Tronditja e të dënuarve të kampit të Rubikut, ditën kur rojat vranë shokun e tyre Hilmi Lame që tentoi të arratisej, nuk mbaroi me aq. As hakmarrja e komandës. Komandanti i burgut, Bajram Korvafa, pasi e rrahu keqas përgjegjësin e skuadrës së punës ku kishte bërë pjesë i burgosuri që sapo e kishin vrarë, kërkoi ta fusnin në gropën e gëlqeres që kishte zënë shtresë akulli. Burri nga Mati përjetoi tortura çnjerëzore dhe pse nuk i dinte fare planet e shokut të tij
Nga Uran Kalakulla
Por e keqja nuk mbaroi me kaq. Ashtu, të mbledhur në atë sop dheu, si delet në vathë, të rrethuar nga kapterët e oficerët e komandës, pas sharjeve e mallkimeve të komandantit lab, u kërkua të dilte para nesh emri i përgjegjësit të skuadrës së punës, ku kishte bërë pjesë i shkreti Hilmi. Kryespiuni i kampburgut, kryetari i zyrës teknike, tha emrin. Viktimën e re e nxorën përpara komandantit.
Ishte ky një fshatar i thjeshtë, ende me rroba fshati në trup, një burrë rreth të peshëdhjetave, i dobët, i thinjur, i shkurtër, si shoku i tij i vrarë. Për fat të keq, nuk ia mbaj mend emrin, por di që ishte nga fshatrat e rrethit të Matit. Edhe ky ishte burrë i urtë, s’i ndihej zëri e mezi binte në sy, që punonte me shpirt ndër dhëmbë për t’iu shmangur belasë së kapterëve të punës dhe që kur kthehej andej, rrinte në një qoshe dhe s’i ndihej fare zëri. E ky na paskësh qenë përgjegjësi i asaj toge pune fatale.
Siç u mor vesh më vonë, atë mëngjes, sapo forcat dolën në terrenin e punës, Hilmiu I paska thënë përgjegjësit se po shkonte në magazinë për të marrë veglat e punës. Por, në vend të tyre, ai ia kishte krisur vrapit drejt murit, me shpresën naive se do të gjente lirinë, por që, në vend të saj, gjeti vdekjen. Ndoshta e kishte vendosur që më parë këtë punë, i dëshpëruar në kulm, nga gjithë jeta e tij nën komunizëm dhe kishte vendosur ose të vdiste, ose të arrinte lirinë! Ndoshta! Kështu, shoku i tij i skuadrës nuk dinte kurrgjë se ç’bluante në vetvete Hilmiu i gjorë. Ndryshe do të ishte përpjekur ta ndalonte në hapin e tij fatal.
E ajo që i ndodhi këtij shoku skuadre të Hilmiut ishte gati po aq tronditëse, sa vetë vrasja. Ne nuk e pamë vrasjen, por pamë torturën e këtij qyqarit tjetër.
Kur kapterët i çuan përpara komandantit shokun fatkeq, egërsira me uniformë iu turr me gjithë tërbimin e një bishe dhe, me grushta e shkelma trupit dhe fytyrës, e dërrmoi njeriun e shkretë, krejtësisht të pafajshëm, të lidhur duarsh me pranga prapa shpine, duke mos mundur të ruante së paku fytyrën. Dhe, si e bëri pleh, urdhëroi rojat e tij ta kapnin e ta fusnin në gropën e gëlqeres aty pranë. Kapterët e përlanë fshatarin e gjorë dhe e çuan te gropa. Pasi thyen me çizme akullin e trashë, e rrasën brenda në gropë deri afër gjoksit. Vetëm pasi ky farë komandanti shfryu gjithë dufin e vet shtazëror e si na shau prapë të gjithëve po aq ndyrë sa më parë, dha urdhër që të rifillonte puna. Thua asgjë të mos kishte ndodhur?! Ndërkohë që ne u toguam secili në vendin e vet të punës, shoku ynë mbeti i lidhur me pranga në gropën me ujë të akullt. Edhë thëllimi të priste fytyrën si me brisk.
Orari i punës atë ditë zgjati dhjetë a dymbëdhjetë orë, në vend të orarit të zakonshëm të tetë orëve. Kishim dalë në punë në orën gjashtë të mëngjesit, gati në terr dhe hymë brenda në kamp andej nga ora katër a më tej. Mbaj mend se atë ditë drekën e darkën i hëngrëm njëkohësisht; lugën me languriqin e zakonshëm dhe racionin e çajit të darkës. Të lodhur, të ngrirë dhe të dëshpëruar, pas apelit të mbrëmjes, hymë në kapanone dhe secili u struk gjithë dhimbje në shtratin e tij të mjerë.
Meqenëse forcat e kishin boshatisur tashmë objektin e mallkuar të punës, edhe rrethimi me rojat ishte hequr. Gjithashtu, kishin hequr nga gropa e gëlqeres shokun tonë dhe e kishin futur, ashtu të lidhur e të kallkanosur, në birucat e nëndheshme të godinës ku flinim. Vetëm vonë, shumë vonë, pamë që nxorën fatkeqin nga biruca dhe e lejuan të shtrihej në shtratin e vet. Disa shokë e të njohur të tij se ku zien një gjysmë gavete me çaj dhe ia dhanë ta pinte. Pastaj, pasi ia hoqën teshat e ngrira, ia fërkuan trupin me alkool dhe e vunë të flinte. Sigurisht, një ndihmë të madhe dha mjeku, i nderuari Ylli Xhagjika pa ndihmën e të cilit i dënuari pa faj ndoshta do të kishte vdekur po atë ditë, si shoku i tij i skuadrës. Kështu, në themelet e asaj uzine të mallkuar, ishte derdhur gjaku i njërit prej shokëve tanë, si i shumë e shumë të tjerëve para tij, në të gjitha veprat ku kanë derdhur djersën e gjakun të burgosurit politikë, nga Jugu në Veri.
Marrë nga libri “21 vjet burg komunist”, Uran Kalakulla, Botime Fjala, Tiranë 2008
Këtë ngjarje e ka treguar edhe ish-i denuari politik Mark Nika, në intervistën e botuar nga kujto.al