Gjyqi i katër të rinjve të “Grupit armiqësor të Poshnjes” dhe akuza qesharake e Sigurimit të Shtetit, ku u dënua me 25 vjet Muharrem Protoduari dhe 20 vjet Ushtar Çobo.
“4 djem të rinj do të hidhnin në erë me sasi të vogla eksplozivi, Kombinatin e Tekstileve, që shtrihej në një rreze prej 1 km dhe që ruhej rreptësisht me policë të armatosur”. Ishte kjo akuza absurde e Sigurimit të Shtetit në janarin e vitit 1978, në qytetin e Beratit. Një ngjarje që nuk kishte as më të voglën mundësi të ndodhte, për shkak se zona ishte rreptësisht e kontrolluar nga regjimi. Megjithatë, Sigurimi i Shtetit sajoi këtë akuzë, duke shigjetuar katër djem të rinj, që natyrisht i përkisnin asaj shtrese që duhej goditur, siç i kishte etiketuar regjimi, kulakë.
Një fotografi e godinës ku është zhvilluar gjyqi, është publikuar pak kohë më parë nga Gazeta Shqiptare. Atje shfaqet ndërtesa e Degës së Brendshme të Beratit, vendi ku u torturuan për më shumë se tetë muaj, katër të rinjtë e pafajshëm. Dy prej tyre, Luftëtar Protoduari dhe Riza Hazizi u dënuan me pushkatim, ndërsa Muharrem Protoduari dhe Ushtar Çobo u dënuan me respektivisht 25 dhe 20 vjet burg. Gjyqi u zhvillua në Kinoklubin e Kombinatit të Tekstileve dhe vendimi u shpall nga gjykatësi komunist, Ali Zanko.