Një balerinë "armike" në Teatrin e Operas e Baletit

0
618

Dosja e Sigurimit të Shtetit për artistët e TOB, kërcimtarja bijë e babait të  pushkatuar nga regjimi si dhe violinisti shkodran, bir i babait të burgosur e xhaxhait të pushkatuar

Artisti shkodran me inicialet B.G, ishte në listën e Sigurimit të Shtetit për t'u survejuar, i dyshuar se kishte bërë propagandë kundër regjimit komunist. Prejardhja e tij politike ishte një sinjal i rëndësishëm për hetuesit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, për të gjetur te ky violinist shenjat e agjitacionit dhe propagandës kundër regjimit. Kështu, në listën e hartuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit pas ngjarjes së dëmtimit të fotografisë së diktatorit Enver Hoxha, ishte padyshim B.G, si biri i një babai të burgosur nga regjimi komunist, si pjesë e shtresës së tregtarëve si dhe nip i një xhaxhai të pushkatuar nga regjimi komunist, si kundërshtar i këtij regjimi.

Siç e shohim edhe në informacionet që bashkëpunëtorët e Sigurimit kanë renditur në dosjen e tij, B.G. kishte studiuar në Itali për muzikë, violinë. Në rrethin e tij shoqëror ishte shprehur shpesh për jetën artistike që zhvillohej në Itali e në Perëndim duke e krahasuar me jetën e varfër artistike që zhvillohet në Shqipërinë komuniste. Pa dyshim që çdo fjalë e thënë prej tij do të interpretohej se vepër armiqësore kundër pushtetit popullor.

Më poshtë do të sjellim një paragraf që përmbledh gjetjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit për violinistin shkodran i cili ishte shpallur armik i popullit.

Dosja

B.G i datëlindjes 1923 lindur në Shkodër me arsim të lartë në profesion violinist me banim në Tiranë.

Gjatë kohës së Zogut dhe okupacionit si ky dhe familja e tij kanë qenë pro atij regjimi. I ati ka qenë në shtresën e pasur dhe merrej me shkëmbimin e arit. Gjatë okupacionit B ka qënë për studime në Itali dhe fashizmi e ka quajtur shpëtimtarin e Shqipërisë.

Mbas çlirimit i ati u dënua për kontrabandë ari. Xhaxhai i tij është pushkatuar.

Mbahet nën kontroll të organeve tona sepse dyshohet për agjitacion e propagandë.

Kohët e fundit kanë dalë materiale se ky zhvillonte agjitacion dhe propagandë duke folur se tek ne s'ka art e operat tona s’vlejne asgjë, se gjendja ekonomike tek ne eshtë shumë e keqe. Mburr jetën në Itali, thotë se Beqir Balluku kishte logjikë strategjike etj..

Jemi të mendimit që ky të hiqet nga ky institucion dhe ne do të vazhdojmë kontrollin e tij për të zbuluar veprimtarinë e tij armiqsore”, shkruhet në dosjen e Sigurimit të Shtetit.

***

Në të njëjtën dosje do të gjejmë edhe të dhënat për një tjetër artiste të survejuar. Ishte një balerinë në teatrin e operas dhe baletit. Vajza balerinë ishte bija e një babai të pushkatuar si armik i popullit nga regjimi komunist. Në të dhënat që gjejmë në dosje do të vërejmë se balerina është kategorizuar si njeri me qëndrim të keq politik, nisur nga e shkuara e familjes së saj, babai i pushkatuar.

Dosja

G.F.T e datëlindjes 1942, lindur në Dibër, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, me profesion kërcimtare, me punë në teatrin e operas, me banim në lagjen nr3 Tiranë.

Rrjedh nga një shtresë e pasur tregtarësh. Si familje, gjatë kohës së Zogut dhe okupacionit kanë përkrahur ato regjime. I ati i saj ekzekutuar si kriminel lufte. Është me qëndrim të keq politik. Jemi të mendimit të hiqet nga opera dhe nga Tirana.

S'KA KOMENTE