“Një ditë kur po punoja në minierë, erdhën dy vagona të pashoqëruar kur unë po zgjidhja dy të tjerë jashtë, dhe më goditën dorën, të cilën e kam të shtrëmbëruar edhe sot e kësaj dite. Ma kanë qepur për së gjalli me gjilpërë rrobash, në infermieri... unë ulërija si qen nga dhimbja... nuk i harroj ato ulurima e atë dhimbje”
Ishte djalë i ri, me një vetëbesim të pashoq e me shumë ëndrra për liri. Diku në një fshat të thellë në Dropull të Gjirokastrës, kishte thurur planin e tij sekret për të çarë hekurat e diktaturës e për të fituar lirinë. Ashtu u nis Mirush Osmani, një natë dimri të dhjetorit të vitit 1980, plot shpresë e besim... edhe me frikë, por me shpresë se destinacioni do të ishte liria. Ishte vetëm 20 vjeç me guximin djaloshar, i bindur se hekurat e diktaturës nuk
“Një ditë kur po punoja në minierë, erdhën dy vagona të pashoqëruar kur unë po zgjidhja dy të tjerë jashtë, dhe më goditën dorën, të cilën e kam të shtrembëruar edhe sot e kësaj dite. Ma kanë qepur për së gjalli me gjilpërë rrobash dhe fill, në infermieri... unë ulërija si qen nga dhimbja. Edhe sot nuk i harroj ulërimat e mia. Mbaj mend gjilpërën që kërciste kërc–kërc. Ishte një infermier nga Shijaku, Isuf më duket se e kishte emrin. Më lanë ca kohë pa punë, por për dorën nuk më dhanë as mjekim, nuk më bënë as vizitë e asgjë.
Dora u enjt dhe mori një ngjyrë blu. Në këtë kohë, një i dënuar nga Vlora, i quajtur Qemal Demiri që nuk e harroj kurrë, i cili kishte bërë nja 15 vjet burg dhe i kishin ngelur nja 10 a 15 vjet të tjera, më tha që “Do t'i bëj unë një letër Ministrisë së Shëndetësisë’. “O Qemal, po çfarë do të fitojmë?” - i thashë. “Jo, jo, më tha, do e bëjmë se këta kanë ndërmend të të kalbin dorën.” Edhe e shkroi letrën, ma lexoi dhe ramë dakord që ta postonte. Unë, edhe po të doja të shkruaja vetë letrën, s’e shkruaja dot se nuk më punonte dora. Për të ushqyer, më ushqente Çajupi, me lugë si bebe. Dhe kur erdhën nga Tirana në Spaç, një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë, unë u thashë: “Ju më keni dënuar me burg apo me sakatllëk?” E panë dorën dhe mbas një jave më duket, më çuan në Rrëshen. Atje i bënë një grafi dorës dhe panë që të gjitha kockat e dorës ishin të plasaritura. Por, kur na çonin ne të burgosurve për ekzaminim mjekësor në Rrëshen, rrethohej vendi me ushtarë, rrethohej spitali, nga frika se mund të iknim. Po ku dreqin të iknim ne?! Dhe kur më kthyen në kamp, në Spaç, më futën direkt në birucë. Në birucë, në izolim. Dhe kësaj here më futën vetëm, sepse isha ankuar. Se nga vinte një urdhër i tillë, unë nuk e di. Por, me një lehtësi të vetme këtë herë: më sillnin kovën me ujë të ngrohtë që ta mbaja dorën. Ky ishte i gjithë shërbimi që m’i bënë dorës. As më shumë, as më pak.
Në këto peripeci e sipër, një grup prej nesh, na marrin dhe na çojnë nga Spaçi, në Qafë Bari. Në Qafë të Barit, loja ndryshoi. Qafa e Barit kishte komandë tjetër, me tjetër mentalitet; ishte komandë që ishte mësuar me të burgosur ordinerë.
Fati i një njeriu që peshonte 50 kg, në burgun e Spaçit
Nëse një burrë në burgun e Spaçit, apo atë të Qafë Barit, apo edhe diku tjetër, ishte 50 kg e poshtë, fitonte të drejtën për të refuzuar punën në minierë. Ky ishte fati më i madh për Mirush Osmanin, në momentin kur ai shënoi shifrën rekord 49 kg. Në këtë çast, ai mund të refuzonte punën në minierë.
“Sipas ligjeve të Partisë së Punës, ishte kështu: nëse ishe 50 kilogramë e poshtë në peshë, komanda nuk të detyronte të punoje në minierë. E dyta, nëse ishe mbi 55 vjeç e lart, nuk kishin të drejtë të të fusnin në minierë. Jashtë minierës, në punëra të tjera po punonin në këtë rast, por brenda në minierë jo. Dhe nëse një i dënuar në Spaç, apo edhe në ndonjë burg tjetër, kishte raport mjeku që nuk ia lejonte të hynte në minierë, atë nuk mund ta detyronin të punonte në minierë. Flas me ligjet e vetë sistemit.
Dhuna në Qafë Bari
“Brigadën e merrnin tre policë nga një polic që ishte më përpara; tre policë e merrnin, dhe tre të tjerë e linin, dmth gjashtë policë. Agron Qipllaka, Mirush Osmani (unë) dhe Durim Qelibashi, ishin në listën e brigadës së të rinjve që do rriheshin para se të shkonin në punë dhe mbasi dilnin nga puna. Dmth e kishim racion: para se të shkonim te garderoba që të ndërroheshim, duhej të shkonim të kaldaja ku na prisnin gjashtë policë me nga një hu në dorë. Mbasi shkonim në punë, dilnim nga puna dhe prapë në kaldajë, dhe hanim dru për herë të dytë. Këto ishin vendimet e Edmond Cajës; ai na kishte me listë. Në brigadën time kështu ndodhi; në brigadat e tjera nuk e di se si shkoi, por brigada e rinisë e pësoi më shumë nga të gjitha.
Pastaj ndodhi një aksident: ngaqë policët kërkonin me çdo kusht normën dhe fronti nuk kishte mineral, i burgosuri për t’i shpëtuar hurit e kërkonte mineralin aty ku i rrezikohej jeta. Në këtë mënyrë, u vranë dy vetë: Ilmi Çoçka nga Lushnja dhe Dilaver Hysi nga Vlora. Imagjino një skenë të llahtarshme: vjen vagoni nga miniera me Çoçkën të ndarë më dysh, kokën të ndarë nga trupi. Ilmiu ishte rreth 48-50 vjeç. Kokën e kishte komplet të këputur dhe i kishte ngelur varur dhe ata kriminelët e Qafës së Barit, për të terrorizuar të gjithë të tjerët, as nuk ishin përpjekur ta mbulonin me një batanije të paktën. Ia lanë qëllimisht jashtë, dhe koka tundej nga pjesa e jashtme e vagonit. Këto skena nuk kam për t’i harruar kurrë. Hapën një gropë, nuk e di se ku, dhe e groposën. As qeni nuk groposej ashtu! Pastaj erdhi edhe vdekja e Enver Hoxhës, dhe me gjithë vdekjen e këtyre të burgosurve, sikur duket u mor ndonjë urdhër që të lirohej pak. Pra, sikur po zbutej disi…"
Pas burgut, drejt ushtrisë
Pjesë nga Rrëfimi i Mirush Osmanit, në ciklin “Zërat e Kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), autorë Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku.