“Kam 28 vjet që kam dalë nga burgu, dhe e dini se çfarë ndodh me mua? Ditën jam i lirë, kurse natën vazhdoj të jem akoma në burg, sepse vuaj nga makthet e kohës së burgut. Dhe nuk kalojnë dy netë rresht pa m’u shfaqur një ëndërr e tillë: sikur shkoj në zyrën teknike, edhe pyes se edhe sa vjet burg më kanë ngelur. Herë më thonë edhe katër vjet e herë më thonë edhe dy vjet....”
Fytyrat e Kristo Vangjelit, Rrapo Dhimos, Maringlen Rrapit, Thoma Janos, Mark Pëllumbit e Zef Dedës, do të mbeten përjetë në mendjen e Lekë Frrokut. Janë personazhet që i kanë bërë shumë keq në jetën e tij. I kanë bërë aq keq, sa edhe sot pas rreth 50 vitesh, do të pranonte më parë pushkatimin, se sa të binte edhe një herë në dorën e tyre.
Në 4 shtator 1976, Lekë Frroku e pa veten me duar ndër pranga. Ishte vetëm 23 vjeç. Pak momente pas arrestimit, në degën e brendshme të Krujës, hetuesi i thyen dorën. Pak orë më pas, nga torturat dhe rrahjet me mjete të forta, i thyen dy brinjë e në fund, i rithyen dorën që i kishte thyer pak orë më parë. Akuzohej për “përgatitje për arratisje”, por edhe se ndiqte muzikën italiane.
Lekën e pritën në hetuesi, Kristo Vangjeli hetues i Ministrisë së Brendshme; Rrapo Dhimo, hetues i Ministrisë së Brendshme, Maringlen Rrapi, Thoma Jano, të hetuesisë së Krujës. “Kur më arrestuan, gjëja e parë që kanë bërë në hetuesi, është që më thyen dorën me hekura gjermane. Siç e sheh (tregon dorën), dhe sot e kësaj dite, nuk e kam në rregull. Pastaj, duke më shkelur polici, më thyen dy brinjë. Por asgjë nuk ishte thyerja e dorës dhe e brinjëve, krahasuar me rithyerjen e tyre. Dmth, kur e dinte që i ke të thyera, hetuesi t’i thyente për së dyti. Bile, edhe për së treti. Dorën e thyer, nga enjtja, nuk e zinin hekurat;
Gjyqi i Lekë Frrokut kishte zgjatur tri ditë e më pas. Ai u dënua me 17 vjet burg, me akuzën për arratisje dhe atë të shfaqjeve të huaja. Pas gjyqit, ai u dërgua në burgun e Spaçit. Pas afër 5 vitesh në Spaç, Leka u transferua në burgun e Ballshit, për t'u kthyer sërish në burgun e Qafë Barit, në vitin 1982.
“Në Qafë Bari kam përjetuar edhe përvojat më rrënqethëse. Na hipën në autobus, nuk e dinim se ku po na çonin. Arritëm në Qafë Bari. Drejtor burgu kemi pasur Edmond Cajën, i cili më vonë, u bë nën-kolonel në Ministrinë e Brendshme. Punonim si kafshë, por isha i ri atë kohë... Një minator duhej të bënte një front me bira, me martel. Po të mos i bëje, të fusnin në birucë. Në birucë të mbanin një muaj. Batanijet t’i linin vetëm nga ora 10:00 e darkës deri në 5:00 të mëngjesit. Në ora 5:00 të vinin e t’i merrnin dhe do të duhej të rrije në dysheme. 70 cm e gjerë dhe 170 e gjatë. Në atë birucë, fusnin nganjëherë deri nëntë vetë njëherazi. Stivë, mbi njëri-tjetrin si thasë çimentoje. Kishte vend vetëm për t’u mbështetur te njëri-tjetri, s’kishte vend për t’u shtrirë. Gjatë gjithë ditës, vetëm në çimento. Të linin vetëm 3 cigare në ditë: një në mëngjes, një në drekë dhe një në darkë. Duhanin tonë sigurisht, por komanda ta ndizte vetëm tri herë në ditë.
Revolta e Qafë-Barit
Revolta ndodhi në 22 maj 1984. Unë kam pasur një polic roje në punë, që quhej Kujtim Karaj. Ishte dibran dhe një nga policët më të mirë. Pas revoltës, e çuan roje biruce në hetuesinë e Pukës, ku kishin çuar edhe të burgosurit e Revoltës së Qafë Barit, dhe prej tij mora vesh gjithçka që u bënë të burgosurve. Pra, bëhet fjalë kur arrestuan Tom Ndojën, Sokol Zef Sokolin, Lazër Shkëmbin, Bajram Vuthin e të gjithë të tjerët. Ai tregoi se si Toma, ngaqë i kishin lënë pa ushqim dhe pa ujë për katër ditë rresht, “ka rrëmbyer kovën
Aq të rënda kanë qenë torturat, saqë Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli e kanë pritur pushkatimin duke thënë: “Aman na pushkatoni! Mos na torturoni më.” Sandër Sokolin e këputi polici në shpinë. Ndodhi kështu: iu vërsulën dy policë; njëri e kapi Sandrin te koka dhe tjetri te këmbët, dhe e thyen në mes. Pra, i thyen shtyllën kurrizore. E lanë vdekur në vend. Nuk i dihet as varri se ku e ka. Eshtrat e Tomës e të Sokolit janë gjetur, kurse të Sandrit jo. Kjo ka qenë ngjarja më rrënqethëse e të gjitha viteve të mia të burgut.
Si filloi revolta?
Ndue Pisha nuk bëri normën në minierë. E morën policët dhe e lidhën. Ky, ashtu siç ishte, megjithë hekura, erdhi dhe u fut në kamp. Shokët e tij që ishin nga Tropoja, Lekbibaj a Shkodra, e rrethuan dhe nuk e lanë policinë ta merrte. Ky është momenti kur nisi revolta. I kemi nxjerrë policët dhe oficerët jashtë dhe për 12 orë, kemi qenë pothuajse të lirë. Pas kësaj, ka ardhur me helikopter një i Ministrisë së Brendshme, Agron Tafa besoj se quhej. Ai dha urdhër që për dhjetë minuta, të dorëzohen ata që kanë emrin në listë, “përndryshe, do të hapim zjarr në gjithë kampin!” Dhe që të mos ndodhte kjo, për të mbrojtur të tjerët, kush kishte emrin në listë u dorëzua. Pra, ndryshe nga revolta e Spaçit, kjo qe krejt spontane dhe zgjati vetëm një ditë. Pastaj vinte Edmond Caja në kamp dhe kapte njërin prej nesh, psh Ramiz Memçen që ishte shkrodran dhe shoku im, dhe jepte urdhër: ”Rriheni!”. Policët, ndërkohë që e rrihnin, pyesnin njëri-tjetrin se çfarë ka bërë, pse po e rrihnin. Nuk e dinin as ata vetë se pse po e rrihnin. Dmth, krejt kot, për të krijuar terror.
Një ngjarje tjetër nga Qafë Bari: na zhvishnin në mes e sipër lakuriq, për të na kontrolluar. Kjo punë si dimër, si verë, po njëlloj. Dhe e bukura ishte, se polici, edhe pse unë isha lakuriq, më kontrollonte me duar, a thua se kisha fshehur gjë nën lëkurë. “Ore, - i thashë, jam lakuriq!” Dhe polici i nxehur më tha: “Ju jeni armiq! Ju e futni dinamitin edhe në trup dhe e lëshoni kundër nesh!”
Një dajë të gruas sime, Dodë Gegë Bajraktari quhej, e kisha në burg. Ishte prej Manatie. Kur ndodhi revolta në Qafë Barit, Konstandin Gjordenit i gjuajti policia dhe i ngeci plumbi në sup. Doda e mjekoi. Pas revoltës, Dodën e futën në birucë ngaqë mjekoi Kostandinin. Kur ka dalë, ju betohem se ato pantallonat e kuqërremta të burgut nuk i hiqeshin dhe jam detyruar t’ia pres me gërshërë, bashkë me benevrekët e pambukut që mbante nën to, sepse i kishin ngjitur në mish prej gjakut. Aq fort e kishin torturuar. Mbaj mend Dodën që më tha: “Më janë dhimbsur policët, se po u shkonin djersët çurg duke më rrahur.”
Burgu i Ballshit…
Në Ballsh nuk punohej. Na jepnin 600 gramë bukë dhe gjellën që ishte ujë. Më ka ndodhur që kam gjetur krimbin në spinaq, të zier në të, dhe kur më ra në pjatë, ndava krimbin veçmas, dhe hëngra spinaqin. Por në Ballsh ka pasur dhjetëra që kanë vdekur nga uria. Po të mos kishe ndihma nga shtëpia, ishe i marrë fund.
Një kushëriri im, Nikollë Zefgjoni, në burg thoshte: “Zotit nuk i dua tjetër, vetëm të më nxjerrin e të ha jonxhë e të mbush barkun.” Aq e madhe ishte uria. Kur shkova në Ballsh, Nikollën e gjeta atje. Unë nuk isha mësuar me uri, por atje kuptova se uria ndahet në tri faza: uria, zia, dhe babëzitja. Unë kisha marrë ushqime me bollëk nga Spaçi dhe i thashë Nikollës: “O Nikollë, po ziejmë nja gjysmë kile makarona!” “Çfarë me i ba?! Me i fut në vesh? Nuk më dalin.” - tha Nikolla. “Por po ziejmë një kile atëherë.” - i thashë. “Nuk më dalin,” - tha. Si përfundim ziem dy kile makarona me një litër vaj ulliri në një tenxhere tetëkilëshe. Unë hëngra dy garuzhda ndoshta, kurse pjesën tjetër e hëngri ai. Ju betohem se nuk la më shumë se tri gisht makarona në fund të tenxheres. Bile edhe kur u kthyem nga apeli, e pashë të shkonte prapë te tenxherja. Pas disa ditësh, kur u ngop, nuk mund të hante më shumë se një garuzhdë a dy.
Persekutimi i familjes
400 vetë në burg për Çelentanon
Një pjesë e akuzës ndaj meje ishte edhe pse kisha dëgjuar Çelentanon. Janë 400 vetë që janë dënuar në atë kohë me burg, vetëm pse kishin dëgjuar Çelentanon në Shqipëri. Pas vitit 1990 madje kanë krijuar dhe një shoqatë. Kishte raste kur mundeshim të shihnim në televiziorin e dhomës së kulturës ndonjë stacion ialian. Një herë na zuri polici duke parë Celentano-n, Morandi-n e të tjerët, na futi në birucë. “Bëjmë grevë urie,” - i thashë Sherifi Merdanit, sepse po të ishe në birucë e të kishe shpallur grevë urie, nuk të rrihnin, sepse komanda njoftonte me shkrim Ministrinë e Brendshme se “filani dhe filani janë në grevë urie”. Pra, nuk na rrihte kush.
Sa erdhi polici për të sjellë ushqimin, unë i thashë: ”Jam në grevë urie!”. Por Sherifi nuk qe dakord; donte të hante. Unë u përpoqa edhe njëherë dhe i thashë: “Shpall more grevën, se të rrahin!” Ai nuk ndërroi mendje. Në rregull. Hëngri mëngjesin dhe hëpërhë nuk e prekën me dorë. Po kështu edhe drekën. Por në darkë erdhën dhe e rrahën me sa fuqi që kishin. E rrahën me dru stufe. Dhe po ta shihni me kujdes Sherifin sot, ka tre fraktura në kockën e ballit, në tre anë të ndryshme. Këto shenja janë pikërisht prej kësaj rrahjeje për të cilën po ju tregoj. Pastaj e morën dhe e çuan në infermieri dhe nuk e kthyen më në birucë, por frakturat i mbetën. Aq e rëndë qe, sa Sherifi thoshte: ”Unë as kur të lirohem, nuk do t’i dëgjoj më ato këngë!”
Takimi pas 30 vitesh me policin mizor
“Kur u bëre shoku im ti?! Ty të ka pjellë Nexhmija prej hundësh.” - i thashë. Ndërkohë po më dëgjonin gjithë pasagjerët e autobusit. Të them të drejtën, edhe frikë pata, se në mos ai, ndonjë shok i veti, mund të vinte dhe t’ma këpuste me levë kokës.
“Ti ke këputur Sandër Sokolin në kurriz. I ke marrë jetën. Ke rrahur me qindra të burgosur. Ti duhesh vrarë; s’e meriton të jetosh!” - i thashë pastaj. Ai s’foli. Deshi të na ofronte birra, por unë nuk pranova në asnjë mënyrë dhe u ngrita e dola.
Intervista është marrë nga cikli "Zërat e Kujtesës", me autorë Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa