1989/Eksperimenti hetimor në një tentativë arratisjeje

0
4976

Dënimi i një të riu për përgatitjen për arratisje, ku, sipas gjykatës, kishin pasur ndikim “emisionet e huaja televizive”.

Një 25-vjeçar nga fshati Klos i rrethit të Korçës, i quajtur Flori Gjoni, në gjendje shoqërore punëtor, mendoi të arratisej nëpërmjet liqenit të Pogradecit duke përdorur mjete primitive ndihmëse. Më 6.7.1989 ai përgatiti një kamerdare zetori, lopata dhe tub ajrimi. Këto i futi në çantë dhe u nis në Pogradec. Aty nuk bëri asgjë, por i vetëm shkoi në plazh si pushues. Për paraqitjen e tij ndryshe, u dyshua nga policët e shërbimit të cilët i kërkojnë pasaportën dhe i kontrollojnë çantën. Pasi ia shohin, e ndalojnë dhe e çojnë në Degën e Punëve të Brendshme Pogradec. Merret i pandehur për veprën penale të tradhtisë ndaj atdheut, pavarësisht se as e konsumoi atë.

Gjatë procesit të tij, u zhvillua edhe eksperimenti hetimor, ky që shihet në foto, rreth mënyrës se si mund të kryhej largimi nga liqeni. Në këtë mënyrë ai synonte të realizonte kalimin në një pjesë të liqenit pa rënë në sy. Sipas vendimit të gjykatës, i përmenduri, veprimin e kreu “i nxitur nga emisionet e huaja televizive”, duke “i lindur mendimi kriminal për të bërë veprime përgatitore për t’u arratisur jashtë shtetit”. Jo pa qëllim theksohej se ndikimi i televizioneve të huaja ishte parësor në nxitjen e një veprimi të tillë.

Me vendimin nr.51, datë 24.7.1989, Gjykata e Rrethit Pogradec, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 47/gj, në kombinim me nenet 11/1, 224 dhe 30/dh të Kodit Penal, duke e dënuar me 10 vjet e heqje lirie dhe 6 muaj riedukim nëpërmjet punës, duke i mbajtur ¼ e pagës.

U ndryshua me vendimin nr.99, datë 22.8.1989 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke u ulur dënimi në 5 vjet heqje lirie. Flori vuajti dënimin deri në kohën kur i lirua grupi më i madh të të dënuarve politikë, më 17.3.1991.

S'KA KOMENTE