Martiri Shtjefën Kurti u dënua me pushkatim në moshën 73-vjeçare. Në kujtimet e Paskal Haxhit, një nga themeluesit e Fakultetit Juridik, gjendet një pasazh ku ai flet për rastin e klerikut dhe e quan atë pafajshëm
Në korrik të vitit 1971, në Gurëz zhvillohej një proces gjyqësor ndaj shtatë të pandehurve akuza më e rëndë e të cilëve ishte sabotimi. Mes tyre ishte dhe kleriku katolik, Dom Shtjefën Kurti. Në kohërat kur ushtronte publikisht detyrën e meshtarit, ai kishte qenë edhe në Gurëz ku kishte themeluar kishën e fshatit. Pikërisht në atë ndërtesë, të kthyer në vatër kulture, pas ndalimit të fesë në vitin 1967, po zhvillohej gjyqi që do e dënonte me vdekje.
Ky ishte gjyqi i dytë që zhvillohej kundër tij. Në të parin, të zhvilluar në vitin 1947, u dënua me 20 vjet heqje lirie, nga të cilat kreu mbi 16 vjet. Pas lirimit nga burgu, ai u vendos në Gurëz, ku megjithëse nuk iu lejua profesioni dhe më pas, feja u ndalua, vazhdoi të kryente shërbime fetare, fshehtas, siç ishte ndonjë meshë apo pagëzim. Kështu mbërriti arrestimi i tij i dytë, në qershor 1970, por këtë herë ishte vendosur dënim kapital. Ai u gjykua me një grup fshatarësh që kishin kryer vjedhje në kooperativën e Gurëzit, të cilëve, sipas akuzës, kur Kurti e kishte mësuar, u kishte thënë “vidhni se merrni djersën tuaj”. Që prifti të merrte dënimin kapital, vjedhjet u quajtën sabotim dhe ai nxitësi i tyre. Gjykata e Krujës, më 30 korrik 1971 e shpalli fajtor dhe e dënoi me pushkatim.
“Mbaj mend se prifti i fshatit Gurëz akuzohej për sabotimin e ekonomisë së kooperativës, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe vjedhje të pasurisë socialiste. E gjykova dhe vendosa kthimin e çështjes për plotësim hetimesh… Ai, sigurisht, nuk e pranoi akuzën dhe deklaroi se ishte viktimë e luftës së ashpër të klasave, si shumë të tjerë”, ka shkruar juristi i njohur, Paskal Haxhi në një libër me kujtime. “Kur rierdhi dosja e plotësuar, unë isha transferuar në Tiranë në Gjykatën e Lartë. Priftin e shkretë dhe të pafajshëm e dënoi me vdekje pasardhësi im", shton Haxhi në pasazhin kushtuar priftit të Gurëzit.
Pasardhësi i Haxhit në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Krujës, i cili drejtoi edhe procesin ndaj Shtjefën Kurtit, ishte Qazim Mani, ndërsa prokuror i çështjes Hajredin Fuga. Vendimi u la në fuqi nga Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Kujto.al ka botuar në janar të vitit 2019 deklaratën që Jani Vasili, anëtari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i kishte dhënë nipit të Shtjefën Kurtit, Nikolin Kurtit. Vasili shkruante në letrën e tij se “vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës…me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje Shtjefën Kurti, për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë”. Nikolin Kurti i dha atëherë kujto.al të drejtën të publikojë edhe letrën që i kishte dërguar prokurori Hajredin Fuga, hartuesi i pretencës që kërkonte dënimin me vdekje të Shtjefën Kurtit. Në atë letër, prokurori shprehte si keqardhjen për viktimat e diktaturës, si presionin politik për rastin në fjalë, edhe justifikimin se ishte zbatuar ligji, pa pranuar haptas, siç kanë bërë gjykatësit e cituar këtu, se Kurti u dënua padrejtësisht. Këto dy deklarata janë përfshirë në librin “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”, ku Nikolin Kurti është një nga autorët. Në këtë botim të ISKK të vitit 2020, është botuar gjithashtu edhe pasazhi nga një libër i Paskal Haxhit, një nga themeluesit e Fakultetit Juridik të Shqipërisë, i cili ishte gjykatësi i parë që u njoh me rastin e Shtjefën Kurtit. Haxhi, jo në një deklaratë të kërkuar nga familjarët e viktimës, por në një libër me kujtime, ka veçuar rastin e priftit dhe ka theksuar pafajësinë dhe dënimin e tij të padrejtë.
Kujto po boton më poshtë pjesë nga libri “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” që përmban pasazhin e Paskal Haxhit dhe komentin e autorëve:
Reflektimi i gjykatësit Paskal Haxhi
"Çështja e priftit në Gurëz. Mbaj mend se prifti i fshatit Gurëz akuzohej për sabotimin e ekonomisë së kooperativës, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe vjedhje të pasurisë socialiste. E gjykova dhe vendosa kthimin e çështjes për plotësim hetimesh. Ai ishte me arsimim fetar dhe kryeprifti i Kishës Katolike të rëndësishme të Shna Ndout në Laç. Ai, sigurisht, nuk e pranoi akuzën dhe deklaroi se ishte viktimë e luftës së ashpër të klasave, si shumë të tjerë. “Por dije z. kryetar, se kjo luftë për zhdukjen e kundërshtarëve, i ngjason luftës, që bënim ne në kohën tonë kundër komunizmit. Kjo luftë, që bënim ne, nuk u pasua me zhdukjen e kundërshtarëve, por me shumëzimin e tyre. Kështu do të ndodhë edhe me luftën kundër nesh nga komunistët, pra, kjo luftë i shumëzon kundërshtarët. Dhe kjo do ndodhë deri në përmbysjen e këtij sistemi”. Kur rierdhi dosja e plotësuar, unë isha transferuar në Tiranë në Gjykatën e Lartë. Priftin e shkretë dhe të pafajshëm e dënoi me vdekje pasardhësi im".
Ky është një pasazh nga libri me kujtime i profesorit të Fakultetit Juridik Paskal Haxhi. Si gjyqtari i parë që ka marrë kontakt me këtë dosje, pas studimit të saj, ai ka kryer një veprim procedurial, i cili pavarësisht se ishte i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale të kohës, përbënte një rast shumë të pazakontë, veçanërisht për ato “krime”që parashikoheshin si “krime kundër shtetit”. Mjafton ky veprim procedurial i gjyqtarit që do të gjykonte atë çështje, pavarësisht se për arsye që nuk vareshin prej tij, ai nuk arriti ta gjykonte, për ta provuar pathemelësinë e të paktën akuzës për "sabotim", ngritur ndaj Dom Shtjefën Kurtit, që…përbënte "mjetin ligjor", për ta shpënë në plumb atë.
Këtu mund të bëjmë një hamendje, e cila pavarësisht mungesës së provave për ta deklaruar zëshëm, rezulton e provuar se ndoshta transferimi i Paskal Haxhit, ka qenë i lidhur me faktin se ai nuk paraqiste garancitë e duhura, për ta përmbushur porosinë e partisë në lidhje me dënimin me vdekje të priftit Dom Shtjefën Kurti! Kemi theksuar me prova se në gjykimin e çështjes në ngarkim të Dom Shtjefën Kurtit, partia dhe sigurisht udhëheqësi Enver Hoxha patën "sakrifikuar" me punë fizike në fshatin Gurëz, zyrtarin e lartë të partisë Vait Lama për "ndjekjen" dhe mbikqyrjen e këtij procesi gjyqësor! Ky fakt i provuar, sigurisht që nuk ndodhte rëndom. Ky fakt na bën të kuptojmë se ai proces nuk ishte i zakonshëm, por shumë i rëndësishëm. Prej këtej vijmë në përfundimin logjik se partia kërkonte një gjyqtar të sigurtë për ta shpënë në plumb Dom Shtjefën Kurtin dhe ky gjyqtar mund të mos ishte Paskal Haxhi.
Fraza e Dom Shtjefën Kurtit, drejtuar kryetarit të gjykatës së rrethit të Krujës mbetur në memorien e zotit Haxhi, për afër një gjysëm shekulli se “Por dije z. kryetar, se kjo luftë për zhdukjen e kundërshtarëve ...", përtej pafajsisë së tij, demonstron dinjitet njerëzor e burrëror, duke e paralajmëruar dënuesin e tij, se ai i njihte qëllimet e tyre për ta dënuar me vdekje, por se një ditë, e cila nuk do të ishte e largët ai dënuesi pra, do të gjendej në anën e gabuar të historisë dhe të vërtetës! Fraza përmbyllëse e ish-gjyqtarit të asaj çështje se: "Priftin e shkretë dhe të pafajshëm e dënoi me vdekje pasardhësi im" përbën një Akt Akuzë të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë, për aq sa mund të quhet i tillë ai i kohës së diktaturës, por edhe të pasardhësit të tij, i cili më shumë se gjyqtar, kishte qenë një vegël e ndyrë e diktaturës, pa përjashtuar këtu gjithë zinxhirin e shkallëve të gjykimit, duke përfunduar Presidiumin e Kuvendit Popullor, i cili kishte fjalën e fundit për të dënuarit me vdekje. Përmes këtij kujtimi që gjendet në librin e tij, Paskal Haxhi demaskoi regjimin, që ai vetë i kishte shërbyer. Mbase kaq mund të bënte!
Shënim: Pasazhi me shkronja të pjerrëta është marrë nga libri "I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire", Vol. III, me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka, Nikolin Kurti, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunimit, Tiranë 2020