Austriakja që vuajti 10 vjet, 5 muaj, 4 ditë në burgjet komuniste

0
197

Elsa Koch, Irmgard Tennius dhe Erna Schbert ishin tri gra gjermane (Elsa austriake) të cilat kishin punuar në administratën e ushtrisë gjermane në Tiranë. Nuk kishin pasur asnjë funksion urdhërues apo komandues. Ata u arrestuan më 5.9.1944 nga korparmata e 1-rë e ushtrisë komuniste në Bardhoc të Kukësit, teksa ishin duke u larguar nga Shqipëria. Njëra ndër to, Elsa Koch, e vitlindjes 1918, nga Graci i Austrisë ishte daktilografe dhe stenografe, e divorcuar, nuk kishte fëmijë. Kish ardhur në Shqipëri më 23.12.1943 si sekretare në zyrën e gjeneralit Jozef Fitzum. Me dy shoqet e saj gjermane ishte njohur në Tiranë.

Elsa u pyet fillimisht më 5.1.1945 nga Komisioni hetimor i përbërë prej anëtarëve: Frederik Nosi (i ushtrisë), Nikolla Profi (i Frontit), Jahja Hatibi (i Rinisë Antifashiste) dhe Mënir Tirana (KANÇ-i Qarkut). Si përkthyes shërbeu Mentor Xhemal Sojli.

Gjykimi i Elsës filloi më 19.6.1945 në kinema “Tomori”. U akuzua në bazë të neneve 14 e 18 të ligjit nr. 41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”. Iu caktua avokat kryesisht Burhan Rusi. Përkthyes vazhdoi të ishte i njëjti. Në gjyq tha se ishte mobilizuar me detyrim dhe se me Fitzumin ishte njohur në Tiranë, duke punuar vetëm sekretare. Gjuhë tjetër nuk njihte.

Në gjyq u përdor një deklaratë e nënshkruar nga Pjetër Deda. Ky i fundit u lirua në fund të shtatorit 1944 nga kampi i Prishtinës dhe u bë dëshmitar i bisedimeve që u zhvilluan me komandën gjermane në Tiranë për shkëmbimin e tyre. Por asgjë konkrete kundër saj nuk kish.

Pjetër Deda në një dëshmi që jepte më 20.6.1945 për gjykatën shpjegonte atë që kishte dëgjuar nga Petraq Pekmezi (ish përkthyes i gjermanëve, por që punonte edhe për komunistët. U vra prej komunistëve në nëntor 1944 pasi dinte shumë gjëra). Ishin zhvilluar shumë bisedime për shkëmbimin e tri grave gjermane.

Në gjyq Elsa deklaroi: “Gjenerali Fitzum mori urdhër nga kryekomandanti për Ballkanin gjeneral Von Weiss që të gjitha femrat gjermane të niseshin në Gjermani, por ai duke mos parashikuar një rrezik të afërm e zgjati nisjen tonë, prandaj unë them që ka pas këmbëngulur për lirimin tim, jo se unë isha person me rëndësi dhe as kam dijeni fare rreth vrasjeve të 105 shqiptarëve në kampin e Prishtinës. Këtu në Tiranë nuk kam njohur asnjë familje shqiptare”. Prokurori kërkoi për Elsën dënimin me 30 vjet burgim. Ajo u konsiderua “bashkëpunëtore e aparatit terrorist gjerman” në cilësinë e “krimineles së luftës”.

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit I Tiranë, e përbërë nga nënkolonel Bilbil Klosi, Argjir Lipivani (oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit) dhe Gjylhani Shehu (oficer i korpusit I), duke pasur pranë prokurorin Ismail Çaushi, me vendimin nr.s’ka, datë 23.6.1945, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 20 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtave politike e civile për kaq kohë.

E hetuar edhe e burgosur

Edhe pas dënimit, Elsa vazhdoi të ishte nën hetimin e organeve hetimore e agjenturore komuniste. Pavarësisht se nazizmi kishte mbyllur çdo kapitull sundimi, komunistët mendonin se ata vepronin prapë. Nuk ka të dhëna të plota për vendin ku e ka vuajtur dënimin Elsa. Nisur nga fakti se ajo kishte një dënim me punë të detyruar, nuk përjashtohet mundësia të jetë marrë në punë në kampet e lëvizshme të kësaj kohe. Gjithsesi vendi kryesor i vuajtjes së dënimit ka qenë Tirana. Me hapjen e Punëtorisë Qendrore të Artizanatit në vitin 1950, shihet të jetë burgosur atje. Por sidomos vitet 1945-1951 ishin të atilla sa e kishin Elsën në vëmendje herë pas here. Dega e 5-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, që në këtë kohë mbulonte legata, e kërkonte shpesh herë në pyetje. Në fakt kjo ishte një idiotësi, pasi në Tiranë ishin legata të huaja vetëm italiania dhe francezja, e Elsa nuk njihte kënd prej tyre.

Vazhdoi të pyetej më 24.1.1946 dhe 10 dhe 28 janar 1951, 21.3.1951, sikur të ishte oficere apo themeluese e Gestapos. Në vitin 1952, u përjashtua nga amnistia sepse duhej të ishte “patjetër agjente e kualifikuar”.

U lirua më 9.2.1955 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit. Megjithatë, liria nuk zgjati shumë. Me vendimin nr.2, datë 3.5.1955 të Komisionit të Internimeve dhe Dëbimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për “rrezikshmëri të theksuar” u internua në Kampin nr.5 Plug Lushnjë. Këtu do punonte në bujqësi. Edhe gjatë kësaj kohe, ajo u pyet më 4.10.1955.

Besohet se pak javë më vonë është riatdhesuar.

S'KA KOMENTE