Tentativa për t'u arratisur drejt Greqisë, ndalimi i tyre dhe ridënimi i 8 të burgosurve shqiptarë e grekë...
Kampi Shtyllas, Fier. Qershor 1954. Një grup të dënuarish, që mbaheshin në kamp të rrethuar me tela me gjemba dhe shfrytëzoheshin në punë të detyruar, për ndërtimin e kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier, kishin vendosur të arratiseshin nga kampi, përmes një tyneli, që do të niste nga baraka ku ata flinin e do të përfundonte jashtë rrethimit të kampit. Por, aksioni për fat të keq kishte dështuar.
Kampi Shtyllas në Fier ishte hapur në nëntor 1953, me qëllim ndërtimin e kanalit ujitës Vjosë-Levan-Fier.
Sipas studiuesit Kastriot Dervishin, disa nga të burgosurit e këtij kampi ishin Dom Mikel Koliqi, Ibrahim Sokoli, Tefik Bekteshi, Mark Temali etj. Në vitin 1954, sipas të dhënave të librit “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste”, kur kampi ishte në Shtyllas, punonin 1.011 të burgosur dhe 47 të internuar. Efektivi i repartit, që ruante të burgosurit, ishte 56 persona. Llogariteshin 149 të sëmurë, ndërsa ishin realizuar 281.802 ditë pune. Në këtë kohë, bashkë me kampin nr. 2 punonte edhe kampi nr. 3.
Një akt i guximshëm ishte shënuar në qershor 1954, kur një grup të dënuarish politikë do të ndërmerrnin arratisjen nga kampi i Shtyllasit. Ata kishin planifikuar në fillim hapjen e një tuneli rreth 25 metra nën tokë, me anë të të cilit do të mundnin të arratiseshin. Duke përfituar nga fakti se fjetoret ishin disa barake mbi tokë, ata kishin mundësi të gërmonin dheun. Në grup u futën edhe 3 grekë, të internuar ose të burgosur, të cilët do të udhëhiqnin rrugën më pas për në Greqi. Përpjekja e guximshme dështoi kur ishte në metrin e dytë të saj, pasi i dënuari Dhimitër Zonjatis u kap në flagrancë më 7.9.1954 duke gërmuar në dy krevatet e shokëve të tij Syrja Zenelaj dhe Dule Gremi. Vendi ishte përzgjedhur mirë, pasi ishte në të kundërt të portës së kampit. Kanali ishte bërë me thika e me kazma. Dheu nxirrej jashtë me një valixhe druri, si dhe me trasta.
Për këtë vepër të guximshme u dënuan, më 23.11.1954, nga Gjykata Ushtarake Territoriale Gjirokastër me veprim në Vlorë, personat e mëposhtëm:
1- Nexhi Ago Nexha (vitlindja 1930) nga Nivica, dënuar për arratisje më 1950. U dënua me 21 vjet burg.
2- Syrja Toto Zenelaj (1930) nga Kuçi, dënuar për arratisje më 1949. U dënua me 25 vjet burg.
3- Maksut Mustafa Kalemaj (1921) nga Koculi i Vlorës, dënuar për shitje bereqeti më 1951. U dënua me 22 vjet burg.
4- Muharrem Bektash Llanaj (1912) nga Levani i Tepelenës, dënuar për agjitacion, ish-shoku i Vojo Kushit në betejën e Kodrës së Kuqe në Tiranë, i vetmi i shpëtuar në këtë betejë. U dënua me 25 vjet burg.
5- Duke Ramadan Gremi (1933) nga Belini i Fierit, dënuar për strehim kriminelësh më 1950. U dënua me 12 vjet burg.
6- Dhimitër Andrea Zanjoti (1925), lindur në Korfuz, ardhur si emigrant grek më 1949, dënuar për arratisje. U dënua me 10 vjet burg.
7- Kristo Jorgji Aleksi (1924), lindur në Janinë, demokrat grek (komunist), dënuar pse kishte dashur të arratisej. U dënua me 8 vjet burg.
8- Serafinos Kosta Safo (1917), lindur në Vollo, grek i internuar. U shpall i pafajshëm.
Burimi: Kastriot Dervishi, “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”