I diplomuar në Angli dhe i specializuar në Strasburg, inxhinier Riza Alizoti, ia kushtoi dijet e tij, punës në fushat vajgurore të Kuçovës. Aty e arrestuan dhe aty e sollën, pas disa muajsh për ta varur në litar. Ishte mëngjesi i 10 tetorit 1947. Atë ditë Riza Alizoti mbushte 37 vjeç.
Rizai ishte djali i vogël i Fejzi dhe Ismihan Alizotit. I ati ishte diplomuar në Stamboll ku kishte studiuar financë e diplomaci duke mbajtur më pas poste të rëndësishme në qytete të ndryshme të perandorisë osmane. E ëma ishte bijë e familjes Koka, një prej familjeve në zë të Delvinës. Kur lindi Rizai, më 10.10.1910, ata ndodheshin në Stamboll. Fejziu u rrit në një vilë me tetë dhoma, mes një kopshti plot pemë e lule, rrethuar nga kujdesi i prindërve, vëllait më të madh, Hasanit dhe tri motrave. Kur mbushi moshën e shkollës, i ati e regjistroi në Robert College, një shkollë private amerikane në pjesën evropiane të Stambollit, që kishte nxjerrë njerëz të shquar e ku kishin studiuar edhe mjaft shqiptarë.
I ati i Rizait zhvendosej shpesh nga një qytet në tjetrin për shkak të punës, por në 1913-ën ai u largua nga Stambolli si i dëbuar, për shkak se ishte anëtar i Komitetit shqiptar. Në Shqipëri mbajti detyra të rëndësishme, si prefekt, ministër, administrator qyteti apo drejtor financash.
Do vinte dita që do i bashkohej edhe familja, e cila u largua përfundimisht nga Stambolli, për t’u vendosur fillimisht në Durrës e më pas në Tiranë. Aty ndërtuan një vilë me tri kate në rrugën e Kavajës. Rizain, që ishte tashmë në moshë gjimnazi, e regjistruan në shkollën Teknike të Tiranës. E mbaroi “Harry Fultz”-in në vitin 1929 dhe disi ndryshe nga shokët e tij që parapëlqenin të studionin në Austri ose Itali, duke zgjedhur Akademinë Ushtarake apo Mjekësinë, zgjodhi Anglinë dhe inxhinierinë. Bëri një kërkesë për bursë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare për të studiuar në Shkollën e Minierave të Camborne të Universitetit të Exeter-it dhe pas përgjigjes pozitive u nis drejt Anglisë duke pasur të qartë detyrimin për t’u kthyer në atdhe me përfundimin e studimeve.
Në Angli ai u njoh dhe u dashurua me Kathleen, me të cilën, pavarësisht kundërshtimeve të prindërve të saj, u martua në vitin 1930, martesë nga e cila iu lindën një djalë dhe një vajzë. Gjithçka ndodhi shpejt, pa bërë asnjë llogari, por kur Rizai përfundoi studimet duhej të kthehej në atdhe, detyrim që i ati ia kujtonte në çdo letër, duke qenë se ai kishte studiuar me shpenzimet e shtetit shqiptar. Bashkëshortja nuk pranoi të vinte me të duke këmbëngulur që duhet të qëndronte ai. U kthye në Shqipëri, por zemra dhe mendja i mbetën te familja. Mundohej ta mbante gjallë marrëdhënien me anë të letrave, por ishte e vështirë. Në një nga këto letra merr lajmin e kobshëm që djali i tij kishte humbur jetën në një aksident. Dhimbja i ndau edhe më shumë derisa humbën çdo komunikim, pavarësisht që Rizai, sa herë mundej, i dërgonte ndonjë dhuratë së bijës që e kishte pagëzuar me emrin Belkiz.
Në Shqipëri, ku motrat ashtu si dhe i vëllai ishin martuar dhe ishin bërë me fëmijë, Rizait i mbetej t’i kushtohej punës. Nisi të punonte në fushën vajgurore të Kuçovës. Vitet rodhën. Në 1938-ën, shkoi për një specializim në shfrytëzim minierash në Strasburg, nga ku u kthye sërish në Shqipëri.
Në këtë kohë, kur kishte mbushur 30 vjeç dhe kur të afërm e miq iu vunë pas, vendosi të krijonte familje. Gruaja e tij do të bëhej vajza e vetme e Jaup Ypit, Vera, që kishte studiuar në Torino dhe vinte nga një familje e dëgjuar si nga nëna, pasi gjyshi Fehim Zavalani kishte qenë rilindës i dëgjuar dhe nga i ati, duke qenë që xhaxhai i saj, Xhafer Ypi kishte qenë kryeministër i Shqipërisë në vitin 1922. Vera e bukur dhe e dashur, do ia mjekonte disi plagët e shpirtit Rizait dhe do i rikthente gëzimin e jetës. Në vitin 1941 ata u martuan me një dasmë madhështore, në shtëpinë e prindërve në Tiranë, me festime që zgjatën disa ditë dhe menjëherë më pas, u nisën për muaj mjalti në Romë, ku u takuan me vëllanë e Verës që studionte në Modena.
Por jeta e ëmbël nuk zgjati shumë. Në nëntor të vitit 1944, komunistët arrestojnë babanë e Rizait, ndërkohë që disa ditë më parë kishin arrestuar vëllanë e tij, Hasanin. I akuzonin si armiq e bashkëpunëtorë me okupatorin pa asnjë provë. Fejzi Alizoti u gjykua nga gjyqi special dhe u dënua me pushkatim bashkë me 16 intelektualë të tjerë më 13 prill 1945. Dy ditë pas pushkatimit të tij, doli në gjyq Hasani dhe u dënua me dy vjet burg.
Rizai nuk mund të bënte asgjë. I mbetej vetëm të punonte. Vazhdoi punën në Kuçovë, ku tashmë jetonte me familjen e tij, një strehë e ngrohtë, në mes të stuhisë. Shtatori i viti 1946 e gjeti me tre fëmijë. Pas dy vajzave, i lindi një djalë që i vuri emrin e të atit e që vite më vonë do të bëhej një tjetër i dënuar politik, tashmë i brezit të tretë, i Alizotëve. Ai nuk do ta njihte të atin sepse ishte ende i vogël, kur Rizain e arrestuan në maj 1947.
Të dhënat e këtij shkrimi janë mbështetur në librin “Vaji i gurit” të Miranda Haxhias, botim i UET Press.