 1945, Gjykata Ushtarake e Korçës dha për të riun e lindur në fshatin e Menkulasit, dënimin me burgim të përjetshëm. E çuan nga burgu i Korçës ku e mbajtën pas arrestimit, në Burrel. Në vitin 1954, doli nga Burgu i Burrelit, ndryshe nga ç’thuhej për këtë burg dhe u dërgua në disa vende internimi.

Atij nuk i mbetej asnjë mundësi tjetër veçse ta shtynte jetën me punën e rëndë të bujqësisë, jo në burg, por përsëri i izoluar, ndaj pas pak vitesh, të vetmet gjatë gjithë kësaj periudhe që nuk i kaloi në burg, vendosi të arratiset. Nuk shkoi dot më larg sesa fshati Nikolicë i Korçës, ku u arrestua për herë të dytë. Kishte me vete adresat e të afërmëve në kontinentin e largët, katër kilogramë biskota dhe me siguri shumë ëndrra. Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 25 vjet burg. Edhe me konfiskim pasurie, por u verifikua që ai nuk kishte asnjë lloj pasurie. Ngaqë nëpër dokumentet e përmbarimit nuk shënohen ëndrrat që Sami Dangëllisë iu konfiskuan ditën kur u arrestua.

E megjithatë, sado e pashpresë të ishte bërë jeta për të, ai nuk u dorëzua. Iu rikthye uniformës së burgut, qelive, punës së rëndë, trajtimit çnjerëzor të gardianëve, kushteve mizerabël. Është një përvojë që të ndryshon jetën nëse kalon edhe pak stinë të vitit në burg, por Sami Dangëllia, ishte i dënuar të kalonte stinë të jetës. Në Burrel, ku e çuan sërish, i vunë nofkën “babagjyshi”. Pas ca kohe, e transferuan në Spaç.

Ishte mbi 50 vjeç kur në burgun e Spaçit shpërtheu revolta e majit të vitit 1973. Sami Dangëllia ishte një nga protagonistët e saj. Pjesë e zemrës së asaj revolte që nxiti zemrat dhe zërat e rreth një mijë të burgosurve, të thërrisnin kundër pushtetit dhe komunizmit dhe të kërkonin të drejtat e tyre të shkelura me këmbë. Ditët e revoltës janë quajtur si ditë lirie në burgun e Spaçit, një lirie të rrëmbyer me një guxim të paimagjinueshëm nga duart e tyre që e shtypnin pa mëshirë. Për Samiun ato do të ishin të fundit ditë lirie të jetës.

Pas revoltës, ai u gjykua bashkë me organizatorët e tjerë dhe u dënua me 25 vjet burg. Nëse do të kishte ndonjë pasuri, dënimi, edhe i kësaj here, do ia konfiskonte, por Sami Dangëllisë nuk i kishte mbetur pasuri jashtë burgut. Gjithçka që ai zotëronte, ligjërisht të paktën, ishin paratë e fituara nga puna e rëndë në minierë. Pasurinë e familjes e kishin sekuestruar. Vëllanë e tij, Enverin, i cili ishte arratisur, e kishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe më pas, me pushkatim dhe që nga viti 1956, ai u nuk u kthye më kurrë në Shqipëri dhe nuk patën asnjë lajm. Prindërit dhe vëllezërit e tjerë i kishin internuar në fshatrat e Fierit, ndërsa Samiun, dukej se nuk do e linin të dilte ndonjëherë nga burgu.

Me vendim nr.1 të Gjykatës së Lartë, në gjyqin e jashtëzakonshëm, katër veta u dënuan me pushkatim dhe tetë, ndër ata Sami Dangëllia, me 25 vite burg.

Djaloshi i burgosur 24 vjeç, mbushi 60 vjeç në burg. Në fund të jetës, por jo ende të dënimit, e çojnë në kampin e Shën Vasilit, ku ai sëmuret dhe ndërron jetë në moshën 67-vjeçare. Sipas disa dëshmive, Samiu u la të vuante i sëmurë për tri ditë pa u dërguar në spitalin e Sarandës, vetëm pak kilometra larg. Ai do të shuhej në burg, ku jetoi për 38 vjet që, bashkë me 5 vitet e internimit, formojnë një dënim prej 43 vitesh.

Emri i tij mund të kthehej në një fjalë që shpreh dënimin e gjatë, një jetë të burgosur nga pushteti. Një gjysmëlegjendë. Një personazh folklori. Ngaqë është e vështirë të perceptohet si e vërtetë.

Fotoja është publikuar fillimisht nga Kastriot Dervishi. 

Majtas, Sami Dangëllia pak kohë pas burgosjes, djathtas, pak vjet para vdekjes.

1 Koment

  1. Artisti

    Artisti i shquar shkodran, Adrian Paci, del publikisht kundër kryeministrit Edi Rama, pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

    Paci risjell në vëmendje njohjen me Ramën, teksa shprehet se “lidhja me të i ka rrënjët tek ky frymëzim antikonformist, tek guximi i fjalës, por edhe i veprimit qysh në protestat e para në Institutin e Arteve deri te lëvizja studentore”.

    Por, sipas Pacit, Rama ka konsumuar një akt brutal e të pabesë: ka shembur godinën e Teatrit Kombëtar e ka dhunuar njerëzit që për më shumë se dy vite i kishin dalë në mbrojtje.

    Mesazhi i plotë i artistit Ardian Paci dhënë për GSH.al:

    Profesori i parë që më ka folur kundër komunizmit ka qenë Edi Rama. Duke ardhur nga një qytet i dhunuar keqas në vitet e rregjimit, isha mësuar me përshpëritjet nën zë apo në rrethe intime, por kurrë nuk kisha hasur një figurë që, e mveshur me petkun dhe autoritetin e mësuesit të artikulonte aq hapur mendimin ndryshe.

    Lidhja ime me Edi Ramën i ka rrënjët tek ky frymëzim antikonformist, tek guximi i fjalës, por edhe i veprimit qysh në protestat e para në Institutin e Arteve deri te lëvizja studentore.

    Shumë vite na ndajnë nga ajo kohë e shumë gjëra kanë ndodhur në jetët e seicilit prej nesh. Ka patur momente afrimi e momente largimi, ka patur indiferencë, entuziazëm e shpresë siç ka patur dyshime e mospajtime në distancë.

    Kjo ngjan si një histori e rëndomtë marrëdhënieje mes një ish studenti e një ish profesori, por ja që ish profesori ka ngjitur shkallët e pushtetit e sot është kryeministri i Shqipërisë e pikërisht sot ka konsumuar një akt brutal e të pabesë: ka shembur godinën e Teatrit Kombëtar e ka dhunuar njerëzit që për më shumë se dy vite i kishin dalë në mbrojtje. Në fakt kjo është vetëm pika që bëri të derdhet vazoja.

    Atëherë në djall ish profesori me gjithë kujtimet e shkollës.

    Edi Rama është sot fytyra e dhunshme e pushtetit.

    Është i pushtetshmi që nëpërkëmb të ndryshmin e manipulon të dobëtin.

    Është pazarxhiu që tregton me të mirën publike.

    Është gaztori që tallet mbi viktimën që sapo ka dhunuar.

    Është artisti, ah po artisti. Këtu më duhet më shumë se një rrjesht.

    Edi Rama pa dyshim ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Nuk ështe artisti i dështuar që etiketojnë shpesh herë kundërshtarët e tij. Pa dyshim është ndër ato që rinovuan elementët e shprehjes artistike në vitet 90. Është ndër ata që krijuan modelin e artistit të angazhuar e antagonist me pushtetin. Pa dyshim ka edhe kontributin e vet në hapjen e skenës së mbyllur shqiptare ndaj dialogut me artin bashkëkohor ndërkombëtar si kur ishte ministër kulture apo edhe kur u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë. Por pikërisht atëherë zë fill tek ai edhe fara e një arti që bëhet spektakël i pushtetit dhe i një pushteti që manipulon artin.

    Me intensitet të ndyshëm, por gjithmonë e më tepër, në këto vitet e fundit, pushteti dhe estetika e pushtetit janë ndërthurur në një simbiozë sa problematike aq edhe të frikshme.

    Estetika si dukje, si fasadë e zbukuruar, si shkëlqim i jashtëm i një të brendshmeje që kalbet nga e pavërteta, brutaliteti dhe vulgariteti është sot vepra më evidente e politikanit-artist Edi Rama.

    Nuk është Edi Rama artisti i vizatimeve surreale me ngjyra në dokumente zyrtare, apo i qeramikave të abstraguara, por Edi Rama videoartisti i videove marramëndëse me dron për propagandë në facebook, manipuluesi i portreteve të vogëlushëve të vuajtur që presin udhëheqësin t’i bëjë me shtëpi, regjisori i selfie-reality-shoë që rreshton në skenë figurantët për të luajtur spektaklin e tij të pushtetit, por edhe me keq, projektuesi i një shoqërie ku elementet përbërës janë si ngjyrat në tavolocën e piktorit që, nën vizionin e trillit të tij, vendos si t’i shpërndajë, kur t’i ekzaltojë e kur t’i fshijë mbi telajon e realitetit ku vepron.

    Ky është artisti i banalitetit uluritës por edhe i një derive të rrezikshme për demokracinë e brishtë shqiptare që duhet ta njohin e, nëse duan, ta ekpozojnë galeritë dhe bienalet e artit nëpër botë, por që për fat të keq, e konsumojnë vetëm qytetarët shqiptarë, ata qytetarë të cilëve ai u shitet si udhëheqës, si kujdestar i trupit dhe i shpirtit, si baba që në fund të fundit i rreh se i do.

    Ish profesori dhe artisti Edi Rama ka një vend tashmë në memorien time e aty besoj do të rrijë gjatë.

    I pushtetshmi ekstravagant Edi Rama ka sot një kundërrshtar publik me shumë.